Ku ishte Bamir Topi para se të themelonte FRD-në, në stadium?
Nuk më habit kapardisja si gjeli majë plehu e ndonjë individi të vetëquajtur lider politik, numri i të cilëve në Shqipëri po shkon drejt infinitit. Më befasojnë ata pak që i ndjekin, të cilët, ndonëse një grusht njerëzish që s’ngrenë peshë në peshoren e politikës shqiptare, prishin punë, mbase të pandreqshme, me papërgjegjësinë që marrin mbi vete, nxitur prej mllefesh të grumbulluara individualisht për shkak interesash të ngushta vetjake.
Bamir Topi, presidenti më i distancuar në tërë historinë paskomuniste ndaj shumicës parlamentare që e zgjodhi, paraqiti programin e FRD-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Është e drejtë e garantuar nga kushtetuta që cilido ish-president, pas plotësimit të mandatit, të formojë një parti, nëse dëshiron, sikurse është e drejtë e çdo shtetasi tjetër. Mjaft që ndokush të mbledhë një dorë nënshkrimesh e të kryejë disa formalitete juridike, dhe, me urdhër të peshkut, të ngryset hiç e të gdhihet kryetar partie.
Një akt të tillë nuk e ndërmori Berisha më 1997, kur dha dorëheqjen si President i Republikës. PD-ja ekzistonte asohere dhe ai nuk e mohoi kurrë atë as si ish-kryetar, as si anëtar i saj. Nuk e bënë as Meidani, as Moisiu, të cilët u tërhoqën në jetën e tyre private ose profesionale. E bëri Topi, madje de facto, përpara se të largohej nga Institucioni i Presidencës. Për rrjedhim, është e drejta e tij ta quajë krijesën e vet si t’ia ketë ënda. Në daç “frymë” (qoftë edhe e shenjtë), në daç “e re”, në daç “demokratike”, për nostalgji të partisë së cilës i përkiste. Më në fund, është e drejta e tij të hartojë programe e t’i lexojë hipur në një foltore, përballë ca njerëzve që, sipas meje, s’dinë ç’ bëjnë. Problemi është çka do të dalë nga kjo aventurë politike e pashpresë. Një vrimë në ujë, do të thoshte ndokush. Për Topin e për partinë që kryeson, mbase. Në fund të fundit, koka bën, koka pëson. Por jo për fatet e vendit. Krijesa e tij, as njëvjeçare, s’ka dalë ende nga shpërgënjtë. A mund të përballet si e barabartë mes të barabartave me dy partitë e vjetra, të cilat e kanë pak a shumë të përvijuar gjeografinë elektorale? Aq sa mund të hahet thnegla me ariun.
E, megjithatë, ish-presidenti tha se FRD qenka sot subjekti politik më shpresëdhënës për shqiptarët. Ta hiqte fjalën “sot” e ta zëvendësonte me “nesër” a “pasnesër”, do ta kisha besuar paksa edhe unë. Ndoshta edhe ime shoqe që ka alergji nga politika, ngase unë i ndjek aq tepër zhvillimet politike, sa, shpesh herë, harroj detyrimet familjare. Do ta kishin besuar, mbase, edhe të tjerë si ne, për shkak të ca zhgënjimeve që nxitin zigzaget e tranzicionit.
Sipas zotit Topi, FRD ka ardhur në politikën shqiptare, kur partitë e vjetra e kanë konsumuar dhe, në disa çaste, e kanë deformuare misionin tyre edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Nga ky shkak, sipas tij, kredibiliteti i dy partive të mëdha ka rënë, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Mbase! Sërish, mbase! Antenat e tij, si ish kryetar shteti, mund të kenë marrë sinjale më të qarta sesa këto që marrim ne përmes antenave mediatike, vendase ose të huaja. Mirëpo ku ishte zoti Topi kur i vinin kësisoj sinjalesh? Mos vallë në stadium? Pse, pra, s’i bëri publike shqetësimet veta gjatë periudhës pesëvjeçare të presidencës? Ato nuk ranë nga qielli si shiu meteorit që ra papritmas mbi Uralet.
Edhe më të pabesueshme janë sulmet që ish presidenti, sot kryetar i FRD-së, ka ndërmarrë ndaj dy liderëve të partive të vjetra që, sipas tij, koha i ka zhvleftësuar. Nga foltorja, le ta quajmë “programore”, zoti Topi u rrek t’u shiste shqiptarëve mall kinse “firmato”, siç shesin tregtarët ambulantë nëpër plazhet e Mesdheut. Duke iu referuar reformës zgjedhore, kërkesë e faktorit ndërkombëtar, zoti Topi e quajti dështimin e saj pasojë të “bashkëpunimit” mes Berishës e Ramës. Ish-presidenti tha: “Është ky bashkëpunim midis këtyre dy individëve që e ka futur Shqipërinë në një kaos institucional, janë këta dy individë që në një marrëveshje të fshehtë mes tyre realizuan ndryshime kushtetuese, më 21 prill 2008, dhe sot gjendja e institucioneve, sistemi zgjedhor dhe pavarësia e institucioneve janë në një stad të cenuar.”
Nuk dua t’i mëshoj faktit që, nëse sulmi ndaj Berishës ka stampën e hakmarrjes, ndaj Ramës është blof. Blofin ia zbuluan kaherë kamerat televizive, në çastin që votën ia dha Ramës në zgjedhjet e kaluara për Bashkinë e Tiranës. Deklarata e fundit, për të zezën e zotit Topi, është përgënjeshtrim i vetvetes. Pyetjet janë të shumta. Le të sjell katër a pesë: Është e vërtetë apo jo që marrëveshja e prillit 2008 mes Berishës e Ramës u bë në dritën e diellit dhe me rrugë institucionale? Cila nga palët nguli këmbë dhe cila lëshoi pe? Ç’pasoja do të kishte vendi sikur të përplaseshin palët muri kundër murit? Nënshkrimin e kujt mban ligji për ndryshimet kushtetuese? A i konsumoi ish presidenti të gjitha mundësitë si garant i Kushtetutës që ndryshimet të mos përditësoheshin?
Unë them se zoti Topi ka detyrimin moral ndaj shtetasve, kryetar i të cilëve ishte pesë vjet rresht, t’u japë përgjigje pyetjeve të tilla dhe të tjerave si këto, përpara sesa t’u kërkojë votën.
Megjithatë, është fakt që FRD ka hyrë tashmë në garën elektorale. Është e pritshme, gjithashtu, që ajo të zhvatë një dorë votash jetike për të djathtën, në një kohë kur Rama ulërin që asnjë votë kundër Berishës të mos shkojë dëm. Vini re: kundër Berishës. Pra jo vetëm e majtë, por edhe e djathtë. A thua ia fut kodra mbas bregu Rama, apo ka parasysh votat për llogari të Topit, të Spahiut etj. Në këtë rast, aritmetika flet me gjuhën e fillestarëve. Ai grusht votash të vjedhura nga shuma e përgjithshme e votave të krahut që zoti Topi pretendon se përfaqëson, do t’i shërbejë së majtës, ndonëse ish-presidenti hiqet opozitar i Ramës.
Në të tilla kushte, ekuivoku i zotit Topi rrezikon të shkaktojë në Shqipëri efektin “Grillo”, të cilin politika italiane nuk diti ta shmangte me kohë. Për vendin tonë, një efekt i ngjashëm do të kishte kosto shumë më të lartë, sepse do të mbetej në mes të rrugës procesi i reformave të nisura nga koalicioni i sotëm qeverisës, do të shtyhej për në Kalendat Greke integrimi i Shqipërisë në BE, do të trembeshin e do të largoheshin investitorët e huaj, do të shtohej papunësia, do të riktheheshin shtetëzimet në vend të privatizimeve, do të riktheheshin metodat enveriste të kujdesit shëndetësor, do të na shihnin sytë policinë sekrete të kohës së diktaturës, ndërsa do t’ia fillonim sërish ndërtimit të socializmit me forcat tona.