Mosmarrëveshjet e vendeve të zhvilluara mbi rezervat e fundit natyrore të planetit
Rënia e Murit të Berlinit i dha fund Luftës së Ftohtë mes dy kampeve të ndara mëdysh nga perdja e hekurt për një kohë të gjatë. Kanë kaluar vite dhe përçarjet e thella politike pothuajse janë harruar. Lajmi se ka nisur një luftë tjetër e ftohtë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fillim është pritur me dyshim por pastaj të gjithë kanë qenë dakord se në të vërtetë një lloj lufte e ftohte e ditëve të sotme po rishfaqet në politikën ndërkombëtare. Frazat janë vërtet luftarake madje dikush ka deklaruar se Rusia po mpreh armët. “Nuk do të kursejmë asgjë për të dëshmuar se Rusia do të qëndrojë pasive mbi burimet artike. Ne jemi shumë, shumë seriozë për këtë” - ka deklaruar Kilingarov (një eksplorator) në një intervistë dhënë për agjensinë Reuters. Artur Kilingarov, është shpallur hero kombëtar në Rusi sepse në verën e vitit 2007 zbriti me një nëndetëse në 4 200 metra thellësi në Polin e Veriut duke vendosur madje edhe një flamur rus. Beteja po luhet edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sepse rusët, sipas tyre janë të sigurtë se nëntoka artike është e lidhur pa ndërprerje me kontinentin siberian dhe si rrjedhojë (gjithmonë sipas tyre) ajo është dhe duhet konsideruar nga të gjithë si tokë ruse. Nisur nga kjo logjikë rusët do të kërkonin një pjesë akoma dhe më të madhe nga ajo që do t’u takonte në të vërtetë. Po luhet vetëm për disa kilometra akuj? Përveç akullit, sipas të gjitha gjasave, aty ka pasuri të shumta gazi, nafte, diamantësh, floriri dhe hekuri. “Nuk duam asgjë që i përket dikujt tjetër por nëse dëshmojmë se është e jona, atëherë na përket ne” – ka shtuar Kilingarov. Natyrisht shumë prej shteteve të tjera të zonës nuk do të ishin dakord me pretendimet ruse. Të njëjtat pretendime do të kishin edhe vende të tjera si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Danimarka por edhe Norvegjia apo Kanadaja. Ndërkaq ka edhe shumë vende të tjera të cilat edhe pse nuk ndodhen afër Polit i konsiderojnë këto pasuri si pasuri të të gjithëve. Aktualisht sipas Konventës të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat detare, kontrolli ju është dhënë atyre vendeve që ndodhen afër zonës. Çdo vend administron 200 milje duke i quajtur si zona ekonomike të një rëndësie të veçantë. Problemet janë shfaqur edhe disa vite më pare, kur Rusia kishte dashur që nëpërmjet Organizatës të Kombeve të Bashkuara, të shtrinte dominimin e saj, por që nuk u pranua për mungesë provash. Asokohe ministri i Jashtëm kanadez ishte shprehur se “Nuk jemi më në shekullin XV, nuk mund të shkosh vërdallë nëpër botë duke vendosur flamurin dhe duke thënë: ky është territori ynë”. Flitet se në Artik “fshihen” ende 30% e gazit natyror dhe 15% e naftës që sipas të dhënave nuk janë zbuluar ende nga njeriu. Gjithsesi edhe nëse do të gjendeshin këto burime do të ishte shumë e vështirë që të menaxhoheshin sepse për të shkuar në Polin Artik ka vetëm një periudhë të caktuar që shkon nga qershori dhe deri në fillim të nëntorit. Gjithsesi Rusia e Vladimir Putinit ka filluar sulmin dhe në janar qeveria ruse ka aprovuar një program shtetëror për Artikun. Është programuar një strategji për shtatë vitet e ardhshme madje Putin në mënyrë të njëanshme ka vendosur që 70% e flamujve të anijeve të ndryshme të mbajnë flamurin rus. Putin nga ana tjetër deklaron shpesh se kufijtë e vendit të tij zgjaten deri në Artik dhe se atje është territor rus. Por presidenti i Rusisë, Vladimir Putin përveç fjalëve ka filluar që të nxisë infrastrukturën dhe transportin por duke ngritur edhe baza biologjike. Jo më larg se dy vjet më parë janë ngritur dhe stacione ushtarake, një brigadë flotash nëndetësesh bërthamore në Murmask, dhe një bazë bombarduesish. Nga ana tjetër, agjensia federale për energjinë atomike ka vënë në funksion një patrullë që ka në dizpozicion nëntë akullthyesa bërthamorë që shërbejnë për të hapur rrugën për anijet tregtare në Rrugën e Veriut. Nëse Rusia do të arrinte të merrte territoret e pretenduara prej saj, kjo do të thotë se rreth 60% të pasurive do të ishin nën menaxhimin e Putin - it.