E Diel, 1 Nëntor 2026

Djegia e fletëve të votimit pas dekretimit të zgjedhjeve lokale

06/08/2010 Afati i Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore skadon në 8 shtator

KQZ mbledhje për të marrë vendim për asgjësimin e fletëve. Procedura duhet të ishte kryer një vit më parë

Pavarësisht debateve politike për kutitë e zgjedhjeve, afateve të përfolura për djegien e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shtyjë tej muajit shtator asgjësimin e fletëve të votimit që u përdorën në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke qenë se java e parë e shtatorit shënon skadimin e afatit për kryetarin e shtetit për sa i takon detyrimit të tij ligjor për të dekretuar datën për zgjedhjen e organeve drejtuese të pushtetit lokal, pas kësaj date KQZ-ja do të nisë punën për administrimin e procesit zgjedhor. Pikërisht ky proces, sipas burimeve nga KQZ-ja, përfshin edhe procedurën e djegies së fletëve të votimit. Menjëherë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës i datës së zgjedhjeve KQZ-ja do të zhvillojë mbledhjen e saj dhe do të vendosë për kutitë. Në këtë mënyrë politikës shqiptare dhe veçanërisht dy liderëve kryesorë të saj duhet të arrijnë sa më parë një marrëveshje mes tyre për transparencën e zgjedhjeve, me qëllim shmangien e një debati të ri politik.

Djegia e kutive

Duan ose jo dy partitë e mëdha politike, PD-ja dhe PS-ja, kutitë e votimit do të digjen në muajin shtator menjëherë pas dekretimit nga Presidenti Topi të datës së zgjedhjeve. Asgjësimi i fletëve të votimit me qëllim përdorimin e kutive të votimit për zgjedhjet e ardhshme paraqitet si një domosdoshmëri dhe si pjesë e procesit përgatitor nga administrata e KQZ-së për procesin e radhës. Në fakt, ky është një detyrim që duhej të ishte realizuar me kohë nga KQZ-ja, që deri tani ka qenë në mosrespektim të ligjit, e detyruar nga debatet politike mes dy partive kryesore në vend. Vetë kreu i KQZ-së Arben Ristani gjatë prononcimeve për mediet ka përsëritur se KQZ-ja është në shkelje të ligjit për këtë çështje, por duke mos dashur “ti hedhim benzinë zjarrit”, e kanë lënë në heshtje këtë detyrim ligjor. Ndërkohë Kodi Zgjedhor në nenin 178 të tij, pika 6, përcakton se “me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe

procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij. Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së”. Disa muaj më parë përveç debateve për transparencën ose jo të zgjedhjeve PD-ja dhe PS-ja u përfshinë edhe në debatin për djegien e fletëve të votimit, ku këto të fundit përbënin një element të rëndësishëm për realizimin e kësaj transparence.

Dekretimi i zgjedhjeve

Jo më vonë se 9 muaj para përfundimit të mandatit të të zgjedhurve aktualë zgjedhorë është afati që ligji i zgjedhjeve i njeh kreut të shtetit për dekretimin e datës së zgjedhjeve vendore. Po ky ligj përcakton se përfundim i mandatit të krerëve aktualë vendorë është pikërisht e njëjta datë e vitit të katërt pas datës së shpalljes zyrtare të rezultatit në rang kombëtar. Në këtë mënyrë, meqenëse rezultati u shpall me vendim të KQZ-së më 8 qershor të vitit 2007, po kjo datë e vitit 2011 shënon përfundimin e mandatit të të zgjedhurve vendorë. Zgjedhjet për qeverisjen vendore zhvillohen në njërën nga dy të dielat e fundit të periudhës zgjedhore 15 mars-30 qershor dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të të zgjedhurve vendorë. Sipas këtij përcaktimi ligjor, kreu i shtetit ka kohë deri më 8 shtator për të dekretuar datën e zgjedhjeve e cila mendohet të jetë e diela e parë ose e 8 majit 2011.

Reagon ish kreu i KQZ-së, Kume

“Fletët mund të asgjësohen edhe një muaj para zgjedhjeve”

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Kristaq Kume përmes një prononcimi për mediet i ka bërë apel KQZ-së të mos bëhet pjesë e lojës politike duke djegur fletët e votimit. Sipas tij, djegia e fletëve të votimit është problemi i fundit që ky institucion mund të ketë gjatë përgatitjes për garën elektorale të 2011-s. Kume mendon se kjo procedurë mund të realizohet edhe një muaj para datës së zgjedhjeve. “Edhe pas dekretimit të zgjedhjeve KQZ-ja të mos bëhet target i politikës, le të presë që klasa politike ta zgjidhë problemin. Pra, të veprohet me materialet zgjedhore dhe me kutitë e zgjedhjeve vetëm si produkt i konsesusit dhe jo zbatim formal i këtij ligji. Është e fundit pengesë boshatisja e kutive”, - tha Kume. Duke komentuar zhvillimet e deritanishme politike, ish-kreu i KQZ-së mendon se politika e ka marrë me nge këtë proces, duke rrezikuar të përsërisë gabimet e zgjedhjeve të 2007-s, kur ish-presidentit Alfred Moisiu iu desh të ridekretonte datën e zgjedhjeve për shkak të shkeljeve të afateve nga partitë. “Kjo vështirëson akoma më tej punën që duhet bërë, i ngushton akoma më tej mundësitë për rezultate të mira paraprake. Duhet të reflektohet nga politikëbërësit dhe klasa politike, nga institucionet përgjegjëse, të cilat kanë detyrimin për të përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e ardhshme, për të mos realizuar punët në ekstremet ligjore të lejuara", - thotë Kume.

Kodi Zgjedhor (neni 10)

1. Data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore Presidenti zbatn rregullat e parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 9 të këtij kodi.

2. Për efekt të këtij kodi, mandati i organeve të qeverisjes vendore mbaron në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Neni 9

1. ... Zgjedhjet për Kuvendin zhvillohen në një nga dy të dielat e fundit, brenda periudhës zgjedhore të përcaktuar në nenin 8 të këtij kodi dhe në çdo rast jo më vonë se 30 ditë para datës së mbarimit të mandatit të Kuvendit.

2. Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›