E Diel, 1 Nëntor 2026

Djukiç, heroi kuqezi në edicionin e parë të këtij trofeu

Flamurtari shpallet fitues i edicionit të parë të Kupës Mbarëkombëtare 2008-2009, një aktivitet i ideuar për t‘u zhvilluar ndërmjet fitueses së Kupës së Shqipërisë dhe fitueses së Kupës në Kosovë. Vlonjatët e teknikut Gugash Magani triumfuan me rezultatin 2:1 përballë Hysit të drejtuar nga trajneri Luan Prekazi. Për t‘u theksuar është fakti që ndeshja u luajt në kushte shumë të vështira atmosferike dhe loja nuk është ngritur në nivelet e pretenduara. Vapa e madhe dhe orari kur ishte përcaktuar fillimi i finales (15:00) bënë që futbollistët e të dyja skuadrave të kishin mjaft vështirësi në fushën e Vlorës. Kjo ishte edhe një prej arsyeve për tribunat e boshatisura të stadiumit dhe interesimit të pakët të tifozerisë bregdetare. Djukiç ishte heroi i vlonjatëve me dy gola të realizuar, në minutat 5‘ dhe 60‘, ndërsa për Hysin shënoi Gashi në të 75-ën. Në përfundim të takimit, trofeu u dorëzua nga presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit (FFK), Fadil Vokrri. Edhe pse në vitet e fundit ka qenë shpesh i pranishëm në aktivitetet që zhvillohen në Shqipëri, për Vokrrin ky ishte një rikthim në këtë impiant pas 22 vitesh. Hera e fundit ka qenë më 1987, kur militonte në radhët e Partizanit të Beogradit, kundërshtares së Flamurtarit në Kupën UEFA.

e. kodheli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›