E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimi i Sopotit, tifozët e Librazhdit protesta me arkivol

Nën "simfoninë" e bilbilave dhe të një arkivoli, si simbol i padrejtësisë, qindra të rinj tifozë të Sopotit, të shoqëruar edhe nga një pjesë e banorëve të qytetit, kanë protestuar dje në rrugët dhe sheshin kryesor të Librazhdit. Arsyeja është revolta dhe indinjata prej atyre që mbështetësit e klubit të Kategorisë së Parë i kanë cilësuar "penalizime ekstreme dhe të njëanshme", që Federata Shqiptare e Futbollit ka dhënë ndaj ekipit të tyre të zemrës. Pas dhunës në takimin Sopoti-Elbasani, ku gjyqtari Rama është dhunuar barbarisht, ndërsa nuk ka munguar edhe hedhja e sendeve të forta në fushë, Komisioni i Disiplinës i dha verdhebluve tri pikët në tavolinë, ndërsa pezulloi për dy javë fushën e Librazhdit dhe i hoqi tri pikë Sopotit në klasifikimin e përgjithshëm. Për më tepër, kapiteni Hajdari u pezullua për tri vjet nga të gjitha aktivitetet futbollistike. Protestuesit, të cilët e kanë nisur marshimin nga rruga pranë fushës së futbollit, nën korin e bilbilave dhe borive, mbanin në duar edhe parulla të shumta. Nëpër banderola nuk mungonin akuzat për gjyqtarin, por edhe për Disiplinorin. "Ardian Rama i korruptuar", "Duam Drejtësi", "Arbitër, haram lekët që more nga Elbasani" e "Komisioni i Disiplinës i shitur" ishin disa prej akuzave të hedhura. Për të parën herë në historinë e kontestimeve nga tifozët shqiptarë, në Librazhd protestuesit kishin zgjedhur të përdornin arkivol të madh. I mbajtur në shpatulla nga dhjetëra veta dhe i mbuluar me një copë të zezë ku shkruhej "Padrejtësi", ai ka marshuar drejt qendrës së qytetit. Sipas organizatorëve, tifozët dhe qytetarët kanë shprehur revoltën ndaj vendimeve të FSHF-së, për masat e ashpra ndaj ekipit të Librazhdit. Me thirrjet "Sopoti", "Sopoti", protestuesit kanë tentuar të bllokojnë qarkullimin në rrugën kombëtare që lidh qytetin e Librazhdit me atë të Elbasanit, por ata nuk janë lejuar nga ndërhyrja e policisë. Në fund, me një akt simbolik, arkivoli është hedhur në rrjedhën e lumit Shkumbin. Në fund të mbylljes së kësaj proteste, pjesëmarrësit janë shpërndarë paqësisht, duke theksuar se nëse federata nuk do të rishikojë vendimet kundër Sopotit, në të ardhmen format e protestave do të radikalizohen. Ndërkohë, edhe kreu i Bashkisë së Librazhdit, Kastriot Begaj, e mbështeti protestën, duke e quajtur mënyrën sesi u transmetua lajmi si "të papërgjegjshme dhe trillime të turpshme".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›