“Do e keni punën keq”/ Britania e Madhe, Gjermania dhe Spanja i përgjigjen kërcënimit të Trump: S’ka qenë kurrë një mision i NATO-s

Rihapja e Ngushticës së Hormuzit, një pikë strategjike për tregtinë globale të naftës dhe hidrokarbureve të tjera, nuk mund të konsiderohet një “mision i NATO-s”.
Këtë e deklaroi kryeministri britanik, Keir Starmer, në një konferencë për media këtë mëngjes.
“Më lejoni të jem i qartë, ky nuk do të jetë, dhe nuk ka qenë kurrë një mision i NATO-s”, është shprehur Starmer.
Edhe ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, e përjashtoi mundësinë që Gjermania të marrë pjesë në një mision për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.
Në një intervistë për emisionin televiziv “Bericht aus Berlin”, ai theksoi se për momentin, Gjermania nuk do të përfshihet në këtë konflikt ushtarak.
Sipas Wadephul-it, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e kanë informuar se objektivi i sulmeve të tyre është dobësimi i kapaciteteve ushtarake të Iranit, sidomos i programit bërthamor dhe atij të raketave.
“Berlini pret të informohet kur këto objektiva të jenë arritur dhe më pas është i gatshëm të marrë pjesë në negociata diplomatike”, ishte komenti i tij. Shefi i diplomacisë gjermane u shpreh i bindur se sigurinë në Ngushticën e Hormuzit dhe në Detin e Kuq mund të sjellë vetëm një zgjidhje përmes negociatave.
As Spanja nuk do të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak në Ngushticën e Hormuzit, pasi e konsideron luftën SHBA-Izrael kundër Iranit si të paligjshme, deklaruan të hënën ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të Madridit.
Qeveria e Pedro Sánchez ka kritikuar ofensivën dhe ka ndaluar avionët amerikanë që të përdorin bazat e përbashkëta ushtarake në jug të Spanjës.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, hodhi poshtë kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për mbështetje ushtarake për sigurimin e kësaj rruge detare, të cilën Teherani e ka bllokuar de facto për trafikun e cisternave të naftës.
“Spanja nuk do të pranojë kurrë masa të përkohshme, sepse objektivi duhet të jetë përfundimi i luftës, dhe që ajo të përfundojë tani,” tha Robles.
Situata në ngushticë është një shqetësim i madh për europianët, por qëndrimi i Bashkimit Europian duhet të jetë që lufta të përfundojë, pavarësisht konsideratave ekonomike, tha ministri i Jashtëm José Manuel Albares.
“Nuk duhet të bëjmë asgjë që do të shtonte edhe më shumë tensionin apo do ta përshkallëzonte më tej situatën,” u tha ai gazetarëve në Bruksel.
Donald Trump kritikoi më herët aleatët për refuzimin e përfshirjes së tyre me anije ushtarake në Hormuz, duke e quajtur këtë një veprim “shumë negativ për NATO-n”.
“Është plotësisht e arsyeshme që njerëzit të cilët përfitojnë nga Ngushtica të ndihmojnë për të siguruar që asgjë e keqe të mos ndodhë atje”, u shpreh Trump.
Trump kërkoi edhe ndërhyrjen e Pekinit, e madje paralajmëroi se nëse Kina nuk ndërmerr asnjë hap, ai mund ta shtyjë një samit të planifikuar me Presidentin kinez Xi Jinping.
“Mendoj se edhe Kina duhet të ndihmojë, sepse Kina e siguron nëpërmjet kësaj ngushtice 90% të naftës së saj. Përpara takimit tonë të planifikuar, do të doja shumë të dija qëndrimin e Pekinit. Sepse edhe mund ta shtyjmë udhëtimin”, theksoi presidenti i SHBA.