E Diel, 1 Nëntor 2026

Do rishihen emërimet e minutës së fundit në diplomaci

bushati180Një paralajmërim serioz për emërimet në sistemin diplomatik dhe ngritjen në karrierë dhe marrjen e gradave në minutën e fundit: Përfituesit të mos pranojnë zemërgjerësinë e qeverisjes në ikje! Do të rishihen të gjitha, thotë Ditmir Bushati. Ministri i ardhshëm i Jashtëm bën një vështrim të shpejtë të sëmundjeve tipike të sistemit të diplomacisë, nepotizmi, politizimi e paaftësia dhe flet për vullnetin e qeverisë së re të majtë për të bërë të pamundurën për integrimin e vendit në BE, jo si një proces burokratik, por si diçka që do të prekë jetën e gjithë shqiptarëve

Nga Lorenc Vangjeli*

Të gjitha emërimet dhe ndryshimet e bëra me ngjitje në karrierë në Ministrinë e Jashtme në ditët e fundit të kësaj qeverie të ikur do të rishihen. Do të riparohen të gjitha paligjshmëritë. Ditmir Bushati, ministri i ri i jashtëm që do të marrë votëbesimin në shtator në qeverinë Rama paralajmëron ashpër. Ai rikujton precedentin që ka vendosur Besnik Mustafaj tetë vjet më parë kur e djathta u rikthye në pushtet dhe ministri i atëhershëm në ikje, Kastriot Islami, kishte bërë një tufë me emërime, të cilat u rikthyen të gjitha. Çdo firmë e Islamit e hedhur në gjashtë muajt e fundit u ripa dhe u bë nul. Mustafaj e kishte paralajmëruar një gjë të tillë që gjatë fushatës së atëhershme elektorale dhe e mbajti fjalën. Për ironi të fatit, meqë të ndryshmit ngjajnë, të njëjtin fat duket se do të kenë dhe firmat e bollshme të hedhura ditët e fundit nga ministri ende në detyrë, Aldo Bumçi. Paralajmërimi i Bushatit i drejtohet edhe gjithë përfituesve nga zemërgjerësia e qeverisë në ikje, siç e quan ai, që të mos i pranojnë vetë këto emërime. Sepse në fund të fundit, nuk do të kenë asnjë vlerë. Do të rishihen dhe do të riparohen, këmbëngul deputeti socialist, që në mandatin e tij të dytë si të tillë, e sheh veten në krye të institucionit të diplomacisë shqiptare.

Një bisedë e bërë në dy kohë me Ditmir Bushatin nuk ndryshon shumë në thelb; e mërkura, dita që u mësua publikisht përbërja e kabinetit qeveritar Rama në të cilin ai do të emërohet ministër i jashtëm, e ndau bisedën në dy pjesë. Të martën dhe të enjten temat e bisedës ishin në thelb të ngjashme, por të ndryshme në formë. Të martën foli si deputet i zgjedhur rishtas i maxhorancës, të enjten si ministri i jashtëm i ardhshëm.

Një nga deputetët më aktivë në legjislaturën e kaluar në çështjet e diplomacisë dhe të integrimit, Bushati është mjaft i familjarizuar me politikën e jashtme, por tashmë nuk e fsheh: përgjegjësia është shumëfish më e madhe në krahasim me kritikën e djeshme; puna konkrete dhe përgjegjësitë direkte janë shumë më të komplikuara. Tani duhet bërë ndryshe. Duke nisur me riparimin e asaj çfarë është bërë keq dhe duke vazhduar me atë që duhet bërë më mirë.

Diplomacia shqiptare, çka qenë, çështë dhe çdo të bëhet! Këto janë tre piketat kryesore të bisedës. Jo një intervistë klasike me pyetje-përgjigje, por një parathënie e asaj që mendohet se do të ndodhë nesër.

Duke nisur me trashëgiminë. Frika e madhe e maxhorancës së nesërme nis pikërisht këtu. Tek ekonomia në krizë dhe tek bindja se shifrat dhe të dhënat për të janë më së shumti të manipuluara dhe nuk dëshmojnë realitetin e vërtetë. Berisha do të lerë pas një tokë të djegur, është shprehja që dëgjohet më së shumti të përmendet në selinë rozë. Dhe nëse një shprehje e tillë dëgjohet për ekonominë, në një terren tjetër si diplomacia, aty ku zakonisht hapat hidhen qetësisht mbi tapet, ku kundërshtitë bëhen me zë të ulët, me elegancë dhe kostume të kopsitur, sërish ky lloj ankthi ka një tjetër elegancë. Edhe në këto ditë të fundit të kësaj qeverisjeje të cilës po i vjen fundi nga pikëpamja e afateve kushtetuese, siç ju dha fund në 23 qershor nga shuplaka popullore, mënyra e menaxhimit të shërbimit diplomatik nga qeveria i ngjan sjelljes së ushtrive pushtuese. Ato, mbasi humbin luftën, në ikje e sipër, përpiqen të hedhin urat në erë, thotë Ditmir Bushati. Sipas tij, kjo batërdi dhe hedhje në erë, ka të bëjë edhe me listën e gjatë të emërimeve dhe dhënies pa kriter të gradave diplomatike dhe ngjitjen në karrierë. Do të rishihen të gjitha firmat e minutës së fundit!, insiston Bushati dhe kujton precedentin Mustafaj të tetë vjetëve më parë. Shtyhet dhe më tej kur kujton vitin e mbrapshtë 97, kur një numër i jashtëzakonshëm shqiptarësh, militantë të PD-së së dikurshme në shkërmoqje e sipër, u pajisën me pasaporta diplomatike dhe shërbimi dhe tmerruan kancelaritë ndërkombëtare kur prezantoheshin si diplomatë të një shteti që po i shpëtonte për fije një përplasjeje të dhunshme civile. Kishin lënë kallashnikovët në Tiranë dhe në aeroporte, kryesisht në Vjenë, prezantoheshin me shapka dhe pantallona të shkurtra. Edhe atëherë ato dokumente u bënë të pavlefshme, por tallja e huaj me seriozitetin e shtetit shqiptar, vazhdoi shumë më gjatë. Kurse dëmi real i shkaktuar atëherë, vështirë se mund të matet.

Paralelja me vitin 97, është e largët dhe Bushati nuk insiston shumë në të, por duke pranuar proceset e vazhdueshme të reformimit të sistemit të diplomacisë, në përputhje me ngjarjet dhe sfidat e kohës, ai përmend disa nga simptomat e sëmundjeve të sistemit. Diplomacia ka qenë në disa raste dhe jo raste të pakët, shëmbëlltyrë e keqqeverisjes nepotike, e politizuar dhe shpesh e paaftë për tu bërë zëdhënëse e interesave të kombit dhe për të pasqyruar interesin kombëtar, thotë Bushati. Që le të nënkuptohet se një nga premtimet e qeverisjes socialiste është pikërisht kthimi kokëpërmbys i epiteteve të tilla. Pra, jo më nepotizëm, politizim dhe paaftësi në sistemin e diplomacisë shqiptare. Ai e konsideron programin e qeverisë së re shqiptare në këtë fushë si ambicioz dhe me një vizion të qartë për një Shqipëri evropiane, të shoqëruara dhe me instrumentet e nevojshëm për realizimin e tij.

Dhe një hap i parë dhe mjaft i rëndësishëm, sipas Bushatit është bërë me kohë. Që para dhe gjatë fushatës elektorale. Por edhe mbas shpalljes së fitores në zgjedhje të maxhorancës së re. Bushati përmend takime të kryeministrit të ardhshëm Rama në Romë, Londër, Stamboll e Kopenhagen, të cilat shpejt do të pasohen edhe nga takime të tjera në qendra të rëndësishme vendimmarrëse euroatlantike, takime në të cilat ishte synuar dhe synohet vendosja e kontakteve më të ngushta të ekipit të ri qeverisës me këto qendra duke bërë të mundur që qeveria e re të nisë punën e saj me ritmin që kërkojnë sfidat e vendit.

Ka një vetëdije të përbashkët për të finalizuar procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat në BE dhe për përg

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›