E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ta afirmojmë Kosovën

Vëllezërit Taulant dhe Granit Xhaka premtuan se do ta japin kontributin e tyre në sensibilizimin e opinionit botëror për rëndësinë dhe cilësitë që i posedon Kosova në sport. Futbollistët e Baselit i ka përgëzuar për sukseset e tyre ministri i Sportit, Memli Krasniqi, i cili kërkoi nga ta që ta ushtrojnë ndikimin e tyre për afirmimin e talenteve nga Kosova.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, të hënën i ka pritur në një takim futbollistët e talentuar kosovar, Taulant dhe Granit Xhaka, si dhe familjarë të tyre.

Duke i përgëzuar për suksesin e arritur deri tash, ministri theksoi se paraqitjet e Taulantit, Granitit dhe futbollistëve tjerë kosovarë që luajnë për Zvicrën dhe klubet zvicerane, kanë bërë që i gjithë populli i Kosovës të ndjehet krenarë.

“Këta futbollistë kanë e dëshmuar para botës dhe Zvicrës imazhin e vërtetë të popullit të Kosovës, si dhe talentin dhe cilësitë që kanë të rinjtë kosovarë në futboll. Taulanti, Graniti dhe futbollistët tjerë të rinj janë shumë të suksesshëm në skuadrat ndërkombëtare”, u shpreh Krasniqi, duke shtuar se ata janë një inspirim për të gjithë të rinjtë tjerë në Kosovë për të punuar shumë dhe për të arritur suksese të larta.

Nga ana e tij, Granit Xhaka, duke falënderuar ministrin për mikpritjen, theksoi se do të angazhohet që t’i afirmojë talentët nga Kosova. “Do të mundohem ta jap kontributin tim në sensibilizimin e opinionit botëror për rëndësinë dhe cilësitë që ka Kosova në sport”, theksoi talenti kosovar.

Granit Xhaka aktualisht luan për ekipin e Baselit, që është i pari në listë në ligën superiore të futbollit zviceran.

Në fund, Krasniqi ka kërkuar nga vëllezërit Xhaka dhe futbollistët tjerë që ta ushtrojnë ndikimin e tyre për afirmimin e talenteve nga Kosova në futboll, por edhe në sportet tjera.

Gjatë bisedës, ministri ka informuar mysafirët me disa nga të arriturat në fushën e sportit, si dhe projektet që pritet të realizohen në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›