Magjia e Behramit

Valon Behrami është ringjallur në vitin 2011. Pas dy sezonesh të turbullta, mes lëndimesh dhe paraqitjesh jo stabile në Angli me West Hamin, mesfushori kosovar vendosi të rikthehej këtë fillim viti në kampionatin ku është ndier gjithmonë rehat, atë italian. Futbollisti me prejardhje nga Drenica kishte zbarkuar në Firenze më 26 janar, pasi i besoi projektit Viola.
Bisedimet ndërmjet ekipit italian dhe atij anglez zgjatën shumë. Trajneri i ‘Hammers’, nuk dëshironte ta linte që të largohej, por edhe disa njerëz në kryesi nuk ishin dakord. Mirëpo, dëshira e tij ishte vendimtare dhe disa ditë para përfundimit të afatit kalimtar të janarit, arriti zyrtarizimi: Behrami bëhet Viola.
Zbarkoi në Firenze dhe menjëherë u gjend në një situatë të vështirë, në skuadrën e Sinisa Mihajlovicit, i cili më pas e përfundoi eksperiencën në Fiorentinë, me të cilin e mbylli sezonin e shkuar në mes të tabelës. Deshi fati që debutimi i ish futbollistit të Veronës të ndodhte pikërisht kundër së kaluarës së tij, ndaj Lazios.
Ai bëri angazhim të madh dhe përfundoi ndër më të mirët në fushë, përkundër humbjes që e pësoi ekipi i tij i ri. Një ndeshje ku ai tregoi se ka eksperiencë dhe se është ‘i gjallë’. Sa më mirë që luante Behrami, aq më shumë përmirësohej Fiorentina, që në atë kohë ishte e ‘plagosur’.
Pas vetëm pak muajsh, ai u bë njëri prej më të mirëve të skuadrës, njëri prej më të dashurve nga tifozët, më i angazhuari në lojë dhe më së paku i zëvendësuari. Ai nuk shënon kurrë, ndoshta kjo është e vetmja pikë e dobët e tij. Mirëpo, ai është bërë pjesë e rëndësishme e taborit Viola.
Është sigurisht blerja më e mirë e viteve të fundit nga Fiorentina, sa që vlera e tij është rritur shumë, por tifozët, por edhe të tjerët që sillen rreth klubit, shpresojnë që ai të bëhet kapiteni i ri i klubit nga Firenze. Sigurisht, ai është shumë afër kësaj.
FirenzeViola.it