E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do ta bëjë përsëri vallë?!

metajNga Ilir Metaj

Ditët duken sikur rrokullisen pa lënë asnjë gjurmë… Njerëzia as i vënë re si ikën stinët. As vjeshtën, as dimrin, as pranverën Por nuk është njësoj për verën. Kjo stinë u jep kuptimin jetëve të tyre. Kjo stinë sjell gjithçka. Në këtë stinë frymët e tyre sikur ndalen pezull në ajër.

Do ta bëjë përsëri vallë – pëshpërit gjithësia. Po vjen momenti. Njerëzit fillojnë lëvizin nëpër rrugë, loto-bastet gumëzhijnë më shumë se kur luhet Botërori. Të gjithë i ka mbërthyer kureshtja, por ende asgjë.

Njerëzit përpiqen me vetëmohim të zhyten në rutinën e ditës, të mos e japin veten. Në pamje të parë duket se ia dalin mbanë. Duket sikur askush nuk e ka më mendjen atje: as fëmijët që po lahen në det, as prindërit që shëllohen në diell as keqbërësit që po vrapojnë të shpëtojnë, as policët që po rendin ti kapin as ata që janë duke ngrënë, as ata që kanë gatuar për ta as ata që po flenë, as ata që po dëgjojnë hardrock as ata që po bëjnë dashuri, as ata që mjaftohen me revista erotike…

Në pamje të parë duket se askush nuk e ka më mendjen atje. Në pamje të parë duket sikur jeta po përpiqet të gjejë rrugën e saj të paqëllimtë. Sikur askush nuk e ka mendjen askund.

Po vetëm në pamje të parë, ama.

Sepse askush nuk e ruan dot qetësinë gjatë. Kurioziteti po kthehet në ankth. Njerëzit fillojnë të tradhtojnë veten, halucinacionet arrijnë temperaturën më të lartë: fëmijëve në det cironka po u duket si peshkaqen, prindërve dielli po u duket hënë keqbërësit kujtojnë se po ndiqen nga alienët, policët betohen për Arsen Lupenin gjumashët po flenë me sy hapur, hardrock-fans shikojnë ëndrra me Britney Spears ata që bëjnë dashuri nuk arrijnë dot orgazmën, të tjerë që shikojnë revista erotike preken e u mbushen sytë me lot

Shkurt, gjithësia po shfillohet. Ankthi i ndrojtur po mbulon gjithçka. Koha ndalet!

Sy që shohin njeri-tjetrin, sy që pyesin veç një gjë: A do ta bëjë edhe këtë verë? A do ta thyejë?

Po pyesni edhe ju? E shihni pra!

Vërtet, a do tentojë edhe këtë verë Ai ta thyeje rekordin? Cilin rekord?! Jo, jo atë të Murit Kinez, as atë të malit Dajt. Joooooo!

Fjala është për atë të sportit akoma më ekstrem: qëndrimin me këmbë në rërë brenda në det! Mos më thoni jo, ishte tamam si tani moti, kur ai thyente rekordet me ritmin e Sergey Bubka.

Valle a do arrijë ta thyejë? Të thyejë çfarë? Atë pra rekordin.

Të gjithë presin! Koha është ndalur! Çdo gjë tjetër ngelet në hije

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›