E Diel, 1 Nëntor 2026

I përzëni me votë, që kërkon të mbjellë zhgënjim

Albania's PM Berisha meets EU foreign policy chief Solana in BrusselsNga Altin Ketro

Partia Demokratike po ngutet në akuzat e saj ndaj qeverisë së ardhshme të kryeministrit Rama në lidhje me atë që ajo e quan, premtime të pambajtura prej tij të bëra gjatë fushatës elektorale. Kur duhen edhe rreth 55 ditë që të konstituohet parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, pas të cilës merr formë qeveria dhe programi i saj 4- vjeçar, PD-ja po sillet sikur Rama ka hipur në karrigen e kryeministrit dhe po qeveris vendin përkundër atyre çka u zotua gjatë fushatës.

Gjithkush e di se dy formacionet kryesore të koalicionit, PS- LSI, kanë ngritur grupin e punës për të bashkërenduar pikat kyçe mbi të cilat do bazohet programi qeverisën në planin afatshkurtër të njëqind dhe treqind ditëve, si dhe në planin më të gjerë, atë të katër viteve të mandatit.

Duke qenë se Partia Demokratike është në fazën e zgjedhjeve brenda radhëve të saj, shihet se ka një strategji për të tërhequr vëmendjen e publikut nga ajo që po ndodh aty nga lufta e klaneve dhe bërrylave për të ngritur njërin e ulur tjetrin, dhe për ta kanalizuar vëmendjen e publikut në ato premtime që demek mazhoranca e re nuk po i mban.

Nuk mund të vihet në dyshim që regjisori i gjithë kësaj skeme është Sali Berisha, pasi ka një sinkron midis deklaratave që ai i përcjell nëpërmjet zëdhënëses së tij dhe atyre që lëshojnë në media eksponentë të PD-së, përfshi edhe dy kandidatët për kryetar të partisë.

Sa më shumë afron 22 korriku, aq më të shpeshta do të bëhen deklaratat e tyre dhe aq më shumë frymë diversioni do të kenë, për të arritur qëllimin që ata shpresojnë se, do mbjellin në popull një ndjenjë zhgënjimi për votën që ia dhanë të majtës.

Është komplet qesharake kjo situatë që vjen për shkak të dëshpërimit që shoqëron selinë dhe lidershipin blu pas humbjes katastrofike që pësuan. Ky lidership, që ndonëse ka dhënë dorëheqjen, vijon të menaxhojë, përpos të tjerave, edhe deklaratat ndaj kryeministrit të zgjedhur Rama, ka një të metë të pandreqshme që i mat të tjerët me kutin e vet. Bie fjala, premtimin e tij më madhor që e risolli në pushtet në vitin 2005, luftën me Duar të Pastra kundër korrupsionit, jo vetëm që nuk e realizoi, por e ngriti në sistem gjatë tetë viteve të qeverisjes. Jo vetëm kaq, por sistemi i tij korruptiv u shtri deri tek drejtuesi i ekzekutivit dhe si një reaksion zinxhir mbërtheu gjithë institucionet, të varura e të pavarura, ku secili luftonte të kapte thelën e vet.

Nuk vihet në dyshin që Rama do ti realizojë ato zotime që mori përpara shqiptarëve përgjatë ditëve të fushatës. Ato nuk ishin zotime që bëheshin aty për aty, por ishin pjesë e një programi të studiuar e hartuar me ekspertë të fushës për gati dy vjet dhe që u formësua në atë që u quajt Programi i Rilindjes. Natyrisht, në kuadër të bashkëqeverisjes, i duhet të marrë edhe konsensusin e partnerit në koalicion pasi vota e shqiptarëve nuk qe e mjaftueshme për ti dhënë PS-së një mazhorancë me 71 mandate.

Sigurisht, çdo njeri racional ishte i ndërgjegjshëm që shumë zotime të Ramës nuk mund të realizohen qysh në 6 muajt e parë të qeverisjes. Në ndryshim nga Berisha i 2005-s, Rama po merr në dorëzim një shtet të kalbur e tërësisht të korruptuar. Berisha po zbaton një skenar që deri në fillim të shtatorit të sabotojë shumë sektorë të ekonomisë dhe financave si dhe të shesë çtë mundet nga ajo pasuri që u ka mbetur shqiptarëve.

Ndërkohë që ndërmerr hapa negativë që e çojnë më shumë në greminë ekonominë shqiptare, Berisha po i kërkon llogari Ramës se pse nuk po mban premtimet!!! Është djallëzi e pashoqe dhe cinizëm i neveritshëm i një njeriu që pasi ka qeverisur në mënyrë tribale këtë vend, mundohet të kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës të ndonjë frazë deklarate nga dy bashkëkryetarët e grupit të punës, për tia servirur më pas ato publikut si dështim i një pune e cila ende nuk ka nisur.

Ndonëse Berisha vijon ende të qeverisë këtë vend, bile merr edhe vendime të kundraligjshme, ai duhet të bëjë durim deri në shtator ku do të njihet ashtu si dhe të gjithë ne, me programin e ri qeverisës. Dhe, hap pas hapi, përgjatë 4 viteve, bashkë me mëkëmbësin e tij në parti, ti bëjnë opozitë konstruktive çdo premtimi të dhënë e çdo zotimi të pambajtur nga qeveria Rama. Veçse, kam frikë se do zhgënjehet thellë, aq thellë sa e zhgënjeu edhe vota e shqiptarëve. Fundja, ia mori dorën zhgënjimeve…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›