Vorbulla e politikës!
Nga Skerdilajd Sulozeqi
Pas vitit 1990 dhe deri në ditët e sotme jeta e qytetarëve shqiptarë thuajse është njësuar me jetën politike. E them këtë pasi shikojmë shumë njerëz që jetojnë së bashku me politikën, gjatë shumë bisedimeve apo dialogjeve ska gjë tjetër veçse ndodhive politike. Jo rrallë herë më ndodhë të mendoj: Po si ka mundësi që në një vend kaq të varfër dhe me kaq shumë probleme të diskutohet dhe të mendohet vetëm për politikë?! Dhe, aq më tepër në këtë vendin tonë ku politika shikohet më tepër nga njerëz të fushave të ndryshme si një katapultim për tu bërë i njohur dhe me kryesorja tu pasuruar brenda një kohe tepër të shkurtër, por ndodh që kanë hyrë dhe do të hyjnë dhe personazhe me precedentë penal dhe nga bota e biznesit, dhe anashkalohen me dashje intelektualët. Kjo gjë më bën të mendoj se përse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë janë të politizuar, duke përfshirë këtu një pjesë të mirë të administratës publike, mediat e shkruara dhe elektronike, punëtorët e thjeshtë, të papunët, policinë, sistemin e drejtësisë, botën e biznesit, madje dhe diplomacinë dhe SHISH- in?! Përgjigja më vjen e shpejtë dhe e qartë, pasi në Shqipëri politika të imponon ta ndjekësh dhe me një logjikë të trashë dhe të përfshihesh në të, plus dhe interesat personale të njerëzve të ndryshëm.
Politika duke ndikuar direkt mbi median dhe duke ia imponuar medias që të transmetojë hap mbas hapi ndodhitë e saj, bën që mbi 80 perqind e teleshikuesve, dashur apo pa dashur të hyjnë sadopak në vorbullën e saj. Politika i imponohet medias dhe media ia imponon njerëzve atë. Ne çdo stacion televiziv lajmet hapen me kryeministrin, dhe mbyllen me liderin e opozitës, a thua se në këtë vend kanë mbaruar problemet ekonomike, sociale, kulturore etj. Emancipimi i medias do të thotë zhvillim i mendjes së qytetarëve, do të thotë informim real i opinionit publik, do të thotë mos bombardim psikologjik i qytetarëve në lidhje me politikën. Qytetarët shqiptarë ushqehen keq nga mediat në lidhje me politikën. Nëse do tiu referohemi vendeve ku ne aspirojmë tiu bashkohemi, pra atyre perëndimore dhe euroatlantike do të shohim se në to politikë do të thotë shërbim dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre. Ata ndërtojnë politika strategjike për të mirën e qytetarëve të tyre, për të mirën e zhvillimit të vendit të tyre dhe shumë më pak për interesat e tyre vetjake. Në vendin tonë politika është gjëja e fundit ku njerëzit duhet të orientohen pasi problemet janë të panumërta. Më ka ndodhur shpesh të bisedoj me të rinj që sapo kanë mbaruar shkollën e mesme dhe janë gati për të hyrë në universitet dhe gjëja e parë që thonë se zgjedhjet e tyre të para janë Shkenca Politike, Juridik, ose ndonjë degë që konsiderohet e lehtë, por e mendueshme që për të bërë karriere në politikë dhe për të bërë para. E çuditshme, por e vërtetë ! Të rinjtë që duhet të jenë mendjehapur, por dhe me njëfarë orientimi nga prindërit duhet të zgjedhin një degë që mbas 4-5 vitesh studim, të bëhen zot të një profesioni që realisht do tju shërbej për tregun e punës nesër dhe për të ndërtuar jetën e tyre në bazë të punës, së profesionit të tyre dhe jo duke menduar e varur shpresat tek të tjerët dhe aq më tepër tek politika dhe politikanët. Një vend si Shqiperia ku nuk prodhohet thuajse asgjë përveçse politikë, duhet me patjetër që zotërinjtë që prodhojnë politikat e arsimit dhe të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, të vënë në zbatim sa më të shpejtë shkollat profesionale, pasi tregu i punës ka shumë nevojë për profesione specifike. Jemi vendi rekordmen në kontinent për jurist për metër katror, por i fundit për elektricistë dhe inxhinier nafte për shembull.
Sistemi shumë i keq i krijuar mbas pluralizmit në vendin tonë ka bërë që njerëzit ta shikojnë politikën dhe politikanët si shpëtimtarë të tyre, pasi në Shqipëri nëse nuk ke njohje me politikanë sikur të jesh arsimuar në Haruard nuk shërben dot në administratën publike, nuk zgjidh dot një hall nga më të ndryshmit qofshin p.sh: problemet me pronat, probleme në sistemin e drejtësisë në tërësi, probleme mbi lejen e ndërtimit nëse disponon një pronë etj. Gjithçka nga këto që shkruajtën si më sipër në lidhje me politikën ndodhë si pasojë e një ekonomie të dobët të shqiptarëve. Pasi nëse ke mbaruar një shkollë je i detyruar të jesh pjesëmarrës i një force politike pasi ndryshe nuk shkon dot në punë, nëse je një biznesmen je i detyruar të kesh lidhje të forta politike sepse gjobat të bëhen pjesë e punës. Kjo mënyre e të jetuarit me politikën duhet të zhduket njëherë e përgjithmonë nga jeta e përditshme e qytetarëve shqiptarë. Me ne ose kundra nesh, duhet të zhduket nga fjalori dhe veprimet reale të politikanëve. Politika duhet të shikohet si shërbim dhe një përgjegjësi e madhe karshi qytetarëve dhe për zhvillimin e vendit, jo si një karrige përfitimi personale.