E Diel, 1 Nëntor 2026

Do të festosh ditëlindjen tënde të 100? Pi verë si francezët

Sipas statistikave, në Francë 20 mijë qytetarë janë mbi 100 vjeç, një numër që është rritur shumë vitet e fundit. Është një fenomen që vihet re në mbarë vendet e Evropës Perëndimore, por në Francë numri i të moçmëve është mjaft më i madh në krahasim me vendet e tjera. Sipas shifrave të Institutit Kombëtar të Statistikave dhe Studimeve Ekonomike në Paris, 100-vjeçarët francezë janë shtuar në numër këto 20 vitet e fundit. Në vitin 1990 numëroheshin 3760 persona që e kishin kaluar me moshë shekullin, ndërkohë që këtë vit numri i saktë i tyre është 20115, pra kemi të bëjmë me një pesëfishim të shifrës. Në Britaninë e Madhe kjo kategori personash është gjithashtu sektori i popullsisë që po shtohet me shpejtësi të madhe, megjithatë Franca zë vendin e parë. Por cili është suksesi i Francës? Aktualisht në këtë vend jetoi njeriu me moshë më të madhe në planet, të paktën sipas regjistrimeve zyrtare, Jeanne Calment, që vdiq në moshën 122-vjeçare në vitin 1997. Gruaja e moçme ia atribuonte jetëgjatësinë e saj dietave që kishte mbajtur gjatë jetës, që fillonin me përdorimin e vajit të ullirit në mënyrë të rregullt, agrumeve e deri tek aftësia për ta parë jetën me optimizëm dhe për të buzëqeshur. Ajo ishte një pasionante e ushqimit dhe një reklamë e mrekullueshme për mënyrën e të jetuarit alla franceze. Në fakt, pavarësisht preferencës së francezëve për ushqime të yndyrshme dhe me sasi të lartë karbohidratesh, ata mbeten më elegantët e kontinentit, kanë një ndër shkallët më të ulëta të vdekshmërisë, numrin më të vogël të kancereve te gratë. Francezëve u pëlqen shumë loja në ajër të pastër dhe shëtitjet me biçikletë. Pikërisht harxhimi i kalorive i bën që të jenë jo shumë të kujdesshëm për të shijuar ushqimet e yndyrshme, që i tresin sërish me aktivitete fizike. Çudia më e madhe është se si një vend i fiksuar pas ushqimit të yndyrshëm, salcave e kremrave, nuk ka raste të shumta të personave që vuajnë nga zemra. Kjo është edhe arsyeja e rritjes së numrit të personave që i kalojnë të 100 vitet e jetës. Një ndër shkaqet e vdekjeve në moshë të thyer janë goditjet e zemrës, që në Francë përbën një fenomen jo të përmasave të mëdha. E ndërsa mjekët mundohen të rendisin shkaqet që i bëjnë francezët të jenë më jetëgjatë se banorët e tjerë të kontinentit, njëri prej tyre që duket bindës, është fakti se francezët e konsumojnë më shumë se të tjerët verën e kuqe. Përqindja e ulët e sëmundjeve të zemrës, pavarësisht dietave të rënduara në yndyra të francezëve, konsiderohet si paradoksi francez që ka çuditur kërkuesit shkencorë prej dhjetëvjeçarësh. Një tjetër faktor ndihmës është konsumimi i frutave. Sa më shumë fruta të konsumosh, aq më e ulët është shkalla e vdekshmërisë. Për sa i përket verës, francezët konsumojnë mesatarisht 64 litra për kokë në vit krahasuar me britanikët që konsumojnë vetëm 27. Pavarësisht se e pinë në sasi më të madhe, francezët e pinë verën në mënyrë më të ekuilibruar dhe e shoqërojnë me ushqime, ndërkohë që në Britani, për shembull shpesh e pinë edhe thatë. Vera e kuqe është e mirë për parandalimin e sëmundjeve të zemrës, por, sipas një profesori të terapive eksperimentale në një spital të Londrës, fenomeni ka një shpjegim më kompleks. Ai vëzhgoi se rajoni i Gersit në afërsi të Pirenejve në jug të Francës ka dyfishin e mesatares kombëtare për meshkuj mbi moshën 90-vjeçare. Kur kërkuesi analizoi verën e vendit, ai gjeti elementë të cilët ndikojnë në hapjen e enëve të gjakut. Në të ndodhej një nivel i lartë procryanadinsi. Sipas tij, jo gjithçka është meritë e verës, pasi francezët dinë të hanë në mënyrë më të shumëllojshme dhe mbi të gjitha ushqime me më shumë cilësi. Veç kësaj janë më të dhënë ndaj ushtrimeve fizike. Ata bëjnë dy orë stërvitje me biçikletë e më pas mund të shijojnë darka fantastike.

Receta franceze për një jetë më të gjatë

Gjermanët kanë një shprehje: "Të lumtur si Zoti në Francë", versioni modern i së cilës mund ishte edhe: "I lumtur si një plak në Francë". Rritja e numrit të të moçmëve në Francë është në fakt një mister edhe për vetë francezët dhe në njëfarë mënyre është një shqetësim. Nëse kjo tendencë do të vazhdojë edhe më pas, në mesin e këtij shekulli do të kemi 170 mijë francezë mbi të 100 vitet e jetës. Ka disa shkencëtarë që thonë se ndoshta është klima e Francës ajo që e favorizon shumë jetëgjatësinë, por si klima, ashtu edhe dieta aty kanë qenë me shekuj dhe jetëgjatësia ka ndryshuar. Një tjetër fakt është se tre të katërtat e francezëve mbi 100 vitet e jetës janë femra. Një dhjetëvjeçar më parë shkencëtarët amerikanë zbuluan diçka që e cilësuan si "paradoksi francez". Francezët jetonin më gjatë dhe kishin një jetë më të shëndetshme, edhe pse konsumonin shumë ushqime, veçanërisht një sasi të madhe vere të kuqe, e cila supozohej ta dëmtonte trupin. Por, paradoksi i jetëgjatësisë është më kompleks se kaq. Së pari, ka dallime zonash. Shkalla e jetëgjatësisë është më e lartë në jug të Francës se sa në veri të saj dhe veçanërisht e lartë në jugperëndim. Nëse vërtet dëshironi që të jetoni mbi 100 vjeç mund të provoni të shijoni më shumë verë të bardhë, vaj ulliri, shpezë, peshk, agrume tipike të bregdetit jugor të Francës. Së dyti, shenjat e jetëgjatësisë mund të konsiderohen tregues të një humori të mirë dhe së treti, francezët nuk po hanë dhe pinë si francezë tradicionalë. Kërkimet shkencore bëjnë të ditur se ata kanë nisur një dietë më anglo-saksone, duke shtuar dukshëm edhe përdorimin e birrës. Megjithatë, vera e kuqe e vreshtave të jugut ka shanset më të mëdha që të jetë "kura magjike" e shtimit të jetës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›