SHBA, plan sekret për të ardhmen e trupave në Irak
Një projektmarrëveshje konfidenciale mbi të ardhmen e forcave amerikane në Irak, për të cilën ka rënë në dijeni britanikja "Guardian", tregon se parashikohet një prani ushtarake pa fund në këtë vend. Projektmarrëveshja strategjike mes qeverive amerikane dhe irakiane, që mban datën 7 mars dhe vulën "Sekrete" dhe "delikate", ka si qëllim të zëvendësojë mandatin ekzistues të Kombeve të Bashkuara dhe të autorizojë SHBA-në të "kryejë operacione ushtarake në Irak dhe të arrestojë individë kur kjo është e nevojshme për shkaqe të larta sigurie", pa limite kohore. Autorizimi përshkruhet si "i përkohshëm" dhe marrëveshja thekson se SHBA-ja "nuk dëshiron një bazë të përhershme, apo një prezencë të përhershme ushtarake në Irak". Por, mungesa e një limiti kohor apo kufizimeve ndaj SHBA-së dhe forcave të tjera të koalicionit, përfshirë ato britanike, në Irak, pa dyshim do të ndeshet me kundërshti të mëdha, si në Irak, ashtu edhe në SHBA. Kritikët e luftës në Irak nënvizojnë se marrëveshja nuk përmban kufizime, as mbi numrin e forcave amerikane, armatimeve që ato mund të vendosin atje, statusit të tyre ligjor, apo fuqitë mbi qytetarët irakianë, duke shkuar shumë përtej marrëveshjeve afatgjata të SHBA-ve me vende të tjera. Marrëveshja ka si qëllim të rregullojë statusin e ushtrisë amerikane dhe të anëtarëve të tjerë të forcës shumëkombëshe. Pas përleshjeve të fundit mes trupave irakiane dhe Ushtrisë Mahdi të Moktada al Sadrit, në Basra, si edhe pas kërcënimeve të qeverisë irakiane se do t‘i ndalojë mbështetësit e tij të kandidojnë në zgjedhjet rajonale të vjeshtës, sadristët, që kundërshtojnë pushtimin dhe partitë sunite, pritet të rrisin opozitën në Parlament ndaj kësaj marrëveshjeje, që SHBA-ja do të donte të finalizohej para fundit të korrikut. Mandati i Kombeve të Bashkuara ndërkohë skadon në fund të vitit. Por marrëveshja do të kundërshtohet edhe në Uashington, ku është kritikuar së pari nga kandidatja demokrate për zgjedhjet presidenciale, Hillari Klinton, e cila ka akuzuar administratën se po kërkon t‘i lidhë duart Presidentit të ardhshëm nëpërmjet angazhimit në mbrojtjen e Irakut nga forcat amerikane. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gejts, argumentonte në shkurt se marrëveshja e planifikuar do të ishte e njëjtë me dhjetëra statuset e forcave ushtarake që SHBA ka në tërë botën dhe nuk do ta angazhonte atë në mbrojtje të Irakut. Por, anëtarët demokratë të Kongresit, përfshirë edhe senatorin Eduard Kenedi, një anëtar i lartë i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura, tha se ajo shkonte përtej këtyre marrëveshjeve dhe ngjasonte me një traktat që duhej ratifikuar nga Senati, siç sanksionon Kushtetuta. Zyrtarët e administratës kanë bërë të ditur se nëse marrëveshja do të përfshinte garanci sigurie për Irakun, ajo duhej të dilte para kongresit. Por, drafti që ka rënë në dorë të "Guardian" thekson vetëm se është një marrëveshje në interesin e përbashkët të SHBA-ve dhe Irakut dhe se Iraku do të ruajë sovranitetin e tij, integritetin territorial, pavarësinë politike dhe kërcënimet e jashtme ndaj Irakut përjashtohen. Në mënyrë domethënëse, falë tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe marrëdhënieve të ngushta të këtyre kohëve të fundit me partitë shiite të administratës irakiane, projektmarrëveshja specifikon se "SHBA-ja nuk do të tentojë që të përdorë territorin irakian si një platformë për operacione sulmi kundër shteteve të tjera. Gjenerali Dejvid Petraus, komandant amerikan në Irak, u përball ndërkohë me pyetjet e tre kandidatëve presidencialë në Kapitol Hill, ndërsa raportoi para Senatit në lidhje me strategjinë e rritjes së numrit të trupave amerikane në Irak, vitin e shkuar. Si Klinton, ashtu edhe rivali demokrat, Barak Obama, janë angazhuar në fillimin e tërheqjes së trupave nga Iraku. Senatori republikan, Xhon MekKejn, në anën tjetër, ka premtuar të mbajë nivelin aktual të trupave në Irak, deri sa vendi të jetë i sigurt.