E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të formohen edhe 4 ose 5 komuna të reja

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Basri Musmurati, ka bërë me dije se edhe 4 ose 5 lokalitete të tjera do të mund ta kenë statusin e komunës. Musmurati ka thënë se prej 13 lokaliteteve që kanë kërkuar të bëhen komuna, vetëm disa prej tyre i plotësojnë kriteret e parapara me ligj. Në këtë intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se ministria do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që Hasin deri në zgjedhjet lokale ta kompletojë si komunë

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Basri Musmurati, ka thënë se jo të gjitha lokalitetet që kanë bërë kërkesa në këtë ministri i plotësojnë kushtet për t’u bërë komuna. Ai ka bërë me dije se në këtë proces vetëm 4 ose 5 lokalitete i plotësojnë kushtet e parapara me ligj dhe me Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale, e si të tilla mund të bëhen komuna.

Musmurati ka treguar se MAPL do t’i bëjë të gjitha përpjekjet që Hasin deri në zgjedhjet lokale ta kompletojë si komunë. Ai i ka bërë thirrje opozitës që mos ta politizojë vendimin e Qeverisë për nisjen e procedurave për themelimin e komunës së Hasit. “Nuk duhet të politizohen absolutisht këto çështje, sepse në secilin lokalitet ka votues të të gjitha partive”, ka thënë Musmurati.

Sa i përket Zhegrës, ai ka deklaruar se edhe ky lokalitet ka nevojë të jetë komunë, duke shtuar se qytetarët e këtij vendbanimi duhet ta presin vendimin e Qeverisë. Ndër të tjera, zëvendësministri Musmurati ka shtuar se Kosova duhet të ketë kujdes në këtë proces që të mos themelojë shumë komuna sepse, sipas tij, buxheti nuk mund t`i përballojë./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›