Liberalët serbë “luftojnë” për hise në Qeverinë e Kosovës

Zyrtarët e lartë të SLS-së, partisë së zv/kryeministrit Sllobodan Petroviq, i kanë paralajmëruar të hënën ish-bashkëpartiakët që kanë krijuar grup të ri parlamentar, se nuk do të mund të përfaqësohen në Qeveri me zyrtarë që nuk janë më në SLS.
Petar Miletiq, nënkryetari i Kuvendit dhe i SLS-së, nuk ka dashur që të flasë për ikjen e katër deputetëve nga Grupi i tyre parlamentar, duke mohuar të jetë në dijeni pse ata kanë vepruar kësisoj. “Unë ende nuk kam marrë ndonjë argument konkret se pse ata u larguan nga SLS-ja. Unë po pres që të ketë veprime konkrete, kur ky grup të zyrtarizohet dhe kjo pritet në seancën e ardhshme, pasi disa deputetë ende po mendojnë se çka të bëjnë me këtë çështje”, ka thënë Miletiq për "Tribunën".
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që krahu i ri i deputetëve serbë që ikën nga SLS, mund të dështojnë ta formojnë Grupin e ri parlamentar. Megjithëkëtë, edhe nëse krijohet Grupi i ri parlamentar, Miletiq mendon se ata nuk do të mund ta marrin hisen që i takon SLS-së në Qeveri./Indeksonline/