E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbisë nuk i konvenon marrëveshja

Analistët politikë në Kosovë konsiderojnë se Serbisë nuk i konvenon implementimi i marrëveshjes, sepse ajo ka interes direkt në nxitjen e serbëve në veri. Sipas tyre, Serbia duke nxitur probleme në veri faktorizon veten para shteteve të BE-së.

Kryetari i partisë social-demokrate të Kosovës, ish-ministri për komunitete dhe kthim, Sllavisha Petkoviq, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes së Brukselit nuk ka alternativë, madje, sipas tij, rreth kësaj çështjeje nuk mund të ketë kompromis. Petkoviq ka thënë për gazetën “Zëri” se marrëveshja duhet të zbatohet, sepse kjo është hera e parë që në nivel kaq të lartë evropian arrihet ujdia në mes Prishtinës zyrtare dhe Beogradit zyrtar.

Ndërkaq, analisti Avni Zogiani, thotë se Serbisë nuk i konvenon implementimi i marrëveshjes, sepse ajo ka interes direkt në nxitjen e serbëve në veri.

“Nëse implementohet marrëveshja, apo me konkretisht, nëse Serbia nuk vazhdon të ketë mundësi për rol destruktiv në veri, Evropa nuk do ta ketë më varësinë direkte nga politika dhe shteti serb”, ka thënë Zogiani.

Ai e ka fajësuar drejtpërdrejt Serbinë për të gjitha problemet që kanë ndodhur në veri të vendit sepse, sipas tij, kështu Serbia e faktorizon veten ndër shtete të BE-së.

“Serbët e veriut të Kosovës gjithmonë janë përdorur nga Serbia, madje paradoksalisht kjo pjesë e ka bërë Serbinë të përshpejtohet integrimi i saj për në BE sepse kjo e fundit mendon se duke e afruar atë e ndal sabotimin e saj në veri”, ka thënë Zogiani.

Edhe kjo marrëveshje, sikurse edhe marrëveshjet tjera, sipas tij, do të zbatohen në mënyrë selektive, njësoj siç është zbatuar edhe pakoja e Ahtisaarit.

Ndërkohë, analisti Fadil Lepaja ka thënë se ekziston një plan ndërkombëtar që partia e Aleksandër Vuçiqit të bëhet fuqia numër një edhe ndër serbët e Kosovës.

“Me forcimin e saj do të eliminohen grupet klandestine të interesit që peshkojnë vazhdimisht në ujë të turbullt, i cili turbullohet qëllimshëm, sepse kriza është biznes i tyre dhe po ashtu disa qarqeve kosovare të cilat bashkëpunojnë me bosët e veriut”, ka thënë Lepaja.

Sipas tij, qarqe diplomatike në Evrope besojnë se kjo parti është në gjendje të gjejë një formulë e cila serbët do t’i bëjë të besojnë në sistemin formal në Kosovë dhe njëkohësisht të mbajë ndikimin e fuqishëm moral, politik dhe ekonomik ndër ta./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›