E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të vras ambasadorin gjerman

Vihet në pranga Ismir Kulla, kërcënoi për herë të dytë me jetën kryediplomatin gjerman Bernd Borcfardt. Ambasada i refuzonte vizën të deportuarit në vitin 2000

TIRANË - Historia e kërcënimit të ambasadorit gjerman, Bernd Borcfardt, afro një vit më parë, u përsërit nga i njëjti protagonist ditën e djeshme. E nëse herën e parë diplomati i lartë e fali, këtë herë duket se gjërat do të jenë ndryshe për 36-vjeçarin Ismir Kulla, lindur e banues në Fushë-Krujë. Ky i fundit, me precedent të mëparshëm penal për të njëjtën vepër penale, atë të “fyerjes së përfaqësuesve të shteteve të huaja”, ndaj të njëjtit zyrtar të huaj, ka kërcënuar së fundmi po me të njëjtën mënyrë dhe me po të njëjtin shkak kryediplomatin gjerman në vendin tonë. Zyrtarët e ambasadës gjermane i refuzuan vizën për të disatën herë, dhe Ismir Kulla mesa duket, i rënduar tashmë jo vetëm nga gjendja psikologjike, por edhe nga gjendja shëndetësore, me të njëjtat fjalë mësohet të ketë kërcënuar ambasadorin, se do ta vriste nëse nuk do të merrte vizën për të shkuar tek vajza në Gjermani. Sipas një njoftimi për shtyp, policia e Tiranës tha se “gjatë orëve të vona të para dy netëve, Seksioni Kundër Akteve Terroriste identifikoi dhe më pas arrestoi Ismir Kullën, pasi rreth orës 09:30 ka fyer nëpërmjet telefonit ambasadorin e Republikës Gjermane të atashuar në Tiranë”. Po në këtë njoftim u tha se veprimi është bërë nëpërmjet telefonit fiks pranë ambasadës, me motivacionin e refuzimit të një vize për në shtetin gjerman. E nëse sipas raportimit zyrtar të policisë u tha se është bërë vetëm fyerje, burime të besueshme policore bënë me dije për “Korrierin”, se ambasadori është kërcënuar me të njëjtat fjalë identike si korrikun e kaluar, fjalë për fjalë, si të ishte e regjistruar.

Precedenti

Më datë 3 korrik të vitit 2007, Ismir Kulla, po nëpërmjet telefonit fiks kërcënoi 

Bernd Borcfardt, se do ta vriste nëse nuk do të merrte vizën për të shkuar tek e bija. Pas lutjes së familjarëve, personi i deportuar nga shteti gjerman në vitin 2000, u fal nga diplomati katër muaj më pas, në 22 nëntor të atij viti. Herën e parë fati i tij u var në duart e ambasadorit, për shkak se ishte ky i fundit që e denoncoi, dhe kishte të drejtën e tërheqjes së denoncimit. Kulla kishte jetuar si emigrant në Gjermani, ku ishte martuar me një gjermane me të cilën ka edhe një fëmijë. Ai ishte dëbuar disa vjet më pas dhe deportuar në Shqipëri. Që prej asaj kohe kishte bërë të pamundurën të rikthehej në shtetin gjerman, por i ishte refuzuar viza, derisa arriti të bënte dhe kërcënimin me jetë të ambasadorit Bernd Borcfardt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›