E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimet ndaj Iranit

Javën e kaluar, udhëheqësit e Izraelit e kaluan duke folur për Iranin dhe u kërcënuan me aksion të mundshëm ushtarak.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Izraelit e kaluan duke folur për Iranin dhe u kërcënuan me aksion të mundshëm ushtarak. Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera botërore duhet t’i adresojnë ambiciet bërthamore të Iranit, por me diplomaci më agresive, përfshirë trysni më të mëdha financiare dhe jo me kërcënime apo plane të luftës. Akuzave u priu kryeministri izraelit, Ehud Olmert, i cili është shqetësuar se një skandal i korrupsionit mund ta heqë nga zyra. “Kërcënimi iranian duhet të ndalet me të gjitha mjetet e mundshme”, tha ai në Uashington, një ditë para takimit me presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Më pas, ministri i Transportit, Shaul Mofaz, i cili përflitet se do ta zëvendësojë zotin Olmert në krye të partisë në pushtet, Kadima, nëse ai detyrohet të japë dorëheqje, deklaroi se sulmi izraelit kundër lokacioneve bërthamore të Iranit duket “i pashmangshëm”. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura në Uashington, apo çfarë dëgjoi Olmert nga Bush. Por vringëllima me shpata nuk është strategji dhe ndonjë sulm ndaj Iranit apo ndonjë vendi tjetër do të ishte katastrofal. Për dallim nga viti 1981, kur Izraeli e shkatërroi reaktorin bërthamor të Irakut në Osirak, tash nuk ka një shënjestër të vetme. Fushata e gjerë bombarduese do të përfundonte me vrasjen e shumë civilëve dhe ndoshta ende nuk do ta rrënonte programin bërthamor të Iranit. Teherani gjithashtu ka shumë mënyra të frikshme për t’u hakmarrë. Madje, edhe vendet arabe që i frikësohen Iranit, do të rrëqetheshin nga mendimi se Amerika apo aleati i saj, Izraeli, po e bombardon një shtet tjetër mysliman. Olmert mund të përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen nga telashet e veta politike, megjithëse nuk mund të mohohet ndikimi nga kërcënimi i presidentit iranian për zhdukjen e Izraelit. Raporti i fundit i inspektorëve të Kombeve të Bashkuara mbi aktivitetet bërthamore të Iranit vetëm sa i ka fryrë këto shqetësime. Nga fundi i qershorit, Havier Solana do të vizitojë Teheranin për të diskutuar më detajisht paketën e stimulove, të cilën në vitin 2006 të parat e ofruan Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera botërore. Por Shtetet e Bashkuara janë e vetmja fuqi, e cila nuk dërgon diplomatin e saj me Solanën. Senatorët Barak Obama dhe Xhon MekKein nuk ndajnë të njëjtin mendim rreth bisedimeve direkte me Iranin. Por, javën e kaluar, ata i mbështetën sanksionet e gjera, përfshirë kufizimin e importit të benzinës në Iran. Në turneun e tij evropian, presidenti Bush pritet t’u bëjë shtypje evropianëve që t’i ndërpresin lidhjet me institucionet financiare të Iranit. Ai gjithashtu duhet t’ua bëjë të qartë, se Amerika do ta bëjë pjesën e vet të stimulimeve. Do të dëshironim që ai të kishte vullnetin dhe shkathtësinë të propozojë një marrëveshje të madhe dhe ta dërgonte përmes sekretares së Shtetit, Kondeleza Rais. Të paktën ai do të duhej të dërgojë një zyrtar të lartë me zotin Solana në Teheran. Në qoftë se sanksionet dhe stimujt nuk do të jepnin rezultate, atëherë kërkesat për aksion ushtarak do të bëhen më të zëshme. Pavarësisht se çfarë mund t’i thonë bashkëpunëtorët zotit Bush dhe zotit Olmert, apo çfarë mund t’i thonë ata njëri-tjetrit, sulmi ndaj Iranit do të ishte katastrofë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›