E Diel, 1 Nëntor 2026

Dodani: Koçi Xoxe, në '47-ën dha urdhër të më ekzekutonin shokët e mi të Sigurimit

Mark Dodani, rrëfen historitë e pabesueshme që e kanë shoqëruar në misionin e tij të rrezikshëm në strukturat sekrete të Sigurimit të Shtetit komunist.
*- Si ndodhi ngjarja rrëqethëse e dhjetorit të '47-ës, kur atij iu kërkua nga Tirana që të ekzekutonte kolegun e devotshëm në Sigurim, që luftonte kundër bandave.
*- Ndërkohë, edhe Lekë Berisha ishte urdhëruar po nga Tirana për të vrarë Mark Dodanin, për dyshimin se kishte humbur besimin konspirativ.
*- Kërcënimet e tmerrshme që atij i bëri vetë kryepartiaku i Shkodrës, Abaz Laze, kur Dodani po ankohej për urdhrin e dhënë për vrasjen e kolegut të Sigurimit.
*- Historitë legjendare dhe të paimagjinuara, kur Mark Dodani kërkohej me qiri në çdo skaj të zonëve të Mirditës, për t'u ekzekutuar sipas urdhrit të prerë të Koçi Xoxes.
*- Si lëvizte gjatë mesnatave për të ndërruar bazat mirditore, ku ishte strehuar për t'u shpëtuar plumbave të kolegëve të tij të Sigurimit të Shtetit.
*- Zhurma e vazhdueshme dhe tepër tronditëse e atyre ditëve në "Radio Shkodra", e cila e etiketonte Mark Dodanin, - që kishte shërbyer me idealizëm ekstrem në radhët e Sigurimit, -
si njeri antiparti.
*- Njoftimi rrëqethës që policët e zonës, Ndue Mark Lleshi dhe Dulaq Lekiçi i bënë për pritën e organizuar nga kolegët e Sigurimit për ta vrarë, kur të kalonte në Qafën e Gurit.
*- Momentet enciklopedike kur ardhja e Hysni Kapos në Mirditë ndryshoi jetën e Mark Dodanit. Rastësia e fatit bëri që të dilte nga zhdukja gjashtëmujore dhe t'i mundësohej një bisedë sekrete me njeriun e besuar të Enver Hoxhës.

(Vijon nga numri i kaluar)

Le të kalojmë në një etapë tjetër të shërbimit tuaj në Sigurimin e Shtetit, zoti Dodani. Fjala është për periudhën kur ju jeni përplasur me të, - se kishte humbur besueshmëria me sa kam informacion, - prandaj jam i detyruar t'ju pyes se kur ka nisur pikërisht historia juaj e vështirë me Sigurimin?
Ishte periudha kur unë me shumë shokë të mitë të shërbimit të fshehtë, kishim bërë një punë kolosale në drejtim të takimit me anëtarët e bandave. Ata kishin gjetur mundësitë, ashtu si dhe ne, duke përdorur parimet morale të besës apo miqësitë e hershme, si dhe lidhjet me njerëz të tretë, të cilët dilnin garant për takimet që kryheshin. Thirrja jonë kishte qenë e thjeshtë dhe shumë e sinqertë. Ne u thoshim atyre njerëzve që ishin bërë anëtarë të bandave të maleve, të cilët e pranonin takimin me ne, që me bandat do të kishin fund shumë të keq, por të mendonin për fëmijët e tyre që po i linin rrugëve. Bënim një përpjekjeje kolosale, e cila kërkonte nerva dhe durim, si dhe kërkonte të merrje parasysh gjithçka, kryesisht vdekjen, pasi në çdo moment mund ta pësoje nga ndonjë pritë që mund të të bënin organet e shpagimit të bandave, të cilat s'e kishin problem të lanin hesapet me këdo që piketonin. Ajo punë, përveç sa thashë më lart, na kushtoi dhe mbi një vit kohë. Megjithatë, kënaqësia ishte se arritëm rezultatet e kërkuara. Mes amnistive që i kërkonim Tiranës për të falur kontingjente të veçanta, ne mundëm që vetëm në zonën e Pukë-Mirditës të kthenim në shtëpitë e tyre mbi 100 persona.
Nga ç'njerëz përbëhej ky kontingjent që ju keni kthyer?
Të kam folur dhe në intervistat e para, që këtu kishim të bënim me njerëzit e gënjyer, të cilët ishin detyruar të shkonin mes bandave, apo me njerëzit që kishin pasur konflikte në fshatrat e tyre, të cilët nga frika e ndonjë hakmarrjeje ishin strehuar midis bandave. Por kjo rrugë do t'i fuste patjetër në rrugën e krimit.
Çfarë detyre kryenit atëherë?
Isha shef i Degës së Punëve të Brendshme të Pukës.
Kishit inkurajim nga shteti në gjithë atë situatë ku punonit, apo gjithçka fillonte dhe kalonte me iniciativa personale?
Kisha shumë. Madje në ato ditë të atij stresi të papërshkruar për të shpëtuar jetë njerëzish, kur mund ta pësonim dhe vetë, ministri i Brendshëm i asaj kohe, Koçi Xoxe, më dërgoi posaçërisht një falënderim të veçantë, të mbushur me superlativa. Por kjo do të vazhdonte vetëm ato ditë, sepse gjithçka do të fshihej si me dorë dhe situata ime do të bëhej tepër kritike, derisa erdhi një moment që u vura në shënjestër për t'u vrarë.
Nga bandat?
Ç'banda! Nga njerëzit e Sigurimit, të drejtuar nga Koçi Xoxe.
Kjo situatë t'u krijua direkt nga Koçi?
Jo. Ai ishte ministër dhe ideatori i këtyre platformave në të cilat po hanim njëri-tjetrin, se po të qe për personalisht, ai nuk më ka njohur fare.
Si u krijua goditja për ty?
Kjo periudhë që po të tregoj, i përket vitit 1947. Mbas një periudhe jo më shumë se dy-tre muaj si kisha marrë falënderimin nga Koçi Xoxe, për mua filloi goditja që të thashë.
Mund të jeni më konkret?
Ishte pikërisht dhjetori i vitit 1947, kur befasisht u ndesha me një propozim të papritur që më bënë shokët e Sigurimit. Më kërkohej që unë të miratoja vrasjen e një shokut tonë të Sigurimit, të quajtur Lekë Berisha. Mirëpo mendimi dhe konkluzioni i shokëve që më bënin propozimin, ishte se ai kishte bërë lojën e bandave, duke tradhtuar detyrën e marrë nga ne. Unë nuk mund ta pranoja këtë gjë, sepse e dija shumë mirë që Leka ishte besnik i Partisë. Mirëpo po çuditesha me këtë veprim të këtyre njerëzve për këtë propozim, aq sa nuk po kuptoja se ç'po ngjiste.
E mbani mend kush ta bëri këtë propozim?
Po. Ka qenë vartësi im, Martin Hasa, oficer i seksionit në ndjekjen e krimeve në Pukë.
Ratë dakord me propozimin e vrasjes së Lekës?
Si mund të bija?! Jo që nuk isha dakord, por ndërhyra në të gjitha instancat e Sigurimit, se një gjë e tillë ishte e papranueshme. Lekë Berisha ka qenë njeriu i luftës dhe i Partisë dhe nuk kishte ndodhur asgjë me të. Sigurisht, këto nuk ishin diskutime debatesh, por tepër konspirative. Por unë nuk dija tjetrën, se në rrugë të tilla ishte kërkuar dhe vrasja ime, pasi dyshohesha si njeri që nuk isha pro jugosllav dhe akoma më shumë, kisha marrëdhënie të ngrohta me bandat. Natyrisht, ky dyshim ngrihej duke u bazuar mbi faktin që isha nipi i Gjon Dodanit, i cili kishte qenë ndër krerët kryesorë të bandave në zonat e Mirditës.
E kuptuat këtë gjendje që ishte krijuar mbi ty?
Me tepër vonesë. Ndërkohë që për mua kishte lindur një dyshim i madh, më erdhi lirimi nga organet e Punëve të Brendshme, duke më kaluar në dispozicion të Partisë.
Pak kohë si më shkarkuan nga detyra e shefit të Degës së Punëve të Brendshme të Pukës, përfundova drejtor i Pasurisë së Shtetit në Shkodër.
Nuk e konstatuat pse ndodhte gjithë kjo?
Ç'është e vërteta, me futjen fuqishëm të frymës jugosllave në çdo gjë, sidomos në shërbimin e fshehtë, u krijua një gjendje paniku kudo. Kushdo survejonte tjetrin. Ishte një situatë mosbesimi që lindi ndaj kujtdo. Kjo futej me një qëllim të caktuar nga përfaqësuesit jugosllavë, që ishin të kudondodhur dhe që për mua ishin vetëm agjentë dhe asgjë tjetër.
Ç'ndodhi me Lekë Berishën që u kërkua për ta vrarë?
E ç'mund të ndodhte? Nuk kaloi veçse 6-7 muaj që kur më kishin kërkuar miratim mua, dhe ai u vra. Në atë kohë mbaj mend se isha drejtor i Pasurisë së Shtetit në Shkodër. Ku ta dija unë se edhe Lekës i kishin kërkuar vrasjen time! Ngatërresave të thella që nuk u jepet dot shpjegim.
Reaguat ju pas vrasjes së Lekës?
Reagova shumë, por m'u kthye në bumerang. Ajo vrasje më shqetësoi shumë. Lekë Berisha ka qenë një njeri i shkëlqyer dhe tepër besnik, i cili i kryente detyrat që i ngarkoheshin me korrektesën më të madhe dhe nuk e meritonte vdekjen pas krahëve nga shokët e tij. Këtë e denoncova te Sekretari i Parë i Partisë së rrethit të Shkodrës, Abaz Laze. Mirëpo jo vetëm u çudita, por më mirë do të them që u shokova nga përgjigjja e Sekretarit të Partisë, i cili me një ndjenjë shpërthimi m'u drejtua: "Mark Dodani, po të përsëris që të mos i futësh hundët në këto punë, se Partia mund të të vendosë hekurat edhe ty". Pata kurajën ta pyesja se pse ishte gjithë ky mendim negativ për mua. "Nuk di nga të mbrohem, nga bandat që më janë betuar, apo nga ju që po më betoheni…". "Mos kujto se nuk i dimë pikëpamjet antijugosllave që po i shpreh me të madhe kudo që ndodhesh", - u hakërrua sërish ai, që shumë kohë më vonë do të bënte autokritikë para meje për atë veprim të gabuar, madje më vonë më ka thënë në prezencë të Asim Alikos, që kishin qenë duke më marrë në qafë.
Çfarë ndodhi?
Pas atij takimi erdhi goditja tjetër. Tri ditë, në lajmet e "Radio Shkodrës" po më jepej një goditje psikologjike dhe një paralajmërim i madh. Akuzohesha që nuk e kisha përçuar vijën e Partisë dhe të Frontit në skajet më të largëta të zonës. Për këtë veprim përfundova sërish te Sekretari i Parë për ankesë. Por sërish Abaz Laze më përcolli me fjalë të përgjithshme, pa më dhënë asnjë shpjegim, por vetëm duke thënë se këto ishin kritika dhe jo dënime. "Nuk të vjen gjë e keqe nga kritika, veçse të shëndosh",- më tha.
E vazhduat punën pas gjithë këtyre?
Ç'punë! Në rrethin ku u futa unë, nuk shpëtoje kollaj. Kishin vendosur të më arrestonin. Për këtë më njoftoi në mënyrën më konspirative një shoku im tepër i afërt, me të cilin kisha punuar në organet e Sigurimit. Madje ai më njoftoi që të mos shkoja as në mbledhjen e Partisë, se ishin marrë masa që të më arrestonin që aty. Kjo ishte më e pakta, se si po venin punët nuk ta kursente njeri as plumbin, siç ia bënë Lekës së shkretë.
Si vepruat për t'u mbrojtur?
U largova urgjent. Shkova menjëherë në fshatin tim në Mirditë. Por edhe aty, për t'u ruajtur nga identifikimi dhe ndjekja, nuk ndenja shumë. Unë i dija marifetet e Sigurimit se si të ndiqte e si të kapte, si fuste bashkëpunëtorë dhe si i merrte informacionet për njerëzit që kishte në objekt. Kështu që e kisha më të lehtë që të mbrohesha. Nga subjekt i Sigurimit, befasisht e pashë veten në objekt. Ishte një komedi e dhimbshme që po luhej me mua. Pas shkuarjes në fshatin tim, lëviza menjëherë, duke ndërruar fshatrat me radhë dhe duke gjetur strehim te njerëzit e familjes. E fillova që nga Bërdica, po i pate parasysh ato fshatra, e vazhdova në Spathar, Ganjollë e deri në Rras, Kashnjet, Dom e Gojan të Mirditës.
Nuk u rrezikuat asnjëherë?
E si s'u rrezikova!? Tani kërkohesha për t'u vrarë. Për shembull, në një rast më njofton një polic i Degës së Brendshme të Shkodrës, i quajtur Ndue Mark Lleshi, që, më kishin vendosur pritë për të më vrarë në Qafën e Gurit. Këtë ma vërtetoi më pas dhe punëtori operativ i zonës për Vaun e Dejës, Dulaq Lekiçi. Ky vend ndodhet në rrugën që kalon nga Laçi në Gomsiqe. Puna në organet e Sigurimit të Shtetit ishte ajo që po më jepte kaq mundësira për të shpëtuar, pasi kisha krijuar shumë miq dhe kisha informacion të bollshëm, se po të ishte fjala për një tjetër, nuk do të zgjaste as dy ditë dhe do të hante plumbin. Gjithsesi, për rastin që më njoftoi polici, se më kishin bërë pritë, mora masa tepër të rrepta. Pas kësaj u bëra më i fshehtë. Dhe nga shtëpitë e miqve, që i ndërroja herë pas here, lëvizja natën. Kështu që askush s'kishte dijeni për mua, përveç njerëzve që kërkoja për informacion. Ishte situatë e rëndë. Të kërkonin ata, të cilëve u kishe shërbyer me devotshmëri dhe përkushtim. Kishe futur kokën në kthetrat e vdekjes për të kryer detyrat dhe tani, ja shpërblimi!
Kishit besim se do të zgjidhej kjo situatë?
Të mos kisha, nuk mbrohesha, por gjeja një rrugëzgjidhje tjetër. Por e mendoja se kjo ishte një kundërvënie klanesh dhe njerëzish të caktuar, të cilët e ndërtonin karrierën e tyre mbi shkeljen e të tjerëve. Dhe doli ashtu siç e kisha menduar.
(Vijon nesër) 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›