“Dodona”, ende asnjë kontratë e nënshkruar me Ministrinë e Kulturës dhe TKOB
05/04/2012 Baleti i shkruar dhe ideuar nga Aleksandër Peçi vjen si ngjarje jubilare në 100-vjetorin e Pavarësisë, si e para premierë absolute baleti pas 26 vjetësh në TKOB. Me gjithë përkrahjen morale nga institucionet, nuk ka asnjë marrëveshje konkrete të përfunduar
Është menduar të vijë premierë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Por baleti “Dodona”, një punë disavjeçare e artistit Aleksandër Peçi, që përfshin edhe përpjekjet e shumë artistëve të tjerë të njohur, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk është përcaktuar ende se kur do të shfaqet për publikun.
Është menduar që premiera të vijë në muajin nëntor të këtij viti, porse kompozitori Aleksandër Peçi vëren se edhe pse ai e ka mbaruar përfundimisht dhe madje edhe ka botuar aktin e parë të baletit e në qershor mendon të incizojë muzikën, nuk ka asnjë marrëveshje konkrete të shkruar me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
“Duhet absolutisht që në qershor të regjistrohet muzika në mënyrë që koreografi dhe studio e Hallywood të punojë me një sekondazh metronomik të përcaktuar matematikisht. Për këtë duhet që MTKRS dhe TOB të hyjë në marrëveshje e të bëjë kontrata me realizuesit”, është shprehur Peçi, ndërsa lë të kuptohet se e cilëson këtë si një ngërç të institucionit drejtues të kulturës në vend, pasi jemi në prill dhe Qendra e Artit, institucioni në varësi të MTKRS-së që do të merret me miratimin dhe mbështetjen e projekteve kulturore, ende s’ka filluar nga puna. “Pra, QKA nuk propozon dot asnjë projekt në Komisionin Qeveritar të 100-vjetori”, vëren Peçi, ndërsa shpjegon se duke filluar që nga shkrimi i libretit e deri më sot është një konsum i madh i përditshëm, në një hark kohor prej 5 vjetësh.
Ai bën të ditur se nga Ministria e Kulturës ka marrë një mbështetje modeste për projektin vetëm tre vjet më parë. Pas kësaj nuk ka pasur asnjë mbështetje reale, edhe pse bordi i projekteve e ka miratuar projektin dhe e ka konsideruar si një projekt afatgjatë që do të vazhdonte donacionin edhe në 2011 edhe në 2012. “Deri më sot s’ka ende asgjë konkrete. Ne i kërkojmë komisionit qeveritar dhe MTKRS, që në këtë projekt madhor më të madhin e muzikës skenike shqiptare për 2012, të krijojë hapësirat e mundësitë financiare për të blerë trurin e këtij ekipi që do të sjellë këtë produksion të ri multinacional tejet ambicioz dhe që do të rrezatojë në hapësira ndërkombëtare”, përfundon Peçi. “Dodona” pritet të jetë premierë në nëntor të këtij viti jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë. Baleti trajton me simbolika të fuqishme idenë e rikthimit në origjinat pellazgo - iliro - shqiptare për të deshifruar përmes gjuhës së muzikës e baletit sekretet e botës dhe për të dhënë një kumt identiteti kombëtar, por edhe global. Duke rrokur tema thelbësore të etnogjenezës sonë, “Dodona” hedh dritë në të ardhmen e botës, një mënyrë për të reflektuar dramat e përjetshme të njeriut. Simbolika e baletit sjell jo vetëm një dimension antik e mitik, jo vetëm krenari shqiptare për stërgjyshërit tanë që i dhanë shumë Evropës, por duke hedhur vështrimin në të ardhmen, ky balet ngre probleme madhore të botës në kërkim të rrugëve drejt emancipimit të saj. Burimet letrare për realizimin e kësaj vepre janë me origjinë nga krijimtaria orale e folklorit dhe nga vejusha e gjarprit në prozën e Kadaresë “Martesa me gjarpërin”. “Dodona” është projektuar si një bashkëpunim multinacional në trekëndëshin Tiranë-Berlin-Hollivud me artistë të standardeve ndërkombëtare. Koreograf është Bernd Schindowski një nga më të mirët koreografë gjermanë, dirigjent Desar Sulejmani, një pianist i shquar e me mjaft turne në Evropë, Kinë e deri në Japoni. Nga Moska do të vijë i ftuar bass-i Alexei Mochallov. Në këtë projekt bashkohet muzika klasike, me muzikën tonë më të mirë popullore dhe patriotike. Pjesë e projektit është edhe këngëtarja Eli Fara, e cila do të këndojë vargjet e Peçit në stil popullor. Për këtë realizim është angazhuar edhe artisti shqiptar, i cili punon në studiot e Hollivudit, Ergi Kuke, djali i artistëve të njohur Zerina e Pali Kuke. Orkestra do të jetë ajo e TKOB së bashku me një ansambël koral. Ky balet merr një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh faktin që kanë kaluar më shumë se 26 vjet pa një premierë absolute baleti që nga koha e “Gjergj Elez Alia” të Feim Ibrahimit.