E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi sot në sitën e Këshillit Bashkiak

05/04/2012  Banesat sociale, kalojnë për miratim 419 kreditë për familjet me dosje të rregullta

Pjesë e mbledhjes edhe privatizimi i banesave shtetërore për 75 familje

Miratimi i qindra kredive për familjet e pastreha të kryeqytetit janë kryefjala e mbledhjes së sotme të këshillit bashkiak. Pas një mungese pothuajse dyvjeçare, këshilli do t’i hapë udhë procesit të miratimit të kredive për familjet e klasifikuara me dokumentacion të rregullt për t’u trajtuar nga programi i kredive të lehtësuara që ofron Bashkia. Pas verifikimeve të bëra nga komisioni i strehimit, i cili është mbledhur dy ditë më parë, mbi mijëra aplikime të depozituara, janë detajuar edhe 419 familjet kryeqytetase që do të kalojnë më tej për të konkretizuar procedurat e marrjes së kredive me bankën e përzgjedhur. Kreu i këshillit, Njazi Kosovrasti, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme se projektvendimet e parashikuara në dy pikat e para të rendit të ditës për “trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë” synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës, duke lejuar familjet e pastreha që të marrin kreditë për blerjen e banesës, interesat e së cilës do të subvencionohen në masën e përcaktuar nga Bashkia e Tiranës. Aplikuesit që gjejnë emrin në listën përkatëse, e cila tashmë është shpallur edhe në ambientet e zyrës së Informimit Qytetar të Bashkisë, duhet të paraqiten pranë saj për të bërë rikonfirmimet në lidhje me të dhënat përfituese. Burime pranë komisionit të strehimit bëjnë me dije se janë edhe qindra aplikues të tjerë, të cilët nuk janë parashikuar për përfitim në këtë fazë, pasi në dosjet e tyre janë konstatuar mungesa të shumta mbi plotësimin e kritereve përfituese. Si rrjedhojë e mungesave të konstatuara, dosja penalizohet me përjashtim nga gara e marrjes së kredive në këtë fazë. Këta aplikues duhet të paraqiten sërish pranë ambienteve të Bashkisë për të risistemuar dosjet me dokumentet dhe të dhënat e munguara për t’u trajtuar me kredi në fazat e mëpasshme. Ndërkohë që aplikimet e reja për të pastrehët do të jenë të hapura në çdo kohë pranë njësive bashkiake.

Një tjetër projektvendim që do të shqyrtohet në mbledhje është edhe miratimi i përfundimit të procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit. Sipas përcaktimeve të bëra në këtë projektvendim, tashmë janë identifikuar edhe 75 familjet kryeqytetase që për 20 vjet me radhë kanë jetuar në banesa me pronësi shtetërore, por që me ndryshimet e bëra mund të lidhin marrëveshjet para noterit publik, në mënyrë që të mund të përfitojnë edhe kontratën e privatizimit të banesës. Rëndësi të veçantë këshilli do t’u kushtojë dhe pesë vendimeve të tjera të parashikuara në rendin e ditës e që kanë të bëjnë konkretisht me krijimin e galerisë së artit bashkëkohor “Tirana Art Gallery”. Kjo galeri do të krijohet pranë zyrave të dekorit të Bashkisë së madhe. Një tjetër vendim i parashikuar është edhe ai për vendosjen e pllakës memorial në kujtim të holokaustit, në shëtitoren pranë parkut të madh të liqenit dhe emërtimin e një shkolle të re në Laprakë me emrin e poetit kombëtar Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i shqiptarëve”. Për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë këshilli do të kalojë sot për miratim edhe projektvendimet për ristrukturimin e qendrës sociale “Të Qëndrojmë së Bashku”, Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe Familjet në Nevojë dhe Qendrës Komunitare për të Moshuarit, miratimin e strukturave të tyre organizative si dhe rishpërndarjet në buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 dhe një ndryshim në vendimin për kalimin kapital të asetit “pjesë e objektit” të Ndërmarrjes Shërbimeve Mekanike, duke e bërë qendër sociale.

Këshilli do të diskutojë sot 8 projektvendime :

Dy projektvendime për trajtimin e familjeve që përfitojnë nga projekti për subvencionimin e interesave të kredisë për banesat me kosto të ulët.

Projektvendimin për miratimin e përfundimit të procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit.

Një prej tetë projektvendimeve të paraqitura për shqyrtim dhe miratim është edhe krijimi i galerisë së artit bashkëkohor “Tirana Art Gallery”.

Një tjetër projektvendim që do kalojë sot për miratim është edhe ai për vendosjen e pllakës memorial në kujtim të holokaustit në shëtitoren pranë parkut të madh të Liqenit dhe emërtimin e një shkolle të re në Laprakë me emrin e poetit kombëtar Gjergj Fishta, i cilësuar si “Homeri i shqiptarëve”.

Këshilli Bashkiak do të shqyrtojë edhe projektvendimet për ristrukturimin e qendrës sociale “Të Qëndrojmë së Bashku”, Qendrës Komunitare Multidisiplinare për Fëmijët dhe Familjet në Nevojë dhe Qendrës Komunitare për të Moshuarit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›