Dogana e Durrësit, 1 mln $ më pak se plani
TIRANE-Efektet e krizës ekonomike botërore janë shfaqur në mosrealizimin e të ardhurave nga ana e Doganës së Durrësit, e cila është edhe dogana më e madhe e vendit tonë. Burime konfidenciale në Doganën e Durrësit, bëjnë me dije se plani i saj për muajin mars nuk është realizuar. Plani i parashikuar për muajin që shkoi ishte 2,4 miliardë lekë, në një kohë që u arkëtuan 2,3 miliardë lekë. Konvertuar në dollarë, plani ishte për 24 milionë, por në fakt u mblodhën 23 milionë USD, pra 1 milion dollarë më pak se planifikimi, ose 100 milionë lekë më pak. Në marsin e vitit 2006, Dogana e Durrësit pati arkëtuar 2,4 miliardë lekë. Pas 3 vjetësh, ajo nuk ka arritur ta barazojë këtë shifër. Shkaku i parë i mosrealizimit është rënia e sasisë së mallrave të importeve në portin më të madh të vendit. Janë importuar më pak lëndë ndërtimi, produkte ushqimore, pajisje elektroshtëpiake e të tjera mallra, që më parë shkarkoheshin në portin më të madh të vendit. Shkaku i dytë, i cili ka pasur ndikimin e vet për mosrealizimin e planit doganor, është kufizimi i importit të naftës D2. Edhe pse grosistët e karburanteve e kanë zëvendësuar atë me naftën D-1, rezultati nuk ka qenë ai që pritej. Ndërkohë, edhe eksportet që kalojnë nëpërmjet doganës së Durrësit kanë pësuar ulje. Të tilla janë mineralet si kromi, bakri dhe hekurnikeli, fasonët, si dhe skrapi.
(s.g/BalkanWeb)