E Diel, 1 Nëntor 2026

Dogana e Durrësit bllokon sasi mielli jashtë afateve të përdorimit

TIRANË, 17 shkurt/ATSH/ Dogana e Durrësit njoftoi sot se ka bllokuar një sasi mielli jashtë afateve të përdorimit.

Gjatë kontrollit fizik në ambientet e një subjekti tregtar, i pajisur me autorizim për përdorimin e Regjimit të Përpunimit Aktiv, punonjësit e doganës kanë bllokuar mallra që u kishte kaluar afati i përdorimit, referuar datës së skadencës.

Nga punonjësit e doganës është bllokuar sasia 2,500 kg miell orizi, me datë skadence 1 prill 2025 dhe sasia 5150 kg miell për pica, me datë skadence 7 prill 2025.

Dogana e Durrësit ka nisur procedurat, në bashkëpunim me strukturat e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në parashikim të kompetencave përkatëse, deri në asgjësimin e mallit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave shpreh angazhimin maksimal për zbatimin e ligjshmërisë dhe nxit operatorët ekonomikë për respektimin e detyrimeve për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së shtetasve.

/m.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›