E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat: Për kontrabandën e Naftës i lajmëruam autoritetet para Dritan Priftit

14/03/2011  Deklaratë sqaruese e Drejtorisë së përgjithshme të Doganave

TIRANË- Drejtoria e Doganave deklaron se për kontrabandën e naftës virgen janë njoftuar strukturat e posaçme që në muajin mars të vitit të kaluar. Në njoftimin për shtyp thuhet se “ashtu siç kemi njoftuar në komunikatën tonë të datës 13.10.2010, nga Shërbimi Doganor, për raste të dyshimta për mundësinë e kondrabandimit të naftës Virxhin me anë të eksporteve fiktive, investigimi ka filluar kohë më parë se z. Dritan Prifti të jepte këtë indicie dhe nuk është influencuar në këtë investigim nga asnjë lloj ndërhyrje apo deklarate të bërë në media e më gjerë. Në muajin mars 2010 autoritetet doganore i janë drejtuar strukturave homologe për verifikimin e rasteve të dyshimta. Rezultatet e hetimit, si dhe përgjigjet e ardhura nga strukturat homologe ku evidentohet një diferencë në peshë midis deklaratave të eksportit të depozituara pranë autoriteteve doganore shqiptare dhe deklaratave të importit të depozituara pranë autoriteteve doganore të vendit të destinacionit i janë vënë në dispozicion në vazhdimësi organeve kompetente”,- thuhet në njoftim. Doganat vazhdojnë deklaratën e tyre duke u shprehur se “Gjithashtu, informojmë se ndërmjet Drejtorisë së përgjithshme të Doganave dhe Njësisë Task Forcë të Prokurorisë Tiranë ka një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe intensiv për zbardhjen e kësaj çështjeje. Rezultatet e arritura në hetimin e kësaj çështjeje janë mbështetur kryesisht në ekspertizën teknike dhe dokumentacionin e vënë në dispozicion nga Autoritetet Doganore. Drejtoria e përgjithshme e Doganave është e motivuar dhe angazhuar në luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal e në veçanti në fushën e hidrokarbureve”.

Eksportet me Libinë

Ndërkaq, në lidhje me eksportet shqiptare me destinacion Libinë, Autoritetet Doganore Shqiptare, në mungesë të një marrëveshje dypalëshe për asistencë të ndërsjelltë administrative në fushën e veprimtarisë doganore, e kanë të pamundur verifikimin e tyre në shtetin libian. Autoritetet Doganore Shqiptare vazhdojnë investigimin për këtë çështje dhe informojnë në vazhdimësi, për çdo rast organet kompetente duke dhënë njëkohësisht dhe një ekspertizë profesionale.

Arrestimet

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ndaj personave të arrestuar janë ngritur disa akuza, që kanë të bëjnë me falsifikimin e dokumenteve dhe me mashtrimin. Njësia Task Force pranë Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë ka regjistruar me iniciativën e saj procedimin penal nr. 4155, datë 13.10.2010, për veprat penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”, “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”, ka deklaruar Prokuroria e Përgjithshme të premten. Sipas saj, kontrabanda e naftës ka ndodhur gjatë viteve 2007 – 2009. Sasi të konsiderueshme të nënproduktit të naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si virgin janë tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum. Sipas Prokurorisë, ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat “Euroil” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj, si dhe në bashkëpunim me subjektin tjetër privat “Fisheku” sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku.

Përzierja e naftës me benzinë

Sipas hetimeve të Prokurorisë, sasia e naftës së papërpunuar, e cila është qarkulluar nga kompanitë “Fisheku” dhe “Euroil”, është rifutur në tregun shqiptar në mënyrë të dëmshme dhe abuzive. Mësohet se nafta virgin, lëndë e papastër, është përzier një kilogram virgin me dy kilogram benzinë të pastër. Sipas Prokurorisë, pasojat e këtij krimi kanë ndodhur në amortizimin e automjeteve dhe çlirimin e sasive të mëdha të lëndës ndotëse në ambientin e vendit.

Përfitimi në koston financiare

Përfitimi financiar nga kontrabanda e naftës, sipas Prokurorisë, ka qenë në shifra të larta. Ndërkohë që duhej të paguanin për transportin dhe përpunimin e naftës virgin në vendet e huaja si Greqi apo Turqi, dy tregtarët e arrestuar duhej edhe të mbulonin kostot financiare të përpunimit të lëndës, për ta sjellë atë më pas në Shqipëri dhe për ta rihedhur në treg. Organi i akuzës ka pohuar se pa i bërë fare këto shpenzime transporti dhe përpunimi të naftës, dy kompanitë, “Fisheku” dhe “Euroil”, e kanë hedhur në tregun shqiptar naftën e papastër.

Arrest me burg

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata e kryeqytetit ka vendosur në mungesë masën e sigurisë arrest me burg për 14 personat e akuzuar në çështjen e kontrabandës së naftës virgin. Para se ata të arrestoheshin, Prokuroria ka paraqitur provat në gjykatë dhe u ka kërkuar togave të zeza autorizim për të vendosur në pranga 14 personat e dyshuar. Gjykata e Tiranës, duke iu referuar akuzave të ngritura, dëmit ekonomik të madh dhe pasojave të veprës penale të kryer, sipas Prokurorisë, ka vendosur masat e arrestit me burg. Sipas organit të akuzës, duke nisur nga dita e hënë, shtetasve të arrestuar vetëm do tu njoftohen masat e vendosura nga gjykata, por nuk pritet të bëhet rivlerësim i këtyre masave.

Personat e arrestuar

Hajri Hajredin Elezaj, biznesmen

Ilias Isa Fisheku, biznesmen

Martin Ilias Fisheku, biznesmen

Bajram Isa Fisheku, biznesmen

Dashamir Veiz Kasaj, inspektor tatimesh, Fier

Edmond Kaso Ferraj, doganier, Vlorë

Flamur Rexhep Merkaj, punonjës

Vladimir Kilo Koteci, punonjës

Gani Llazar Prençe, punonjës

Reshat Hamza Aleksi, punonjës

Kadri Rakip Hajredini, punonjës

Fadil Abdurrahmani, shofer i boteve

Gazmend Serjani, shofer i boteve

Një në kërkim

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›