Doganat sekuestrojnë 660 kg veshje të padeklaruara, gjobë gjashtëfish e detyrimit të papaguar

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Autoritetet doganore kanë sekuestruar 660 kilogramë mallra të padeklaruara, kryesisht artikuj veshmbathjeje me etiketa të markave të njohura tregtare, gjatë një kontrolli të ushtruar në një mjet transporti me ngarkesë grupazhi të ardhur nga Turqia.
Operacioni u realizua nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet Sektorit të Monitorimit dhe strukturave të Mbrojtjes së të Drejtave të Pronësisë Intelektuale (IPR), në bashkëpunim me Degën Doganore Tiranë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës dhe shmangies së detyrimeve doganore.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, mjeti i transportit u përzgjodh për kontroll bazuar në analizën e riskut lokal dhe informacionin e siguruar nga strukturat përkatëse.
Nga kontrolli fizik u konstatuan 660 kilogramë mallra të padeklaruara, kryesisht artikuj veshmbathjeje me etiketa të markave të njohura tregtare, përfshirë BOSS, Moncler, Loro Piana dhe Polo Ralph Lauren.
Pas konstatimit të shkeljes, autoritetet doganore proceduan me sekuestrimin e mallrave dhe vendosjen e një sanksioni administrativ me penalitet në masën gjashtëfish të detyrimit doganor të papaguar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Administrata Doganore bën të ditur se vijon kontrollet për luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe forcimin e zbatimit të detyrimeve doganore, me synim mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
1 nga 4