Ibrahimaj: 38 degë bankare dhe 42 ATM të dëmtuara nga protestat, të marrë fund dhuna ndaj bizneseve

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibahimaj, ka reaguar lidhur me dëmtimet e shkaktuara ndaj bizneseve gjatë protestave studentore, duke kërkuar ndalimin e akteve të dhunës dhe shkatërrimit të pronës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministrja bëri të ditur se në të gjithë vendin janë dëmtuar 38 degë bankare dhe 42 bankomate, duke cenuar shërbimet e përditshme për qytetarët dhe bizneset. Ajo publikoi edhe fotografi nga bizneset dhe objektet e prekura nga dhuna e protestuesve.
Ibahimaj theksoi se, ndonëse kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe të trajtohen me seriozitet, protesta nuk duhet të shoqërohet me akte shkatërrimi.
“Në emër të protestës studentore, prej ditësh po dëmtohen biznese, prona dhe veçanërisht degë bankare e bankomate”, shkroi ministrja.
Sipas saj, pasojat e këtyre akteve nuk prekin vetëm subjektet e dëmtuara, por edhe qytetarët që varen nga shërbimet e tyre të përditshme.
“Askush nuk fiton nga kjo dhunë, pasojat do t’i vuajnë të gjithë”, u shpreh Inbahimaj, duke e mbyllur reagimin me një thirrje për ndalimin e situatës: “Kjo situatë duhet të marrë fund!”
1 nga 9/a.f/