E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: Negociatat e Topit, të vonuara. Të vihet në shërbim të zgjidhjes

Deputeti i PS-së, Namik Dokle, deklaroi dje se Presidenti i Republikës nuk mund ta quajë veten "të larë" nga kjo përgjegjësi, vetëm se thirri një tryezë që nuk dha rezultat


Z. Dokle, nga kontaktet që keni pasur si paraqitet gjendja e grevistëve?


Së pari, niveli i grevistëve nga pikëpamja shëndetësore vjen duke u përkeqësuar dhe siç kemi kontaktuar me mjekët që drejtohen nga z. Brokaj, ka shenja të rëndimit të situatës shëndetësore dhe siç e shini çdo ditë nga një apo dy grevistë dalin dhe shkojnë në spital. Ajo që duhet theksuar është se edhe ata që dalin dhe shkojnë në spital dhe pas rikuperimit të tyre kërkojnë të kthehen në grevë.


Natyrisht, për rikthimin e tyre vendimin e marrin mjekët, por ajo që dua të theksoj është se morali i grevistëve është në nivelet më të larta, një moral që na jep dhe ne forcë dhe na frymëzon, dhe që e ka bazën tek përkrahja e madhe e qytetarëve të Shqipërisë që nga 30 prilli gjenden këtu në shesh me ne duke na dhënë kurajë.


Grevistët tani kanë filluar të marrin serum, kanë filluar të marrin medikamente që janë të domosdoshme, por të gjithë grevistët thonë se serumi më i mirë për ne është përkrahja e qytetarëve. Në ditën e shtatë grevës duket se kanë nisur dhe ndërhyrjet e para të ndërkombëtarëve.


Presidenti Topi ka nisur një tur takimesh me përfaqësuesit e ambasadave kryesore në vend. Çfarë prisni nga këto takime?


Ndërhyrjet e ndërkombëtarëve janë shumë pozitive, sepse janë një shqetësim i drejtë i tyre për të gjetur zgjidhjen që Shqipëria të kapërcejë krizën politike, krizën institucionale, çka do krijonin shanset më pas për të kaluar dhe krizën ekonomike.


Ndërkombëtarët kanë fjalën, kanë sugjerimet, arsyetimin e tyre, por mendoj se zgjidhja nuk është në dorën e tyre, zgjidhja është e mbyllur në zgafellen e kryeministrisë, zgjidhja është e mbyllur në zyrat e kryeministrit dhe të kësaj qeverie që nuk dëshiron të dëgjojë zërin e mijëra e mijëra qytetarëve që kërkojnë gjënë më të thjeshtë në këtë botë që është transparenca e votimit, transparencën e kutive të votimit, transparencën e dokumentacionit të plotë të votimit, sepse pa këtë transparencë nuk mund të ketë as zgjedhje të lira, as zhvillim demokratik, as qeverisje normale të një shteti.


Kjo zgafelle duhet të hapë dyert e arsyet, sepse përndryshe do të mbajë përgjegjësi qeveria dhe kryeministri i saj. Nuk kanë përgjegjësi as faktori ndërkombëtar, as ambasadorët, as analistët, përgjegjësia mbetet tek kryeministri.


A është e nevojshme një tryezë e dytë?


Unë mendoj që presidenti Topi është tepër i vonuar, sepse rezoluta e Këshillit të Europës, e cila e trajtoi me shumë kujdes dhe vëmendje krizën e trefishtë në Shqipëri, i dha presidentit një rast të madh në dorë, i krijoi tryezën politike nga ana e tij. Ai bëri një tryezë dhe e mbylli me kaq dhe e quajti të mbyllur tryezën e tij me faktin që opozita shkoi në parlament.


Por, ama, opozita shkoi në parlament, duke paraqitur dy dokumente të rëndësishme: një projektligj për komisionet hetimore dhe një projektvendim për ngritjen e komisionit hetimor. Të dyja këto u hodhën poshtë nga mazhoranca. Prandaj, mos ta quajë veten presidenti të larë nga kjo përgjegjësi, vetëm se thirri një tryezë. Realisht, çfarë rezultati dha kjo tryezë.


Ai duhet të japë përgjegjësinë e vet dhe duhet ta vërë postin e vet kushtetues në shërbim të zgjidhjes së kësaj krize. Dhe ekuacioni i zgjidhjes ka vetëm një zgjidhje, hapjen e kutive. Modalitetet sesi do hapen, si do hapen dhe çfarë do shikohen është çështje tjetër, por zgjidhja e ekuacionit është hapja e kutive.


Në rast se do thirret një tryezë, ju do të uleni?


Ne e kemi kërkuar dialogun, por tavolinë për të parë seksin e engjëjve ne nuk ulemi, tavolinë për të zgjidhur ekuacionin ne ulemi, por duhet ditur se zgjidhja është vetëm hapja e kutive. Të ulemi në tavolina ku të diskutohet për filozofira nga më të ndryshme, ajo është e pavlefshme.


Pretendimet e zotit Berisha se gjykatat kanë marrë një vendim janë absurde dhe dizinformuese, sepse populli e di shumë mirë që nuk ka një vendim gjykate të tillë, por ka vetëm një vullnet të qeverisë për të mbajtur kutitë të mbyllura.


Vendimet e gjykatave nuk kanë të bëjnë fare me kutitë, ato kanë të bëjnë me mandatet, për të cilat ne nuk kemi pretenduar dhe nuk pretendojmë. Ndaj nuk ka asnjë pengesë nga gjykatat për të hapur kutitë.


Ora 10:30
Presidenti Bamir Topi pret zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Takimi ka zgjatur 30 minuta dhe në të mësohet se është diskutuar lidhur me krizën politike dhe mundësitë e zgjidhjes së saj.

Ora 11:10
Presidenti Topi zhvillon një takim me ambasadorin amerikan Xhohn Withers. Objekt i bisedës siç konfirmoi më pas zyra e presidentit ka qenë sërish kriza dhe greva e urisë së deputetëve socialistë.


Ora 11:55
Grevisti nga Korça, Niko Gora, transportohet në gjendje të rënduar shëndetësore në spitalin "Nënë Tereza". Shkak ishte pakësimi i sheqerit në gjak.

Ora 12.00
Presidenti i Republikës pret në zyrën e tij ambasadorin e Spanjës, Montobio, dhe atë të KE-së, Lohan. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, në takim është folur për situatën politike në vend.

Ora 12:44
Rikthehet në çadër grevisti Demo Muhaj për të vijuar sakrificën e tij. Muhaj u dërgua një ditë më parë në urgjencë në spital për shkak të tensionit të lartë.

Ora 13:20
Në ditën e 7 të grevës shënohet rasti i dytë kur grevistët për shkak të përkeqësimit të shëndetit dërgohen në spital. Ai është Edmond Prifti nga Patosi.

Ora 13:40
Ish-kreu socialist, Fatos Nano, takohet për të drekuar në një nga lokalet luksoze të kryeqytetit me Ministrin e Brendshëm Lulëzim Basha.

Ora 18:00
Opozita proteston sërish në bulevard përballë kryeministrisë. Drejtuesit e lartë të PS-së, por edhe grevistët, thanë se nuk do të tërhiqen

20:39
Grevisti 40-vjeçar, Isa Arapi, transportohet me ambulancë për në spital, për shkak të komplikacioneve me gjendjen shëndetësore.

Ora 20:56
Rëndohet gjendja shëndetësore e deputetit të PS-së, Blendi Klosi. Ky i fundit ka marrë serum nga çadra, për shkak se vuan nga diabeti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›