E Diel, 1 Nëntor 2026

PE, Pitela: Takimet mes liderëve për zgjidhjen e krizës janë të mirëpritura

Zv.presidenti i Parlamentit Europian mbështet grevën e urisë: "Duhet një reformë sa më e shpejtë"


TIRANË - Zv.presidenti i Parlamentit Europian, Xhovani Pitela, mbështet grevën e 22 deputetëve të PS-së dhe 200 përkrahësve të saj. Ai është shprehur në mbështetje të çdo përpjekjeje për realizimin e një reforme të saktë dhe të shpejtë. Pitela ka mirëpritur gjithashtu edhe mundësinë e një takimi mes Ramës dhe Berishës, vetëm nëse ajo do të ishte në funksion të zgjidhjes së krizës.


Zoti Pitela, ju keni vizituar Shqipërinë vetëm disa muaj më parë, por, duke parë mungesën e një marrëveshje midis dy partive kryesore në vend, kush mendoni se do të ishte zgjidhja për t'i dhënë fund ngërçit politik?


Ne jemi të ndërgjegjshëm për problemet që ekzistojnë midis dy forcave kryesore politike në vend, që u krijuan fill pas zgjedhjeve të 28 qershorit dhe që vazhdojnë ta mbajnë akoma të tensionuar situatën midis dy kampeve.


Ne shprehim shqetësimin tonë, pasi një numër i madh përfaqësuesish të PS-së janë futur në grevë urie dhe ne bashkohemi me qëndrimin e tyre. Ne, gjithashtu jemi të ndërgjegjshëm se ky veprim ekstrem i Partisë Socialiste është ndërmarrë vetëm për të bërë transparente rezultatet e vërteta të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Kështu që ne mbështesim çdo përpjekje për zgjidhjen konfliktit bazuar në nevojën e një reforme të saktë dhe të shpejtë të (Kodit Elektoral Shqiptar) (Ligji i zgjedhjeve), i cili do të lejonte institucionet shqiptare të përballeshin me problemet aktuale që po kalon vendi juaj. Të gjitha propozimet mbi reformat që bëjnë thirrje për më tepër transparencë dhe duan forcimin e shtetit ligjor duhet të merren në konsideratë.


A mendoni se një takim midis Berishës dhe Ramës do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit?


Ashtu si në të gjitha demokracitë funksionale, takimet midis liderëve të partive kryesore ose të fraksioneve të tjera brenda partive që do të ndihmonin sadopak në zgjidhjen e problemeve janë gjithmonë të mirëpritura.


Duke qenë një anëtar i delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë, a mendoni se kriza politike pas zgjedhjeve është një tregues negativ për integrimin e Shqipërisë në BE?


Ne jemi të shqetësuar mbi mungesën e progresit, përtej krizës politike, i cili mund të ndikojë hapat e rëndësishme që Shqipëria tashmë ka hedhur në drejtim të integrimit të saj në të ardhmen në BE. Ne urojmë që të ndërmerren përpjekje të mëtejshme për të arritur dialogun politik mes palëve, ku Parlamenti Europian do të japë një mbështetje të madhe për t'ia arritur këtij qëllimi.


Por, duhet të jemi realistë dhe të themi se ka ende shumë për të bërë nga ana e partive politike shqiptare. Kështu që besoj se një klimë pozitive midis forcave të ndryshme politike mund të jetë një ndihmë e vlefshme në këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›