E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transportonte drogë për në Greqi, pranga parukieres

KAKAVIJË- "Parukierja" bllokon 11 kilogramë lëndë narkotike të destinuar për në shtetin grek dhe vë në pranga një të re nga Gjirokastra. Droga po transportohej me një autobus të linjës Gjirokastër- Athinë dhe është zbuluar në bazë të informacioneve të mbërritura në rrugë operative.


Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së të enjtes, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës është paraqitur autobusi i linjës Gjirokastër - Athinë, në sediljen e parafundit të të cilit janë konstatuar dy çanta, të mbushura me pako të mbështjella me letër natriban ku brenda tyre kishte lëndë narkotike të dyshuar si marijuanë. Nga ana e Policisë Kufitare është bërë bllokimi i autobusit dhe i pasagjerëve si dhe i një shtetaseje, që ishte ulur në këtë sedile ku u konstatuan çantat.


Në vendngjarje kanë mbërritur Specialistët e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar dhe nga veprimet e kryera rezultoi se në çantat që u gjetën në sediljen e autobusit, kishte 11 pako të mbështjella me letër natriban, të mbushura me lëndë narkotike marijuanë me peshë 1 kilogramë secila.


Pas hetimeve poseduese e kësaj sasie lënde narkotike ka rezultuar 27- vjeçarja Pranvera Këndella nga Gjirokastra, me profesion parukiere, e cila është arrestuar, ndërsa shoferi dhe pasagjerët, pasi kanë dhënë deklarimet e nevojshme kanë vijuar udhëtimin e tyre. "Trafik ndërkombëtar i lëndëve narkotike" është vepra penale që rëndon mbi të, ndërsa çështja do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.


E.Kaso

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›