Doktorata Dr, kreditet për ta fituar
Edukimi në ciklin e tretë të studimeve, apo siç është i njohur ndryshe me titullin doktoraturë, nuk do të pësojë ndryshime të mëdha, sipas projektligjit të arsimit të lartë, përveçse disa kritereve kualifikuese. E para është gjuha e huaj, e cila duhet të jetë e certifikuar nëpërmjet testeve ndërkombëtare dhe e dyta, që kandidati doktorant duhet patjetër të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve dhe të ketë marrë titullin “Master i shkencave”. Këto janë dy kriteret kryesore të vendosura në projektligjin për disa amendime në ligjin e arsimit të lartë. Konkretisht, këto dy kritere janë më të rëndësishme, më pas kriteret e veçanta për t’u përmbushur janë nën kompetencën e Institucionit të Arsimit të Lartë. Pas miratimit të një liste të gjatë kuotash për doktoraturë, nga Këshilli i Ministrave, pas gjithë ankesave dhe diskutimeve të studentëve kandidatë për doktorantë, sqarimet kryesore dhe dytësore lidhur me ciklin e tretë të studimeve janë paraqitur në projektligjin e arsimit të lartë.
Organizimi dhe udhëheqjaPër organizimin dhe drejtimin e studimeve të doktoratës dhe të kualifikimit shkencor e pedagogjik pas doktoratës në njësitë kryesore të institucioneve të arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe studimi të ciklit të tretë, ngrihet këshilli i profesorëve. Këshilli i profesorëve mund të ngihet edhe në nivel të institucionit të arsimit të lartë, kur njësitë kryesore të tij nuk përmbushin numrin e nevojshëm të profesorëve me kohë të plotë. Nuk mund të jenë anëtarë të këshillit të profesorëve individë që kanë dalë në pension edhe në rastet kur ata janë të angazhuar në mësimdhënie në një Institucion të Arsimit të lartë.
“Kanë të drejtë për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”, ose një diplomë ekuivalente me të dhe që kanë grumbulluar në studimet universitare të ciklit të parë dhe të dytë së paku 300 kredite, si dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të pacaktuara nga institucionet përkatëse”, thuhet në projektligj.
KriteretNë studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i Shkencave”.
Këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike.
Institucionet e arsimit të lartë në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike, vendosin kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës.
Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë standarde dhe kritere kualifikuese për njohjen e gjuhës angleze mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve.
Kandidatët që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës.
#