Doktori i Totit kuron lojtarët e kampionatit shqiptar të futbollit
Doktori i ikonës së klubit të njohur italian, Romës, Françesko Toti, por edhe shumë futbollistëve të tjerë të shquar në Serinë A italiane, kurojnë prej më shumë se një viti lojtarët e kampionatit shqiptar të futbollit. Sikurse është mësuar së fundmi, bëhet fjalë për një ekip kirurgjikal ortopedik i përbërë nga profesionistë italianë të nivelit të lartë, si prof. dr. Morasso, dr. Modonesi, dr. Lasagna etj., i mbështetur nga kolegë ortopedë dhe fizioterapistë shqiptarë. Secili prej kirurgëve italianë është i specializuar dhe ka eksperiencë shumëvjeçare në një degë të caktuar të ortopedisë (kirurgji e kockave dhe kyçeve). Në një deklaratë të dhënë për “Shqip” nga doktor Skerdilajd Faria, specialist në anestezi-reanimacion, grupi prej një viti punon me futbollistët shqiptarë. “Kryejmë vizita dhe operacione të nivelit të lartë në Tiranë si: kirurgji artroskopi të gjurit, shpatullës, kaviljes, riparime të legamenteve kroçat, menisqeve, kirurgji të këmbës etj.”, shprehet doktori Faria. Me krenari them që dr. Modonesi ka punuar për 3 vjet si krahu i djathtë i prof. Mariani, ortoped i shquar me famë botërore dhe bashkë kemi marrë pjesë edhe në operacionet e shumë futbollistëve të famshëm në Romë, si Tomazi, çivu, Ferrari, Akardi, Santakroçe, Skiaça, kapitenit të Romës Françesko Toti etj. Në Tiranë kemi operuar me shumë sukses futbollistët Alban Kuçi, Julian Gërço, Arbër Dhrami, Armando Myrtaj, Oriad Beqiri, Norion Spaho, Elio Dubali”. Ata janë një ekipi ortopedik referent për skuadrat e Dinamos, Apolonisë, Flamurtarit, Besës etj. Aktualisht mbërrijnë në Tiranë të paktën 2 herë në muaj për të bërë vizita dhe operacione. “Niveli i lartë profesional, serioziteti në punë, humanizmi garantojnë një cilësi të lartë të punës sonë, thekson doktor Faria. Dëshira jonë është që profesionalitetin tonë ta vëmë edhe në shërbim të sportistëve shqiptarë”. Si zakonisht, dr. Modonesi vjen në Tiranë edhe në fillim të gushtit për të kryer vizitat e radhës. Me ekipin e Apolonisë kanë tashmë një kontratë bashkëpunimi dhe prej një viti kryejnë rregullisht vizitat e kontrollit, si dhe operacionet e futbollistëve, në rast nevoje. Po ashtu, mësohet se kanë nënshkruar një marrëveshje edhe me zëvendëspresidentin e Dinamos, Avni Braçe, për të kryer vizitat gratis për futbollistët e tyre. Kjo traditë do të vazhdojë edhe sivjet, ku është planifikuar kurimi i disa lojtarëve të tjerë të kampionati tonë.
#