E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala, në pritje të ftesës së Kuzhesë

Mbrojtësi i Dande United shpreson në realizimin e ëndrrës së tij kuqezi

Karriera si futbollist i ka ecur mirë deri tani, por ka një ëndërr, Kombëtaren kuqezi. Ky është Andis Shala, futbollisti kosovar i lindur në Gjermani, por që aktualisht luan në radhët e skuadrës skoceze të Dande United. Ka pasur kontakte me teknikun e kuqezinjve, Josip Kuzhenë, por ende nuk ka marrë një ftesë për t’u bërë pjesë e kuqezinjve. Sulmuesi i rikthyer në qendërmbrojtës, që luan për fituesin e Kupës së Skocisë, Dande United, për momentin ndodhet bashkë me ekipin e tij në fazën përgatitore parasezonale në Belfast të Irlandës. Andisi, në të njëjtën kohë ka shprehur shumë interes në lidhje me grumbullimin e tij të mundshëm në radhët e Kombëtares së Shqipërisë dhe është në pritje për të konkretizuar aktivizimin e tij me kuqezinjtë. Ai për momentin është i fokusuar në Europea League dhe ka dëshirë që për kundërshtar të ketë gjigantin italian Juventus, Bajern Leverkusenin apo VfB Shtutgartin. Arsyeja është se gjithmonë i ka pëlqyer stadiumi i Torinos, ku luan ndeshjet ekipi i Juventusit. Ndërsa Mikael Balak është një futbollist, të cilin talenti shqiptar e njeh që nga koha kur i ati, Kujtimi, luante në ish-qytetin e Karl Marksit, për Chemnitzer FC dhe gjatë kohës që u transferua te Kaizerslautreni. Balak disa herë ka bërë vizita në familjen Shala në Manhajm. Si dhe VfB Shtutgartin, e preferon, sepse është vetëm 60 km larg vendbanimit të Andisit dhe do ketë një prezencë të madhe te mediat lokale e kombëtare gjermane. Por, përveç kësaj, mendja e tij është edhe te Kombëtarja kuqezi, për të cilën ai ka shprehur interes dhe ka dëshirë që të luajë. Babai i tij, Kujtimi, thotë për “Albaniasoccer”: “Kam folur me trajnerin kroat të përfaqësues, Josip Kuzhe, jo vetëm për këtë problem, por edhe për shumë gjëra të tjera. Kuzhesë nuk i është krijuar mundësia që ta ndjekë direkt Andisin në ndonjë ndeshje. Deri tani është penguar ta realizojë një gjë të tillë për arsye të ndryshme. Por jam i sigurt që nëse Dande do të luajë në Europa League me ndonjë nga skuadrat e lartpërmendura, të cilat i preferon edhe vetë Andisi, Kuzhe do të ketë mundësi ta shikojë në ndeshje, në TV dhe ndoshta i rritet interesimi, sepse, mesa di unë, mbrojtja është një nga pikat ku Shqipëria gjithnjë ka pasur nevojë improvizimi, siç janë shprehur shumë specialistë, qoftë edhe trajnerë të mëparshëm. Shpresoj që diçka pozitive të ndodhë në të ardhmen, pasi do të doja që kjo dëshirë e Andisit të realizohej", u shpreh Kujtimi, ish-futbollisti i Kombëtares së Kroacisë dhe shumë skuadrave të tjera të njohura.

Andisi e ka nisur karrierën si futbollist me të rinjtë e Hanover 96 në vitin 1999. Më 2006-n ai u grumbullua për herë të parë në radhët e të rriturve të skuadrës, ku kapiten ishte shqiptari Altin Lala, por edhe pse ishte pjesë grupit, nuk mundi kurrë të fitonte konkurrencën me veteranët në ekip. Më 2008-n u transferua si talent në radhët e ekipit të Manhajmit, me secilin mundi të aktivizohej 9 ndeshje, duke shënuar 2 gola. Nga 2009-a luan me Dande United, ku ka koleksionuar 20 prezenca.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›