Rapidi e Salihi zhgënjejnë në ndeshjen e kampionatit
Rapidi dhe sulmuesi shqiptar Hamdi Salihi kanë zhgënjyer në ndeshjen e kësaj jave të kampionatin austriak të futbollit. Ky është komenti i mediave vendase, sipas të cilave, bomberi shqiptar, i cili e nisi ndeshjen që nga minuta e parë, la shumë për të dëshiruar me lojën e paraqitur në këtë sfidë, ku Rapidi është mundur me rezultatin 2-1 në shtëpi nga SC Magna Vr. Nojshtat. Kjo është humbja e dytë radhazi e gjigantit të futbollit austriak, i cili e komplikon akoma edhe më shumë situatën e skuadrës, që për momentin pozicionohet në vendin e tetë, pas dy humbjesh në dy ndeshjet e para të sezonit. Ndërkohë vlen për t’u theksuar se sulmuesi shqiptar i ka pasur shanset e tij për të bërë një paraqitje të mirë, por ai nuk ka mundur të realizojë në asnjë nga rastet që iu paraqitën. Më pas është zëvendësuar nga trajneri Pakult, i cili ka shprehur pakënaqësi për formën e Salihit.
#