E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokupunk 2012

Para një dekade, nëse më kujtohet ashtu si duhet, unë isha pjesëmarrës në DokuFest me filmin sot antologjik dokumentar ‘Urban Cowboy’, protagonisti kryesor ishte nxjerrë nga rruga dhe ishte prezantuar para objektivit të Yll Çitakut (i cili atëbotë ishte shumë më aktiv në kamerë sesa në regjisorë) me të gjitha karakteristikat fizike e psikologjike të aktorëve joprofesionistë, të cilët e interpretojnë veten ashtu si janë në jetën e përditshme.

Vedat-dokumenti, atëbotë ishte inspirimi themelor, pavarësisht a ishte fjala për dokumentacion nga e kaluara apo për dokumentacionin nga e sotmja, pavarësisht a kemi të bëjmë me tregim të zakonshëm, i cili duhet të regjistrohet apo kemi të bëjmë me dukuri sociale-shoqërore, të cilat do të angazhojnë shikuesit. Ky dokument i ‘pastër’ kishte për obligim të ilustronte gjendje emotive, situata dramaturgjike pa deformime të realitetit, mirëpo normalisht shumë shpesh me një tendencë autoriale. Pas konfliktit në Kosovë, në një kohë relativisht të shkurtë, DokuFesti krijoi ndikim të madh në shoqëri.

Ky ndikim padyshim buronte nga veçoritë dhe karakteristikat biologjike të DokuFestit në kontekstin e shumë tendencave që të ruhet kjo veçori do të përcaktohen motive të shumëllojshme vjetore në mënyrë që audiencës t’i shpjegohen dukuri psikologjiko-sociologjike-estetike. Në vitet ’80 mua do të më kujtohet si në ëndërr aktiviteti i punk-bendit legjendar ‘Sex Pistols’ dhe difuzioni i këtij trendi përjashta qytetit të madh të Londrës. Revolta antishtetërore, antiideologjike ishte alternativa dhe depresioni. Tek ne në Kosovë pas konfliktit dhe zhdukjes se realizmit socialist, arti kinematografik ishte në rilindje dhe anarki simbolike.

Nëse një kinematografi është shumë e re, ajo është e pandashme nga zhvillimi vetjak dhe nuk guxon të përsëritet në vazhdimësi. Një nga meritat themelore të DokuFestit ishte se ishte në gjendje të krijojë një sintezë të jashtëzakonshme në mes të realitetit dhe estetizmit. Unë jam i mendimit se qysh nga vitet e para të ekzistencës në DokuFest ishte prezenca e rebelimit dhe tendenca për revoltë e distancë nga një shoqëri tradicionale. Në këtë festival me vite në vazhdimësi idealizohej realiteti, mirëpo edhe ekzistonte një negacion i asaj që na rrethonte nëpër kalldrëm. Në këtë festival me vite në vazhdimësi do të ilustrohen realitete përbrenda formave artistike, mirëpo edhe do të përjashtohen realitete të cilat kufizojnë emocione.

Unë nuk jam i mendimit se ky festival në këtë edicion duhet të shpjegohet kushtimisht, vetëm me ndihmën e punk-bendit finlandez ‘Pertti Kurikan’ ose asaj që nënkuptohet si ‘scream in to the microphone’, rebelimi në këtë qytet përfshin të gjithë, pavarësisht nga dallimet sociale ose pavarësisht nga mentaliteti arkaik i cili kinse ka për detyrë të sigurojë ‘rrojtar shpirti’, të cilët veprojnë kundër një ‘destruksioni’ ose ‘amoraliteti’ në këto rrethana një shikues i zakonshëm, i cili përcjell festivalin me ndihmën e një emocioni-rebelimi do të diskualifikojë imitacionin e realitetit duke e kanalizuar ‘libidon’ në drejtim të vlerave të shpirtit.

Kjo formë rebelimi përfshin të gjithë ata të cilët janë të interesuar në ‘identifikim’ dhe nuk krijojnë ‘distancë’ nga temat të cilat servohen në këtë edicion. Kjo formë rebelimi përfshin të gjithë ata të cilët vizitojnë ‘kino n’lum’ mund të shohin shishet e birrave të thyera nëpër kalldrëm ose mund ta hetojnë aromën e ‘barit’ në koncertin e bendit boshnjak ‘Rose-punk’, i cili vepron si moto në këtë edicion, do të zëvendësohet në edicionin e ardhshëm, mirëpo DokuFest vazhdon të mbetet ‘only the young’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›