E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 policet palestineze të Hebronit

Policet femra janë ende “krijesa” ekzotike në territoret palestineze. Por rëndësia e tyre po shtohet dita ditës. Femrat, të cilat për çdo ditë janë viktima të dhunës në Bregun Perëndimor, ju besojnë atyre më tepër se çdo kujt tjetër.

Ramadan Avad ka marrë një dekoratë për idenë e tij. Është nderuar nga Komisioni Evropian për Polici, Europoli.

Që nga viti 2006, evropianët kanë ndihmuar në krijimin e strukturave efikase të policisë në territoret palestineze. Krijimi i një njësie speciale të policisë palestineze, të përbërë nga femrat, duket se ka krijuar përshtypje.

Për këtë arsye, komandanti i policisë në Hebron është nderuar, për shkak të angazhimit të tij për të garantuar barazinë mes gjinive.

“Natyrisht, e kam thënë të vërtetën: Më nevojitet njësia e përbërë nga femrat, thjeshtë për shkaqe operative”, thotë Avad. Dhe kur flet për këtë gjë, ky polic korpulent fillon të qeshë, i ulur prapa tavolinës së tij.

Ngase qyteti më i madh në Bregun Perëndimor, Hebroni, konsiderohet edhe si qyteti më konservator në rajon, qytet në të cilin Hamasi islamik gëzon përkrahjen më të madhe të mundshme në Bregun Perëndimor. Në Hebron nuk mund të paramendohet që policët meshkuj të bastisin shtëpitë, në të cilat ka anëtare femra të familjes, shpjegon Avad. “Kriminelët tonë janë mjaft të mençur dhe po shfrytëzojnë këtë në favorin e tyre”, shton ai.

Femrat janë shfrytëzuar si bartëse të drogës, ngase ka qenë e pamundur që policët meshkuj të kryejnë kontrollin e tyre. Që nga momenti kur është krijuar njësia e policeve femra, narkotikët janë zbuluar në të brendshmet e femrave, e madje janë zbuluar edhe armë, të fshehura në fustanet e tyre të nusërisë, thotë Avad me ngazëllim. Së shpejti parashihet që edhe në bastisjet nëpër shtëpi të jetë e pranishme së paku një police femër.

Në Hebron aktualisht punojnë 900 policë. Nga 50 policet femra, 25 janë përzgjedhur për tu trajnuar në qendrën e policisë në Jeriho: Vetëmbrojtje, bastisje të shtëpive dhe kontroll trupor, të drejta të njeriut, taktika për qetësim të situatës dhe taktika për shpërndarjen e protestave.

Inschira Abu Allam e ka kaluar kursin. “Vërtetë ishte vështirë”, pranon ajo. Trajnimi nuk ka qenë i përshtatur ashtu siç duhet për policet femra. “Është dashur të bëjmë atë, që e kanë bërë edhe meshkujt”, thotë ajo.

Megjithatë, ishte pikërisht komandanti i policisë, Avad, që e kishte kërkuar këtë. “Të gjithë policët, meshkuj apo femra, duhet të jenë në gjendje të kryejnë obligimet e tyre”, thotë ai.

Kur Abu Allem u detyrua para ca kohësh të shpërndajë një protestë të femrave pjesëtare të Hamasit, ajo u detyrua të tërhiqet pa kryer detyrën. “Nuk kishim helmeta, nuk kishim përgatitjen e duhur. Tani jemi të përgatitura si duhet dhe ky nuk do të ishte më ndonjë problem për ne”, thotë ajo.

Ajo përmend rastin, kur koleget e saj u desh të ngjiten në kulmin e një shtëpie, pasi që banoret e shtëpisë nuk kishin pranuar të hapnin derën. “Kolegët tonë policë nuk do të kishin pasur guximin ta bënin këtë”, thotë Allem me krenari.

Në mesin e 8 mijë policëve palestinezë, sa janë sot në shërbim, 400 janë femra. Megjithatë, shefi i policisë palestineze, Hasim Atallah, po bën çmos që të trimërojë femrat që t’i bashkohen policisë. Dhe jo pa sukses: Femrat sot drejtojnë burgun e Ramallahut, stacionin policor në Beit Sahour, qendrën për koordinimin policor në Jeriho, qendrën për marrje në pyetje në Kalkilia dhe departamentin për mbrojtjen e femrave dhe të fëmijëve.

Edhe në Hebron, duket se pjesa më e madhe e kalimtarëve kanë një qëndrim pozitiv për punën e policeve.

“Komente të kota bëhen vetëm nga meshkujt. Ata pyesin se a di unë të përgatis ushqim dhe pse e ushtroj një funksion të meshkujve. Në mënyrë miqësore ju shpjegoj se të qenit polic nuk është një punë e meshkujve. Nuk ju them se me pëlqen të gatuaj, por vetëm pasi ta kem kryer shërbimin”, thotë Inschira Abu Allam. (Die Welt)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›