Volteri, një oportunist
Këto përfshijnë një pranim të firmosur nga vetë shkrimtari i shekullit të 18-të, për një grant prej 200 sterlina nga Familja Mbretërore. Shkrimtari dhe filozofi ka ndërruar shkrimin e emrit nga Francois në Francis. Profesori Nicholac Cronk shprehet për mediat britanike se Volteri ishte “mjaft oportunist”.
Për momentin janë 14 letra të sapozbuluara nga “Fondacioni Volter”, me bazë në Oksford, i cili ka në dorë një punë akademike kolosale, për të cilën do të duheshin 50 vjet për të prodhuar një vepër të përmbledhur përfundimtare të shkrimeve të Volterit. Kjo punë pritet të përfundojë në vitin 2018. Profesori Cronk, drejtori i fondacionit, thotë se letrat e reja, të gjetura në libraritë e SHBA-së, hedhin dritë mbi dy vitet që Volteri i kaloi në Angli gjatë viteve 1720 në fillimet e karrierës letrare.
Këto dokumente tregojnë kontaktet dhe lidhjet e formuara shpejtë me persona me pozitë dhe të kamur, dhe se ai u ndikua nga vepra e filozofëve dhe shkencëtarëve anglezë. Këto ide që përftoi në Angli, ai i mbarti në Europë, dhe prej kësaj, librat e tij filluan të lexoheshin në shumë vende, si të një intelektuali modern, ndërkombëtar e publik. Zona ku qëndroi kishte shumë personalitete me pozitë dhe të kamur me shtëpi dhe librari të mëdha, dhe Volteri i referohet disa herë vizitave në shtëpinë e Lord Bathurst në Richings, një shtëpi private fshati, në Buckinghamshire, e cila mbijetoi deri sa u shkatërrua pas Luftës së Dytë Botërore.
“Volteri erdhi në Angli si një poet pak a shumë i panjohur me nja dy rekomandime që ambasadori britanik dërgoi në Paris, dhe fakti që ai krijoi lidhje me aristokracinë tregon se ka qenë një individ i zoti të ngjiste shkallët e shoqërisë”, shpjegon profesori Cronk. Letrat janë shembulli i vetëm ku përdoret shkrimi anglez në vend të atij francez, pra Francis në vend të Francois.
Ky përdorim dallohet te çeku zyrtar i marrë nga gjykata britanike, çka i dha krahë karrierës së tij në moshë të re. Ai bëri një lëvizje të zgjuar duke i dedikuar një poemë Mbretëreshës së ardhshme Caroline, dhe profesori Cronk thotë se ka shumë gjasa që të ketë qenë vetë ajo që ka nxitur çekun prej 200 stërlina.
Por, kjo nuk është hera e fundit që mund të dëgjojmë për letra të tjera të Volterit, të zbuluara nga akademikë si profesori Cronk, i cili beson se mund të ekzistojnë me mijëra letra të panjohura deri më tani, përpos atyre 20.000 letrave që janë në duart e studiuesve.