Domenek fajëson mediat për dështimin e Francës në Botërorin 2010
Trajneri i Francës në largim, Raymond Domenek, dhe ish presidenti i Federatës së Futbollit, Zhan Pier Eskalet, u paraqitën para një komisioni parlamentar për të shpjeguar dështimin e madh në Kampionatin Botëror. Dëgjimi u bë me dyer të mbylluara.
Ligjvënësi Zhan-Fransoa Kope tha se dëshmia e Domenekut "nuk ishte shumë dinjitoze", dhe se ai u përpoq t'ia hedhë fajin mediave.
Dëgjimi u mbajt megjithë paralajmërimet nga kreu i FIFA-s, Sep Blater, i cili tha se kombëtarja rrezikon pezullimin nëse presidenti Nikolas Sarkozi apo liderët politikë ndërhyjnë në drejtimin e federatës.
Ligjvënësit u përgjigjën se Blateri nuk mund t'u thotë atyre se si ta bëjnë punën.