E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alia: 2 korriku ka lënë vragë në jetën politike të vendit


Më 2 korrik 1990 u hapën një sërë ambasadash të huaja në Tiranë e mijëra qytetarë vërshuan në to. Kjo ngjarje historike dha edhe sinjalin e rënies së regjimit komunist dhe të ndryshimeve demokratike në këtë vend.
Por si e përjetoi ish- Presidenti i fundit komunist i Shqipërisë, Ramiz Alia këtë ngjarje dhe si e vlerëson ai tani rrugën që ndoqi kjo udhëheqje për gati 50 vjet? Në një intervistë për "Deutsche ëelle" ish presidenti i Shqipërisë Ramiz Alia ka rrëfyer me detaje për këtë ngjarje e cila padyshim ka lënë vragë në jetën politike të vendit.
"Ngjarja e 2 korrikut ishte një paralajmërim, që situata në vendin tonë po acarohej. Natyrisht kjo qe një gjë e papritur për neve, ajo dyndje masive e njerëzve. Edhe shqetësim ngjalli. Problemi ishte që ajo duhej kapërcyer me qetësi. Në mënyrë që të mos ndodhte asnjë konflikt me masën e njerëzve, që të çonte në përdorimin e forcës. Ky ishte dhe shqetësimi kryesor ato ditë. Prandaj ne u morëm vesh në atë kohë me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Peres de Kuilar, i cili dërgoi një person të ngarkuar zyrtar të tij, që u mor vesh me ambasadat e huaja për të hyrë ato në marrëdhënie me qeverinë. Pra me ndërhyrjen e zotit de Kular u bë e mundur që ambasadat e ndryshme të na dorëzonin emrat e të gjithë shqiptarëve, që kishin hyrë nëpër ambasadat e huaja dhe qeveria jonë përgatiti pasaporta për të gjithë, të gjithë u pajisën me pasaporta shqiptare në mënyrë që largimi i tyre, i cili u bë në mënyrë të organizuar, të ishte jo më si refugjatë ilegalë, por si njerëz me pasaporta dhe ata shkuan në vendet ku ata dëshironin. Në këtë mënyrë mori fund si të thuash ajo etapë. Por kjo nuk do të thotë që situata në Shqipëri nga ky moment ndryshoi në kuptimin as pozitiv, as negativ" rrëfen Alia për këtë ngjarje.

Ai theksoi më tej se edhe pas rënies së Murit të Berlinit regjimi nuk donte të hiqte dorë nga socializmi.
Këtë ide që të hiqnim dorë nga socializmi, nuk e kishim. Rënia e Murit të Berlinit, ose më mirë përmbysja e sistemit komunist në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe në Bashkimin Sovjetik krijoi edhe tek ne një shqetësim, flas për udhëheqjen tonë. Unë në atë kohë padyshim mendova që duheshin bërë ndryshime në vend. Dhe ne filluam të marrim disa masa për një demokratizim të mëtejshëm të jetës së vendit tonë. Pra duke hequr dorë nga disa dogma edhe nga fusha e ekonomike dhe nga ajo politike si dhe nga disa vendime, që ishin marrë më përpara. Por e theksoj që të gjitha ato masa, që po mernim për demokratizimin e vendit nuk çonin në likuidimin e shtetit, në likuidimin e sistemit socialist. Midis masave të ndryshme vendosëm që në shtyp të linim mendimet e lira që të publikoheshin, te shfaqeshin mendime te ndryshme, ku pati në atë kohë artikuj të ndryshëm që dolën dhe nuk u morëm masa kundër këtyre njerëzve, përkundrazi pati diskutime mbi to. Natyrisht ishte një rrugë që ne kërkonim të kapërcehej kjo fazë, jo duke forcuar sistemin e diktaturës së proletariatit, por përkundrazi duke e dobësuar atë, duke hequr dorë nga ajo, por pa rrezikuar, pa hequr dorë nga socializmi" vazhdon rrëfimin e tij ish presidenti Alia.
Ai gjithashtu theksoi se komunizmi nuk mund të konsiderohet një rrugë e gabuar; pasi sipas tij rruga ishte ajo e ndërtimit të socializmit në vendin tonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›