E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana

Rrëfim për jetën e përditshme Tregimi paralel i ditëve të dy stilistëve: nga kafeja e mëngjesit, në atelie. Puna nis në orën 09:00 dhe nuk përfundon asnjëherë para mesnatës

“Nuk i kemi kurrë ditët e njëjta. është bukur të jesh kreativ”. Por disa gjëra që nuk ndryshojnë në jetën e Domenico Dolce-s dhe Stefano Gabbana-s janë: kafeja e mëngjesit në të njëjtën orë për të parin dhe sporti për të dytin. Përballimi i ideve mbi koleksionet, provat e veshjeve dhe administrimi i 4 mijë punëtorëve në këtë ndërmarrje gjigande. “Kemi hyrë në dhjetëvjeçarin e ri me një bindje: e kaluara i përket të kaluarës. Na ka dhënë shumë, por tani është koha e ndryshimit”. Deri në orën 19:30 çdo ditë i gjen në zyrë, përveç fundjavave. “Tani kemi filluar t’i bëjmë pushim, se deri pak vite më parë ishim çdo ditë në punë”, thotë Dolce.

Një ditë me Domenico Dolce-n

“Nis në orën 07:30. Jam shumë kurioz, lexoj gjithçka që përmban shtypi, madje edhe ai lokal”. Ndërsa në orën 09:00 vjen kafja e dytë te bari poshtë shtëpisë. Në orën 09:30 Dolce mbërrin në “zyrë”: një apartament i madh me divan me ngjyra të kuqe, librari, piktura dhe shumë skica. Puna e parë është leximi i e-mail-eve të printuar mbi tavolinë. “Nuk kam kompjuter dhe e kam shmangur postën e brendshme elektronike. Nëse dikush ka ndonjë gjë për të më thënë, le të ngrejë telefonin dhe të flasë”. E kështu deri në orën 13:30, që është edhe orari i drekës, gjithçka kalon në punë. Dreka hahet në zyrë, bashkë me Gabbana-n, me ushqime të freskëta e yndyrë, si dhe shumë fruta e perime. Në orën 14:00 rinis puna. “Jam unë ai që pres dhe qep, që vendos pullat dhe rregulloj veshjet. Vjen një kohë kur nuk e lë fare Stefano-n t’u afrohet veshjeve. Shumë prej punëve i ndajmë me njëri-tjetrin dhe kur jemi drejt fundit, i shohim me hollësi dhe detaje ato çfarë kemi përgatitur të dy. çdo ditë pyetja jonë është kjo: A është ideja jonë në përputhje me botën? Kjo sepse nuk duhet të jemi mbrapa, por as shumë përpara. Duhet të jemi në atë pikë sa njerëzit të gjejnë në dyqan atë që dëshirojnë në një moment të caktuar”. Ora 19:30 e gjen në palestër, duke ngritur pesha. “E urrej sportin. E vetmja gjë që nuk praktikoj me Stefano-n, janë skitë. Nuk dua të shkoj në moshën 70-vjeçare si një njeri që merret vetëm me modën. ‘Dolce&Gabbana’ duhet të posedojë një stil kaq të saktë dhe të mirëpërcaktuar, sa të ecë përpara edhe pa ne”. Pastaj vjen darka dhe ora 21:00 e gjen në shtëpi. “Kontrolloj për të gjetur ndonjë film të bukur mes 300 kanaleve që merr televizori im. Televizioni më shoqëron ndërsa dizajnoj. Jeta mondane? Pak. Më pëlqen stadiumi, kinemaja. Por Milano është kaq i vrazhdë”.

Një ditë me Stefano Gabbana-n

Edhe për Stefano-n dita nis me zgjimin në orën 07:30 të mëngjesit. Dhe para se të nisë punën, merret me aktivitet fizik. I pëlqen të notojë dhe prej shumë vitesh është marrë edhe me boks. Në dimër, në fundjavë shkon gjithmonë për të bërë ski. Pas një ore me ushtrime të ndryshme fizike, ora 08:30 e gjen para dollapit duke zgjedhur veshjet e përshtatshme për një ditë pune. “Vesh shpesh xhinse, për arsye komoditeti dhe që nga mosha 21-vjeçare ato janë një prej veshjeve të mia të preferuara, nga të cilat nuk do hiqja kurrë dorë. Vishem thjesht dhe dua të jem komod. Këtë e kam mësuar nga shumë vite pune çdo ditë nga ora 07:00 deri në 19:00”. Në orën 09:00 fiks ka mbërritur në zyrë. “Lexoj e-mail-et, pastaj navigoj në internet, sidomos në faqe si style.com. Lexoj gazetat, për të qenë i informuar mbi gjithçka. Aktualiteti është shumë i rëndësishëm për të mos jetuar në një botë të mbyllur”. Komunikimi me zyrën e shtypit dhe atë “Celebrity” (ku regjistrohen emrat e të famshmëve që veshin “Dolce&Gabbana”). “Kontrolloj preferencat e tyre, sidomos para ngjarjeve të mëdha, si muzikore, ashtu edhe kinematografike. Unë merrem edhe me spotet publicitare të produkteve tona, ndërsa Domenico merret me arkitekturën e dyqaneve që kemi, sepse e ka pasion këtë gjë. Tani sapo kam blerë një kompjuter ‘Mac’ dhe kam porositur një ‘Ipod’. Më vjen keq për Domenico-n që s’e përdor shumë kompjuterin, por shpresoj që një ditë të mësojë ta bëjë mirë navigimin në internet. Në orën 10:30 dal gjithmonë për të shëtitur tre labradorët tanë. Toto është më i riu, një këlysh i bukur, ndërsa Dali dhe Rosa (që pavarësisht emrit është i zi), janë më të vjetrit”. Kafshët e kalojnë ditën gjithmonë pranë padronëve të tyre në shtëpinë-zyrë. Në mesditë bëhet leximi i raporteve. “Të dish se çfarë ndodh nëpër dyqane, është shumë e rëndësishme. Klientët të thonë se çfarë duan dhe të tregojnë se ku ke gabuar. Pastaj edhe rrjetet sociale të tregojnë gjëra që jo gjithmonë tregu i do”. Në orën 13:30 është çdo ditë dreka. “Nëse e kaloj këtë orar, qoftë edhe me pak minuta, më nis dhimbja e kokës”, tregon. Në 14:00 rinis puna. “Kontrolloj me përpikëri punën e asistentëve tanë. Nëse ndonjëri prej tyre dizajnon ndonjë veshje të bukur, e pranoj me kënaqësi idenë. Kontributi i të gjithëve është i rëndësishëm. Kështu vazhdon deri në orën 17:00”. Pastaj është takimi me zyrën e shtypit për intervistat apo reklamat. “Mendoj gjithmonë se kemi nisur 25 vjet më parë me vetëm 2 mijë lireta dhe kemi mbërritur deri këtu falë përkushtimit. Duhet rrëzuar miti që stilistët bëjnë gjithmonë jetë mondane. Unë mbrëmjen e fundit gala e kam parë në maj të vitit 2009 në Kanë. I urrej midhjet apo shampanjën. Stefano-s i pëlqen shumë të rrijë në shoqërinë e miqve, qofshin këta të famshëm apo jo. “Jenifer Lopez është një mikja jonë e mirë, po ashtu edhe Madonna. Pastaj kam edhe shumë miq të shtrenjtë larg syrit të mediave. Darka vjen gjithmonë në orën 21:00-22:00, me miqtë e ngushtë që takon përditë. Kinema, një herë në javë dhe më shpesh koncerte. Televizor? Nuk shoh kurrë, përveç ndonjë seriali të preferuar. Gjumi? Jo më parë se ora 24:00-01:00. Para se të fle, lexoj ndonjë libër dhe luaj gjithmonë me iphone. Lojërat e mia të preferuara? Ajo e fatit, apo Brick breaker”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›