E Diel, 1 Nëntor 2026

Lady Gaga

Turi europian, “Monster Ball Tour”, nisi me koncertin e saj në Londër. Mes dhjetëra veshjeve dhe më shumë se 20 këngëve, bëri për vete 20 mijë adhuruesit. Biondja Gaga po shndërrohet në mbretëreshën e re të popit Madonna e re që kërkon të drejtojë mbretërinë e popit

Kësaj here është radha e Gaga-s dhe ëndrrës së saj amerikane: ajo e një vajze borgjeze, e cila ka studiuar në shkollë katolike, që emrin e vërtetë e ka Stefani Germanotta, mund të bëhet mbretëresha e re e popit. Më shumë se 30 vjet më parë, të njëjtën ëndërr kishte pasur një hirushe nga periferia, që humbiste çdo mbrëmje këpucën në “Limelight”, diskotekën njujorkeze shumë në modë në vitet ‘80. Të gjithë princat e kaltër që e gjenin i shtonin nga një rreze më shumë ambicies së saj. Kur Lady Gaga u paraqit në skenën e “Arena O2” të Londrës, ishte e pamundur të mos mendoje për Madonna-n. Ashtu si Madonna, edhe Gaga është një vajzë me flokët bionde “artificiale”. Si ajo ka origjinë italiane dhe një mbiemër jo të lehtë. Njëlloj si Madonna këndon, luan në piano, kërcen. Por ndryshe nga ajo, pranon që është homoseksuale dhe rrethohet gjithë kohës nga meshkuj homoseksualë. Njësoj u bënë shpejt ikona të muzikës pop. Po ashtu, ndryshe nga Madonna, Gaga nuk e ka humbur kurrë hijen e vajzës së mirë, gjë që ajo nuk e ka pasur asnjëherë. Në më shumë se 2 orë koncert, me 20 këngë dhe shumë ndërrime fustanesh, Lady Gaga arriti të bënte për vete më shumë se 20 mijë persona në stadiumin e Londrës. Mes çmendurive, skenografisë së paparë, veshjeve dhe trukut të çuditshëm, vajza 24-vjeçare vazhdon t’i habisë të gjithë. E veshur me një kostum të ngushtë pas trupit, me këpucë dhe look të çuditshëm, Gaga ngjitet pas tubave, shtrihet në skenë dhe performon bukur nën shoqërinë e balerinëve të saj të veshur me të bardha. Momenti kur nisë të luajë në piano, është ndoshta më i bukuri. “Bad Romance”, “Paparazzi”, “Monster” apo “Poker Face” elektrizojnë spektatorët. “Të qëndroj me këmbë në tokë nuk është në stilin tim. Vetëm tani që jam krejtësisht e izoluar në çmendurinë time, mund të bëj gjithçka që dua. Për shembull mund të krijoj një botë fantastike, ku njerëzit mund të udhëtojnë pa iu dashur pasaporta apo të performoj në një skenë me bikini prej porcelani dhe të bëhem lajmi i ditës”, tregon Joanne Angelina Germanotta, e njohur me emrin e artit Lady Gaga. Sipas shumë njerëzve, Lady Gaga është gjeni e komunikimit, përveçse një fenomen rekord. Në fakt, ajo është këngëtarja e parë në 17 vjet që kur ekziston klasifikimi “Billboard”, e cila ka arritur të vendosë në krye të renditjes katër këngë të saj radhazi “Just Dance”, “Poker Face”, “LoveGame” e “Paparazzi”. Stefani e di mirë si të tërheqë vëmendjen e gazetave dhe të jetë në faqen e parë të tyre dhe për këtë nuk e ka problem të përdorë veshje ekscentrike apo të dalë nudo. Për të është një lloj “performance artistike që nuk e shpërqendron aspak nga ajo muzikore”. “Ndonjëherë veshjet e mia duan të japin edhe mesazhe të rëndësishme, si për shembull ai për mbrojtjen e natyrës dhe kafshëve. Që kur isha e vogël zihesha shpesh me babin, sepse nuk më linte të vishja ato që unë dëshiroja. Në ato që vesh, nuk ka asgjë të çuditshme. Janë thjesht fryt i dëshirës sime të çmendur për të veshur gjithçka”. Ajo tregon për rrënjët e familjes dhe fillimet në rrugën e këngës me krenari. “Vij nga një familje italiane, në gjendje të mirë ekonomike dhe jam edukuar në një shkollë të mirë. Ideja ishte që të jetoja me mamin dhe babin derisa të vdisja. Por unë shkova kundër të gjithëve: u largova nga shtëpia dhe nuk kërkova që familja të më ndihmonte ekonomikisht. E mbajta veten duke punuar si kameriere dhe striptiste. Që në moshën 18-vjeçare kam punuar në lokalet e striptizave. E ndiejnë që jam një femër seksuale dhe më pëlqen trupi njerëzor nudo. E veshur me xhaketa lëkure të zezë, kërceja çdo fundjavë nën muzikën e Black Sabbath, Guns N’Roses e Faith No More”. Thonë që ajo ka një miqësi të ngushtë me Madonna-n, madje në fillim thoshte se e kishte idhull. “Idhulli im i vërtetë është nëna ime. Le të themi që Madonna-n e adhuroj. Puna është se gazetat çfarë nuk kanë shkruar për ne. E vërteta është se ne jemi dy vajza italo-amerikane të rritura në Nju Jork, që shkojnë shumë mirë bashkë. Mua gjithmonë më bën shumë për të qeshur ajo”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›