E Shtunë, 31 Tetor 2026

President, mjaft më me duhanin

Shtëpia e Bardhë ka publikuar analizat e para klinike të Presidentit Obama. Ja cilat kanë qenë këshillat e mjekut personal të Obamës, të cilat ai i ka ndjekur dhe vazhdon që t’i ndjekë

Sistemi gjenital-urinar: asnjë lloj problemi me prostatën dhe ipertrofinë...”. Barak Obama, 48 vjeç, 80 kilogramë, me tensionin 105/62 tashmë dihet publikisht se është një individ i shëndetshëm. Kjo pas publikimit të rezultatit të analizave të përgjithshme nga Shtëpia e Bardhë. Bëhet fjalë për buletinin e parë të kontrollit, të cilit i është nënshtruar Presidenti. Një publikim i të dhënave të tilla të kreut të shtetit është ndoshta unik në botë dhe ai përbëhet nga një listë e gjatë detajesh, disa prej të cilave, edhe pak “të turpshme”. Por për një kryetar shteti në Shtetet e Bashkuara, rregullat e lojës janë të qarta. Kërkon të qeverisësh? Atëherë duhet ta kesh të qartë se nuk i përket më vetes tënde dhe si pasojë, duhet që të heqësh dorë nga “privatësia” dhe t’i nënshtrohesh skanerit të vëzhgimeve dhe kontrolleve të rrepta, jo vetëm shëndetësore. Si pasojë e kësaj transparence, dimë tashmë që Obama i është nënshtruar kontrolleve të rreptë shëndetësore në spitalin e marinës ushtarake në Bethesda të Merilandit. E ndërsa në përgjithësi Presidenti gëzon shëndet të plotë dhe ka një organizëm shumë të shëndetshëm, sipas kontrolleve duhet që të ketë kujdes me gjunjët, me të cilët ai ka pasur probleme edhe në të shkuarën, sidomos gjatë periudhave kur ka kryer ushtrime intensive fizike. Kjo shpjegon faktin se përse Presidenti, që të gjithë e dinë se është shumë i dhënë pas basketbollit, i ka braktisur ndeshjet e kësaj loje për t’iu dhënë golfit, që është një sport më i qetë dhe nuk kërkon asnjë sforcim të madh fizik. Madje, sipas mjekëve, ai ndonjëherë përdor edhe disa qetësues për rastet e dhembjeve, zakonisht gjatë vizitave shtetërore në vende të tjera, por sigurisht nën kontrollin e rreptë të mjekëve. Por ajo çka Obama bën vetë është përdorimi i të ashtuquajturve “zëvendësues të nikotinës”. Kjo sepse Obama po e vazhdon betejën e tij kundër duhanit, që deri më tani është edhe vesi i vetëm që i njohim. Duket se, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mëdha, forca e vullnetit që e karakterizon, nuk ia ka dalë që të mposhtë dëshirën e madhe që ka në momente të caktuara për të pirë duhan. Ai vazhdon që ta pijë herë pas here, edhe pse e di se kjo i shkakton grindje të vazhdueshme me Mishelën, bashkëshorten, e cila është një person që kërkon nga e gjithë familja mënyra të shëndetshme jetese. Dihet tashmë publikisht se, për të marrë mbështetjen e Mishelës për kandidaturën presidenciale në vitin 2007, Obama iu betua asaj se nuk do të vazhdonte që të pinte më duhan dhe madje ai u betua duke pirë cigaren e fundit para saj. Por duket se në këtë pikë, nuk e ka mbajtur fjalën, sepse siç e ka pohuar edhe vetë, kur është në presion dhe stres të madh i jepet cigares. Përtej faktit të kuriozitetit që përçon siti i publikimit të të dhënave shëndetësore të kreut të shtetit, një gjë e tillë shërben edhe si një lloj edukimi për masat. Kjo sepse këshillat që mjekët i japin njeriut më të rëndësishëm të vendit, atij që ka në dorë fatet e tij, vlejnë për të gjithë njerëzit e tjerë, sepse bëhet fjalë për këshilla që i referohen një jete të shëndetshme. Ndër të tjera, mjekët i kanë rekomanduar Obamës që të përdorë vullnetin deri në fund, edhe në momente të vështira për të mos iu dhënë vesit të cigares, të vazhdojë në masën e duhur ushtrimet fizike, sigurisht pa u sforcuar, të vazhdojë dietën e shëndetshme ushqimore bazuar te frutat dhe perimet, të moderojë konsumin e alkoolit, të vaksinohet rregullisht kundër epidemive e të tjera si këto.

Për sa i përket dobësisë së Obamës për cigaren, kjo është diçka e mirë për shumë njerëz që vrasin mendjen se cilat mund të jenë veset e Presidentit, i cili me të vërtetë nuk ka të tilla. Të paktën me këtë ves e kuptojmë se kemi të bëjmë me një qenie njerëzore. Obama mund të përdoret si model edhe për të luftuar patologjitë e masës, si obeziteti që vjen nga të kequshqyerit. Obama ka arritur që t’i bëjë ballë një “sëmundjeje” të tillë vetëm falë ushtrimeve fizike, ushqimit të shëndetshëm dhe impenjimit për të qenë në formë dhe për të mos ta lëshuar veten.

Kontrolli vjetor shëndetësor që i bëhet Presidentit të SHBA-së dhe mbi të gjitha, publikimi i tij, është në vetvete një mesazh. Në një vend që shquhet për koston më të lartë të shërbimit shëndetësor, një kontroll i tillë rrënjësor dhe i hollësishëm ndaj një njeriu të shëndetshëm vlen për të theksuar edhe rëndësinë e madhe që ka për shëndetin e njeriut parandalimi i sëmundjeve. Por në fakt, funksioni kryesor i publikimit të këtyre të dhënave që për çdo njeri tjetër do të ishin shumë personale, është politik. Sipas mjekëve, bëhet fjalë për të bërë transparencë para qytetarëve për gjendjen e vërtetë shëndetësore të njeriut më të fuqishëm dhe më të rëndësishëm të vendit. Përmes këtyre rezultateve, njerëzit janë të qetë se Presidenti i tyre i ka të gjitha aftësitë fizike për të mbajtur barrën e një detyre shumë të vështirë, që kërkon mbi të gjitha një mendje dhe një shëndet të fortë. Por edhe në Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë gjithmonë kështu, pra për sa i përket transparencës së gjendjes shëndetësore të kreut të shtetit Në vitet ‘30, një pjesë e madhe e amerikanëve nuk e dinin gjendjen shëndetësore të Presidentit të kohës, Franklin Ruzvelt, i cili ishte goditur nga poliomieliti dhe e kalonte pjesën më të madhe të kohës në karrige me rrota. Në atë kohë nuk ekzistonte ende televizioni dhe fotografitë ishin të pakta dhe sigurisht nuk lejonin një transmetim real të situatës. Madje fotografët kishin urdhër që ta fotografonin Presidentin gjithmonë që nga mesi e sipër. Për Kenedin u mor vesh pas vdekjes së parakohshme, se ai në të gjallë kishte vuajtur nga dhembje jashtëzakonisht të mëdha të shpinës, të cilat nuk mund të kuroheshin dhe për këtë ai pinte thuajse përditë qetësues të fuqishëm. Për sa i përket psikologëve, ata janë të gjithë të mendimit se kur një President vuan nga një sëmundje e rëndë, apo dhembje e madhe, është e pamundur që të gjykojë pa u ndikuar nga kjo situatë për sa i përket vendimeve që duhet të marrë. Këtë çështje, tashmë demokracia amerikane e ka zgjidhur përmes publikimit të rezultatit të analizave të kreut të shtetit, çdo fillimvit. Në këtë mënyrë u jepet më shumë vlerësim zgjedhësve të cilët duhet ta dinë mirë situatën e personit që po i qeveris.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›