Dominimi i ish- avokatit të Berishës mbi Shkollën e Magjistraturës krijon shqetësim
Bordi drejtues i Shkollës së Magjistraturës ka propozuar Neshat Fanën, një ish- avokat të kryeministrit Sali Berisha, si drejtorin e ri
Nga Besar Likmeta, BIRN
Fana u votua të mërkurën nga bordi dhe pritet që të miratohet në mbledhjen e radhës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në të cilin është edhe anëtar.
Kandidatura e Fanës vjen pasi KLD rrëzoi një vendim të mëhershëm të bordit për të mbajtur drejtoreshën aktuale, Mariana Semini.
Pasi rrëzoi kandidaturën e Seminit, KLD ndryshoi një nga anëtarët e bordit, Sokol Binaj, në mënyrë që të ndryshoheshin balancat e votimit në favor të Fanës.
Mandati i Binajt u shkurtua pasi ai humbi besimin e këshillit dhe u zëvendësua nga anëtari i KLD-së, Gjin Gjoni, që në të shkuarën ka qenë në qendër të akuzave për korrupsion.
E themeluar në vitin 1997, Shkolla e Magjistraturës është i vetmi institucion akademik në Shqipëri që edukon gjykatësit dhe prokurorët e rinj.
Po ashtu ofron trajnim për të tjerë profesionistë në fushën e ligjeve si avokatë dhe policë gjyqësorë.
Emërimi i pritshëm i Fanës pason emërimet e javës së fundit të një sërë gjykatësish nga KLD, të cilët shihen si njerëz nën kontrollin direkt të Partisë Demokratike.
KLD, një institucion i drejtuar nga presidenti Bujar Nishani, që vepron si trupë mbikëqyrëse për sistemin gjyqësor, të premten caktoi për në Gjykatën e Apelit gjashtë gjykatës të rinj dhe një nga anëtarët e tij. Gjykata e Apelit është një nga institucionet më të rëndësishme gjyqësore në vend.
Kritikët thonë se këto emërime kanë ngritur pikëpyetje në lidhje me respektimin e ligjit nga presidenti dhe pavarësinë e tij nga ish- shefi i tij në Partinë Demokratike, Sali Berisha.
Nishani ka shërbyer si ministër i Brendshëm dhe i Drejtësisë në kabinetin e qendrës së djathtë përpara se të zgjidhej si president në vitin 2012 me votat e Partisë Demokratike dhe një aleati më të vogël në qeveri.
Dominimi i Fanës në Shkollën e Magjistraturës ka shkaktuar shqetësim në komunitetin gjyqësor, pasi shumë druhen se standardet e kësaj shkolle do bëhen më shumë politike sesa akademike.
*Titull është redaksional