E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dominoja e gjeopolitikës

***

Genc Llakaj

Jo të gjithë politologët, politikëbërësit apo politikanët e vendeve të vogla i kanë mundësitë ose kushtet e mjaftueshme të ndryshojnë formën, mënyrën apo terrenin ku implementohet politika e madhe. Shumica e tyre janë të detyruara tu nënshtrohen domosdoshmërisht interesave të gjeopolitikës. Kujtojmë se, si në konfliktin e Bosnjës (në 1995-n) po ashtu dhe në atë të Kosovës (1999), interesat gjeopolitike, të paktën ato të superfuqive aleate, edhe pse u sakrifikuan deri diku nuk u sinkronizuan me politikën e vogël të vendeve respektive. E them këtë, sepse, nëse do të analizonim step by step ngjarjet e kohës, qoftë në Bosnje apo qoftë në Kosovë, u bën gabime fatale. Pasojat e të cilave po favorizojnë tensionin në Ballkan.

Nëse do ti referoheshim reaksionit shkak-pasojë, edhe më i ngathëti mendërisht do të kuptonte se, dy nga gabimet para-konfliktit dhe post tij ishin respektivisht, mosndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe e vetë Aleancës së Atlantikut të Veriut në kohën e duhur, gjë që shkaktoi me qindra e mijëra të vrarë e masakruar dhe gabimi i dytë, mosndëshkimi i shkaktarit të këtij krimi masiv, makinës politiko-ushtarake serbe. NATO-ja, si palë e tretë dhe me akses determinant, e para, nuk parandaloi spastrimin etnik dhe, e dyta, nuk neutralizoi makinën ushtarake serbe. Ajo e harroi qendrën ku u fabrikua racizmi ndëretnik, Beogradin duke i dhënë mundësinë Serbisë, të riorganizohej, të ideonte e të ndërmerrte një tjetër genocid pas atij të Bosnjës, në Kosovë. Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO), pjesë e gjeopolitikës botërore, sipas këndvështrimit personal, gaboi strategji në dy elementë; në ngathtësinë e ndërhyrjes dhe në mosvlerësimin e rrezikshmërisë permanente serbe. E ngathët, sepse, fatkeqësisht, ndërhyri me vonesë, qoftë në Bosnje dhe qoftë në Kosovë duke toleruar një genocid makabër në Srebrenicë e, më pas, në Raçak! Ky gabim fatal, prodhoi jo vetëm mijëra të vrarë, të pafajshëm, por edhe ndryshim të raporteve etnike. Raporte këto që ju dhanë akses serbëve të kenë pretendime territoriale sot. Gabimi i dytë ishte ankorimi i NATO-s në vendet e dëmtuara duke mospërllogaritur rrezikshmërinë e mëvonshme serbe. Është e qartë që, nëse ndërkombëtarët do ta paralizonin Beogradin, jo vetëm nuk do kishim një tjetër genocid në Kosovë pas atij të Bosnjës, por nuk do të kishim as situatën kaotike dhe të rrezikshme sot në veriun e Kosovës, në Mitrovicë. Madje, edhe vetë deklaratat e forta të kohës, nga dy përfaqësuesit kryesorë të gjeopolitikës, ajo e ish-Presidentit Klinton që pohoi botërisht se kriza e Kosovës është një genocid në zemër të Evropës (the Kosovo crisis was a gjenocide in the heard of Europe) dhe e ish-ministrit të Jashtëm anglez, Kuk, i cili tha se nuk e kemi luftuar kot aparteidin në Afrikë, që të lejojmë një tjetër në Evropë, ishin shumë të vonuara e madje dëshmi e qartë e një strategjie të paparamenduar.

Për ta bërë më të kuptueshme idenë që dua të përcjell po ju jap një shembull, ndoshta banal: kur një llambë, në odën e shtëpisë, digjet çdo ditë do të thotë se ka një defekt në rrjet, sdo shumë mend. Pra, në qoftë se ndërrojmë gjithmonë llambën dhe ajo sërish digjet, duhet të kërkojmë shkakun dhe vendlindjen e tij. Logjikisht, nuk na lejohet të shndërroheshim në viktima të pasojës, nëse do të ishim pronar të shkakut. Kështu që, në rastin e konflikteve ballkanike, moseliminimi i shkakut dhe shkaktarëve të spastrimit etnik prodhoi atë Mitrovicë që shohim sot, të ndarë në dy pjesë dhe me konflikte ndëretnike, si dhe një Luginë të Preshevës të diskriminuar etnikisht e të ndarë nga trungu amë. Gjithashtu, edhe një Kosovë pa autoritet shtetar, të dobët dhe në rrezik të humbjes së sovranitetit të saj. Ndërkombëtarët, me dashje ose jo, i lanë aq hapësirë Beogradit, përmes politikës së nëntavolinave, të riorganizojë paramilitarët e grupet ultranacionaliste duke arritur deri tek e frikshmja teori, pretendimi i shkëmbimit të territoreve ose e ashtuquajtura loja domino. Lojë e cila, nëse analizohet me logjikë të ftohtë, pa dyshim do të jetë e rrezikshme jo vetëm për Ballkanin, por dhe për Evropën.

Para se kjo lojë të kthehet në ideologji masive, ndërkombëtarët duhet të marrin masat ta bllokojnë që të mos ripërsëriten gabimet e dy konflikteve të sipërcekura. Duke vlerësuar me gjakftohtësi aspiratat e grup-interesave në Ballkan: qoftë serbët, të cilët nuk heqin dorë nga ndarja e territoreve, madje ushtrojnë lirshëm pushtetin e enklavave të tyre, në Mitrovicën e Veriut, e qoftë shqiptarët e Luginës së Preshevës që aspirojnë me të drejtë bashkimin me shtetin e Kosovës. Dhe, nëse do të kalonim më tej, të njëjtat pretendime kanë edhe shqiptarët e Maqedonisë që e duan bashkimin me Republikën e Shqipërisë apo, pse jo, edhe vojvodinasit, brenda Serbisë, që pretendojnë autonominë e tyre. Një rikonfigurim etniko-territorial në Ballkan, sipas teorisë serbe, përbën rrezik për stabilitetin në Ballkan. Sigurisht, ajo që tremb këdo, është fakti se, nëse do të kemi shkëmbime territoresh në Ballkan, kurrsesi nuk do të jetë prodhim i diplomacisë e as i konsensusit, por i një konflikti të pashmangshëm ndëretnik. E vërteton këtë konstatim realiteti që Serbia as ka pasur e as do të ketë vullnet politik apo etnik të pranojë Kosovën shtet e jo më të lejojë Mitrovicën e Veriut ku raporti i popullsisë është në favor të saj, sot, falë dhuratës së ndërkombëtarëve që lejuan dëbimin masiv të etnisë shqiptare.

Nga ana tjetër, sikur të mos mjaftonte me kaq, edhe qëndrimi i mefshtë i politikës së Prishtinës, paaftësia, vizioni i cunguar, moskoordinim me aspiratën e shqiptarëve dhe mungesa e autoritetit shtetar mbi të gjithë territorin e Republikës (konkretisht në Mitrovicën e Veriut), nuk duhet përgëzuar. Kjo politikë, sa qesharake po aq dhe fëmijërore, arrin deri të trembet nga disa banda ordinere që bllokimin e rrugëve nacionale, në veri të Mitrovicës, e bëjnë pa droje, madje duke i treguar Thaçit dhe qeverisë së tij gishtin e tretë të dorës. Përpos gurëve të barrikadave serbe në funksion të injorimit të shtetit, në Mitrovicë, edhe vetë mazhoranca politike e shtetit të ri po i shërben, me dashje ose jo, strategjisë së rrezikshme serbe. Kjo politikë, së fundmi, duke marrë nisma emocionale dhe në shërbim të politikës serbe, po dëmton procesin e njohjes, sovranitetin dhe autoritetin e shtetit.

Qeveria Thaçi, që po i serviloset Rezolutës 1244, apo Pakos Ahtisaari, duke i bërë fresk edhe Serbisë, po dëmton rëndë sovranitetin e shtetit. Madje, me kosto injorimin e Kushtetutës (ligjit themeltar në një Republikë Parlamentare) e si pasojë injorimin e vullnetit të popullit të vet. Po si ka mundësi vallë?! Nuk mjaftuan dhuna, terrori, mijëra të vrarë dhe e fundit, një Mitrovicë e mbajtur peng nga Beogradi? Pse u dashka shndërrimi i Republikë së Kosovës nga e tillë në Principatë? Mos vallë thjesht dhe vetëm për ti bërë qejfin Rezolutës 1244, derivatit të saj, Pakos Ahtisaari, apo Beogradit për ta pasur më të lehtë aneksimin e Mitrovicës? Kujtoj këtu se, edhe Pakoja Ahtisaari, ndoshta ishte e vetmja strategji për kushtet dhe kohën, në të cilën u implementua, ka mangësi të shumta që cenojnë sovranitetin dhe interesat etnike shqiptare. Konkretisht, kjo pako në nenin 1.2 të saj thotë: Kosova është bashkim komunitetesh. Që do të thotë se, qoftë shqiptarët që përbëjnë 90 % të popullsisë së këtij shteti e qoftë serbët që përbëjnë 6 % konsiderohen si komunitete. Shqiptarët e Kosovës, sipas Pakos-Ahtisaari nuk janë as popull e as komb. Ndërsa në Nenin nr 8 thuhet se Kosova quhet Kosovë dhe jo Republikë, siç quhet Republika e Serbisë. Në këto kushte sovraniteti i Kosovës është vënë në rrezik, serbët mund të pretendojnë edhe shkëmbim territoresh dhe politika e vogël e shtetit të ri po i nënshtrohet gjeopolitikës së Ahtisaarit, pra interesave të Beogradit apo Moskës, me të cilat aktualisht ajo po sinkronizohet në dëm të shqiptarëve.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›