Fakulteti i Mjekësisë, nga aktor në faktor
***
Intervistë me Prof. Dr. Pëllumb Pipero, kandidat për Dekan i Fakultetit të Mjekësisë
Prof. Pëllumb Pipero drejton prej gati tre vitesh Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë. Pozicion, të cilin po përgatitet ta ndërrojë me atë të Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë. Ne zhvilluam një bisedë me Prof. Piperon në lidhje me kandidaturën e tij dhe arsyen se përse po lë një post të rëndësishëm në dikasterin e Shëndetësisë për postin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë.
Prof. Pipero, jeni i gatshëm të ndërroni pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm me atë të Dekanit të Fakultetit të Mjekësisë. Përse ky vendim?
Nuk ka qenë një vendim i lehtë. Në pozicionin e një prej bashkëpunëtorëve të afërt të ministrit të Shëndetësisë, z. Petrit Vasili, të cilin gjej rastin ta falënderoj sërish për besimin e treguar ndaj meje përgjatë këtyre viteve, unë kam pasur rastin të kontribuoj për zhvillime të shumta në fushën e reformës së sistemit shëndetësor. Një nga gjërat që më ka bërë më shumë përshtypje në këtë pozicion është se jo rrallë, aktorë të rëndësishëm, grupe interesi me zë në kapitull nuk marrin pjesë në diskutime, debate dhe formësimin e politikave, të cilat afektojnë direkt jetën e tyre profesionale. Fakulteti i Mjekësisë bën pjesë pa diskutim në këtë grup aktorësh. Profesorati dhe pedagogët e fakultetit janë të lidhur ngushtë me pesë spitalet terciare të Tiranës QSUT Nënë Tereza, dy spitalet Obstetrikë-Gjinekologjikë, Spitalin e Sëmundjeve Pulmonare Shefqet Ndroqi dhe Spitalin Universitar Qendror të Ushtrisë. Çdo reformë e sistemit shëndetësor duhet të kalojë detyrimisht përmes këtyre institucioneve që përbëjnë elitën e sistemit tonë shëndetësor dhe janë të lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me shëndetin dhe jetën e miliona qytetarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë. Sikundër në gjithë botën jeta profesionale dhe akademike e një institucioni të kujdesit shëndetësor terciar është e domosdoshme të gjallërohet dhe të vendoset në lartësinë që i takon.
Pra, ju thoni se Fakulteti i Mjekësisë ka mbetur pas?
Më keqkuptuat. Unë kam qenë, jam dhe do të jem pjesë integrale e Fakultetit të Mjekësisë. Në atë që është Fakulteti i Mjekësisë sot, unë kam meritat dhe përgjegjësitë e mia si një person i përfshirë prej vitesh në jetën profesionale dhe akademike. Unë kam qenë student, më pas specializant, mjek rezident dhe pedagog e profesor i Fakultetit të Mjekësisë. Pjesa më e madhe e jetës sime ka kaluar nëpërmjet auditorëve të këtij fakulteti dhe unë nuk flas si një outsider. Përkundrazi, unë flas si një person i mirinformuar dhe i përfshirë në gjithçka ndodh në fakultet. Ajo që shpreha më lart ka të bëjë me këndvështrimin e ri, në të cilin unë e pashë fakultetin gjatë viteve të punës në ministri. Mendoj se kjo përbën një përparësi, për të cilin çdo drejtues apo aspirant për drejtues ka nevojë. Duke qenë i përfshirë gjithmonë brenda një institucioni, shpesh e ke të vështirë të bësh një analizë objektive, të evidentosh pikat e tij të forta dhe të dobëta. Diçka që më dukej e natyrshme dhe e drejtë nga pozita e pedagogut, pashë se nuk ishte e tillë në një tjetër këndvështrim. Apo diçka që duket normale dhe e zakonshme është në fakt një pikë shumë e fortë, për të cilën ka nevojë jo vetëm fakulteti, por i gjithë sistemi shëndetësor, madje gjithë shoqëria shqiptare.
Dhe çfarë është kjo konkretisht?
Fakti që Fakulteti i Mjekësisë ka në mesin e profesoratit dhe gjithë pedagogëve të vet, elitën e padiskutueshme të sistemit shëndetësor shqiptar. Në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Politikave Shëndetësore kam konstatuar se me gjithë zhvillimin e sektorit privat, me gjithë globalizimin e shëndetësisë, shoqëruar me mundësinë për trajtim jashtë vendit apo ardhjen e mjekëve të huaj në vend, përsëri mendimi shkencor mjekësor, profesional dhe akademik dominohet nga profesorati dhe pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë. Fakulteti i Mjekësisë dhe QSUT janë dhe do të mbeten pika e referencës për trajtim, arsimim në fushën e mjekësisë dhe kërkim shkencor në gjithë vendin. Dhe kjo nuk ka pikë dyshimi. Nga ana tjetër, potenciali i profesoratit dhe pedagogëve nuk shfrytëzohet sa duhet. Para se të kandidoja për dekan, unë kam vizituar disa fakultete prestigjioze mjekësie në shumë vende të botës, deri aty ku është arritur kulmi i mjekësisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vend, unë vizitova Fakultetin e Mjekësisë së Universitetit të Arizonës, ku mu dha rasti të jem edhe lektor nderi në një leksion me dyer të hapura. Të gjithë vendet, pjesë e të cilave ne aspirojmë të bëhemi, kanë një respekt dhe vlerësim të jashtëzakonshëm për profesorin dhe pedagogun. Aty nuk mund të konceptohet profesori dhe pedagogu pa zyrën ku ushtron veprimtarinë akademike dhe kërkimore, asistentët akademikë dhe administrativë, internetin, aksesin në burimet e informacionit online, kushtet perfekte të mësimdhënies, si dhe mundësinë për të përfituar dhe menaxhuar grante kërkimore në mënyrë të pavarur. Të gjithë këto kanë të bëjnë me prestigjin e profesorit dhe pedagogut, çka përbën pikën fillestare të ngritjes së prestigjit të Fakultetit të Mjekësisë. Profesori i Fakultetit të Mjekësisë, madje edhe pedagogu që ende nuk ka ende këtë titull, duhet të rrethohet nga grupe kërkimorë dhe të japë drejtimin e vet shkencor për një numër sa më të madh projektesh kërkimorë. Ai duhet të jetë në lidership të publikimeve brenda dhe jashtë vendit, si dhe në lidership të referimeve në kongrese dhe konferenca mjekësore.
Cila është strategjia për ti realizuar të gjitha këto?
Është e pamundur të realizohet ndryshimi i mbyllur në zyrën e dekanit dhe i ulur në karrigen e tij. Ndryshimi e ka emrin autonomi dhe menaxhim i decentralizuar. N.q.s., unë do të realizoj atë që pyetët ju në fillim, pra shkëmbimin e pozicionit të drejtorit me pozicionin e dekanit, ndryshimin do të kenë në dorë vetë profesorët dhe pedagogët e Fakultetit të Mjekësisë, sepse unë do të synoj që gjithsecili prej tyre të ndihet dekan, të marrë vendime si dekan dhe të ushtrojë aktivitet si dekan. Një shembull. Dihet se universiteti nuk ka fonde që të pajisë zyrën e çdo pedagogu me komoditet maksimal, të paguajë asistentët e tij akademikë, të paguajë sekretar (ose asistent administrativ), të garantojë akses online në literaturën më të fundit bashkëkohore. Por mundësitë për ti siguruar këto janë të pafundme. Kompanitë farmaceutike prestigjioze janë gati të paguajnë dhjetëra dhe qindra milionë dollarë për kërkime të mirëfillta shkencore, të drejtuara nga parimet më të lartë të etikës. Dekani thjesht duhet të lehtësojë komunikimin dhe, më pas, të lerë autonominë menaxhuese të veprojë. Një profesor që menaxhon personalisht, në mënyrë autonome, një grant prej qindra mijë dollarësh ka mundësi të stimulojë me një pagë të kënaqshme pedagogët dhe asistentët, të marrë në punë një sekretar, të krijojë kushte komode në zyrat e punës, të lidhë kontratë për internetin më të shpejtë të mundshëm, të sponsorizojë pjesëmarrje në konferenca shkencore, të abonohet në revistat më prestigjioze shkencore, e kështu me radhë. Këtë kisha parasysh kur thashë se me mua dekan, gjithkush do të ndihet dekan. Detyra ime do të jetë thjesht vendosja e kontakteve të para dhe gjurmimi aktiv i gjithë mundësive që ekzistojnë për financim projektesh pranë kompanive farmaceutike, fondeve globale, fondeve të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, fondacioneve të njohura ndërkombëtare, etj. Dhe për këtë gjë kontaktet jo vetëm që nuk më mungojnë, por duke dalë paksa jashtë modestisë, i kam të panumërta.
Atëherë, cili është mesazhi juaj?
Në këtë intervistë unë fola për kolegët pedagogë, një pjesë e të cilëve kanë qenë profesorë të mi gjatë studimeve, një pjesë bashkëmoshatarë dhe, më të rinjtë, edhe studentë. Unë i shoh ata sikundër janë, elita e padiskutueshme e shëndetësisë shqiptare. Nëse më besojnë votën e tyre p