E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtrimet shpirtërore në Vatikan me temë: “Bashkimi i të krishterit me Zotin”

11-02-2012 / Gazeta 55

Nga data 26 shkurt deri më 3 mars, në Kapelën Redemptoris Mater, në Vatikan, do të mbahen ushtrimet shpirtërore, në praninë e Papës Benedikti XVI. Ushtrimet, që e përgatisin shpirtin për pritjen e Pashkëve, kanë për temë: “Bashkimi i të krishterit me Zotin”. Meditimet i janë besuar kryeipeshkvit kongolez të Kinshasës, kardinal Laurent Monsengwo Pasinya. Tema është marrë nga Letra e parë e Shën Gjonit: “E bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e Tij, Jezu Krishtin” (I Gjn 1,3). Ushtrimet shpirtërore do të fillojnë të dielën, më 26 shkurt, në orën 18.00, me Ekspozimin e Eukaristisë, kremtimin e Mbrëmësoreve, meditimin, adhurimin dhe bekimin eukaristik. Gjatë ditëve të mëpasme, paraditeve, do të kremtohen Lavdet e Mëngjesit e Ora e Tretë, ndërsa pasditeve, do të vijohet me Mbrëmësoret, adhurimin e bekimin eukaristik. Të shtunën, më 3 mars, në orën 9.00, do të mbahet meditimi përfundimtar. Kryeipeshkvi i Kinshasës, autori i meditimeve të sivjetme, impenjohet jashtëzakonisht në frontin e paqes dhe në zgjidhjen e problemeve shoqërore në Republikën Demokratike të Kongos. Ekspert i Biblës, në vitin 2008, kardinali Monsengwo Pasinya ka qenë sekretar i veçantë i Sinodit të ipeshkvijve mbi Fjalën e Zotit e, që nga viti 2010, angazhohet vazhdimisht kundër çdo dhune, në favor të pajtimit, të paqes e të dialogut në vendin e tij, por edhe në mbarë kontinentin afrikan.
Ati i Shenjtë: Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë në Sahel, për të shmangur një emergjencë të re/Afrika është Kontinenti i shpresës për Kishën: këtë nënvizoi sot Benedikti XVI në fjalimin e mbajtur gjatë takimit me përfaqësuesit e “Fondacionit Gjon Pali II për Sahelin”, pritur sot në audiencë, në Vatikan.
Papa e nxiti bashkësinë ndërkombëtare ta thellojë impenjimin në luftë kundër varfërisë, që peshon rëndë mbi popujt afrikanë të Sahelit, për shkak të zgjerimit të kufijve të shkretëtirës. Benedikti XVI shprehu shqetësimin e tij për vështirësitë e panumërta, që duhet të përballojnë popujt e Sahelit. Muajt e fundit, vërejti Papa, zona kërcënohet rëndë nga pakësimi i ndjeshëm i burimeve ushqimore, nga thatësira, e shkaktuar prej mungesës së shirave dhe nga përparimi gjithnjë më i madh i shkretëtirës: Ati i Shenjtë e nxiti bashkësinë ndërkombëtare të impenjohet seriozisht në luftën kundër varfërisë së këtyre popullsive, kushtet e jetesës të të cilave vijojnë të bëhen gjithnjë më kritike. Nxiti fuqimisht edhe organizmat kishtare, që punojnë në zonë, për të dhënë gjithë kontributin e mundshëm në lehtësimin e kësaj varfërie. Posaçërisht u ndalua tek veprimtaria e Fondacionit, themeluar sipas dëshirës së të Lumit Karol Vojtila. Papa e ftoi Fondacionin të vijojë punën me një hov të ri, duke vënë në qendër formimin e krishterë e profesional të veprimtarëve të saj. Theksoi, më pas, përmasën e lutjes, që duhet t’i prijë gjithnjë veprimtarisë së Fondacionit: Dashuria e krishterë, vijoi Papa, duhet të jetë në bazë të të gjitha veprimtarive tona. Nuk është këtu fjala për të ndërtuar një botë, ashtu si na pëlqen ne, por për ta dashur me gjithë zemër botën, kështu siç është. Prandaj Kisha nuk ka si synim kryesor shndërrimin e rendit politik a ndryshimin e indit shoqëror. Synimi i saj kryesor është ta çojë dritën e Krishtit deri në skajet më të harruara të botës, sepse është Ai që i shndërron të gjithë e të gjitha. Papa ikurajoi, kështu, mbarë popujt afrikanë. E më pas shtoi: shpesh Afrika përshkruhet në mënyrë të përciptë, padrejtësisht poshtëruese, si të ishte kontinenti i konflikteve e i problemeve të pafundme e të pazgjidhshme: Përkundrazi, pohoi Papa, Afrika, e cila sot ia hap krahët Lajmit të Mirë, për Kishën është Kontinenti i shpresës. Për ne, shtoi Benedikti XVI, “Afrika është Kontinenti i ardhmërisë”. Prej këndej, Ati i Shenjtë e përfundoi fjalën drejtuar përfaqësuesve të Fondacionit Sahel, duke përsëritur nxitjen, që pati theksuar gjatë shtegtimit të tij në Benin, vitin e kaluar: “Afrikë! Bëju Lajm i mirë për mbarë botën”. Kujtojmë se termi Sahel vjen nga fjala arabe ساحل, sāhil, që do të thotë ‘bregu i detit’. Përdoret për të shënuar zonat bregdetare, posaçërisht në veri të Afrikës e përfshin disa shtete afrikane. Jo më kot Papa kujton se kjo zonë, e në përgjithësi, mbarë Afrika, shpesh përshkruhet përciptazi, nga njerëz që nuk i kanë njohuritë e duhura për Kontinentin e pafundmë e të larmishëm. Prej këndej shpesh herë termi Sahel shpjegohet gabim, si të flitej për një oqean rëre, jo si bregu i detit, por si bregu i shkretëtirës. Por nuk është ashtu. Termi Sahel përdoret kryesisht për vendet veri-afrikane.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›