E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dominojnë filmat e huaj

Pas një jave të ngjeshur me shfaqjen e rreth 160 filmave, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest, e mbylli suksesshëm edhe edicionin e njëmbëdhjetë. Filmat e huaj ishin ata që i morën pothuajse të gjitha çmimet.

Filmi ‘Tea of Electricity’ i regjisorit Jerome Le Maire është shpallur filmi më i mirë dokumentar i metrazhit të gjatë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër DokuFest, i cili u mbyll të dielën në Prizren.

Në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve, të dielën, në Prizren, çmimet iu dhanë filmave në shtatë kategori konkurruese të festivalit. Juria që e bëri përzgjedhjen e filmit më të mirë dokumentar ndërkombëtar me metrazh të gjatë si dhe atij me metrazh të shkurtër, fitues i të cilit u shpall filmi ‘Sack Barrow’ i regjisorit Ben Rivers, ishte në përbërje të Mads Mikelsen, Martin te Pas, Jose Rodriguez, Samira Makhmalbaf dhe Elena Fortes.

Gjatë një jave në qytetin e Prizrenit e vetmja gjë për të cilën flitej ishte filmi. Në edicionin e njëmbëdhjetë të DokuFestit, në shtatë kinema, u shfaqen 160 dokumentarë dhe filma të shkurtër. Ndërsa, më shumë se 200 artistë vendorë dhe ndërkombëtarë qëndruan në Prizren, ku përpos filmave, shijuan edhe pamjen e bukur të këtij qyteti.

Sipas organizatorëve, sivjet DokuFest ka pasur një rritje prej njëzet përqind të mysafirëve.

E kur bëhet fjala të filmat, natyrisht se dominuan filmat e huaj. Po ashtu edhe shumicën e çmimeve i morën filmat e huaj. Filmat shqiptarë arritën, aty këtu, të marrin çmimin e publikut apo çmimin në kategorinë e filmit nacional. Ndërsa në shumicën e kategorive tjera çmimet shkuan përtej kufijve.

‘Dita e fundit e Loro Shestanit’ i regjisorit Sokol Keraj dhe ‘Matanë lumit’ i regjisorit Sabir Kanaqi, qenë dy filma të autorëve shqiptarë që u shpërblyen në Dokufest. I pari mori çmimin e publikut, ndërsa i dyti çmimin në kategorinë e filmave nacional. Edhe Briljant Pireva u shpërblye për videon amatore për mjedisin.

Ndërkaq, në garën e filmave për të drejtat e njeriut dominoi filmi ‘Call me Kuchu’ me regjisorë Katherine Fairfax Wright dhe Malika Zouhali-Worrall. Juria që e dha këtë çmim ishte në përbërje të Ben Blushi, Ozge Calafato dhe Angel Sanchez.

‘Just do it – A Tale of Modern Day Outlows’ i regjisores Emily James fitoi në garën për filmin më të mirë të mjedisit. Ndërkaq, në garën për filmin e shkurtër u shpërblye filmi ‘Could see a Puma’ i regjisorit Eduardo Williams. Filmi ‘Silent’ i regjisorit Rezan Jeshilbash rrëmbeu çmimin special të jurisë, e cila ishte në përbërje të Bujar Alimani, Karen Rais-Nordentoft dhe Mikhail Zheleznikov. Mirënjohje speciale morën regjisori Gregorz Jarszuk me filmin e tij ‘Frozen Stories’ si dhe regjisorja Jane Gull me filmin ‘Sunny Boy’.

Në garën e filmave dokumentarë të Ballkanit fitoi filmi ‘Sofia’s Last Ambulante’ i regjisorit Llian Metev, ndërkaq çmimin ‘Best Balkan Newcomer’ e mori Dana Budisavlevic me filmin ‘Nije ti zivot pjesa havaja’.

‘Valya, The Translator’ i regjisorëve nga Serbia Iva Brdar dhe Jovana Papovic, ‘Dogumentary’ i regjisorëve bullgarë Ilina Perianova dhe Svetoslav Draganov, si dhe ‘They Call Them Jazz’ i regjisorëve grekë Marineta Mak Kritikou dhe Yiota Skouvara ishin filmat që përzgjodhën për ‘Dok Leipzig’. Ndërsa, me mirënjohje speciale u shpërblye edhe regjisori Yury Ancarani me filmin ‘Platforma Luna’.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›