E Shtunë, 31 Tetor 2026

Domosdoshmëria e ndryshimit

Projektligji i Punës domosdoja e ndryshimit dhe nevoja e miratimit. I tillë çfarë është ofruar deri më tani, Projektligji i Punës në shumë segmente të tij lë shumë për të dëshiruar dhe për një pjesë të mirë të shoqërisë është vështirë i pranueshëm

Valon Murati

1. Pas ecejakeve disavjeçare, Projektligji i Punës erdhi sërish në Kuvendin e Kosovës. Kësaj radhe shpresat dhe gjasat janë se ai do të miratohet. Dhe kjo do të ishte risia në këtë çështje. Por nuk është e rëndësishme vetëm të kemi ligj të punës, e rëndësishme është që të kemi ligj të mirë të punës, ligj i cili do ta rregullonte tregun e punës në Kosovë, do ti trajtonte më drejtë të drejtat e punëtorëve, do të krijonte kushte për zbutjen e informalitetit në ekonominë e Kosovës, si dhe do ti rregullonte në mënyrë sa më të drejtë marrëdhëniet e punës në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

I tillë çfarë është ofruar deri më tani, Projektligji i Punës në shumë segmente të tij lë shumë për të dëshiruar dhe për një pjesë të mirë të shoqërisë është vështirë i pranueshëm. Andaj këto kohët e fundit kemi pasur edhe shumë debate rreth përmbajtjes së këtij projektligji dhe nevojës për ndryshimin e tij në Kuvend para se ai të miratohet.

Më të zëshmit në këtë drejtim deri më tani kanë qenë përfaqësuesit e BSPK-së dhe të një pjese të shoqërisë civile që e kanë kërkuar ndryshimin e këtij projektligji në favorin e më shumë të drejtave për punëtorët. Qeveria publikisht e pranoi se ky projektligj është hartuar më shumë duke i pasur parasysh interesat e punëdhënësve dhe në funksion të krijimit të një ambienti më të favorshëm për investime të huaja në Kosovë. Realisht Kosova është në një pozitë komplekse ekonomike.

Papunësia është e madhe (sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale papunësia për vitin e kaluar ishte 43%), rritja ekonomike e ngadalshme (sipas FMN-së vitin e kaluar rritja ekonomike ishte në 3.8-4.0% ndërsa për vitin 2010 parashihet rritje prej 4.3%) dhe bruto prodhimi vendor për kokë banori vitin e kaluar ishte 1,730 Euro ndërsa për këtë vit parashihet të jetë 1,800 Euro.

Ekonomia është kryesisht e bazuar në tregti, në shërbime (kryesisht hoteliere) dhe në të hyrat nga mërgata (remitancat). Prodhimi është simbolik, me një industri ushqimore që është në fillesat e saj dhe me një bujqësi e blegtori të papërkrahur sa duhet nga shteti.

Kjo situatë do të duhej që shtetin vërtet ta bënte më të kujdesshëm dhe më aktiv në politikat ekonomike dhe fiskale që do ndihmonin në krijimin e kushteve për rritjen e investimeve private, por edhe në përkrahjen e atyre ekzistueseve.

Por kjo nuk nënkupton se kjo përkrahje duhet të bëhet në dëm të punëtorëve, të cilët edhe ashtu, sidomos ata në sektorin privat që janë mbi 70% të tërë të punësuarve në Kosovë, për shkak të informalitetit në tregun e punës dhe të mosorganizimit sindikal, janë në pozitë të pafavorshme.

Shteti ynë, duke krijuar një balancë në mes të të drejtave dhe obligimeve të punëtorëve dhe atyre të punëdhënësve në ligjin e punës, mund të krijojë ambient të favorshëm të biznesit përmes politikave ekonomike, fiskale, sundimit të ligjit, ndalimit të korrupsionit etj. Ndërmarrësit në Kosovë të cilët operojnë në fushën e prodhimit dhe ata të cilët po orientohen në atë fushë, në vazhdimësi ankohen për ngarkesat e mëdha fiskale të cilat janë të obliguar tia paguajnë shtetit, ndonëse retorika qeveritare përsërit frazën e përkrahjes së prodhimit vendor në vazhdimësi.

Në këso rastesh nuk mund të flitet për përkrahje të prodhimit vendor, kur prodhuesit tanë ngarkohen me tarifa aq të mëdha doganore e tatimore për prodhimin që në fillim të investimeve të tyre, e të mos flasim se të njëjtit biznesmenë për ta filluar punën dhe për ta mbajtur gjallë atë duhet të marrin edhe kredi me kamatat më të larta në rajon dhe Evropë. Tash mund të paramendohet se sa konkurrentë dalin prodhuesit në tregun tonë, e lëre më në atë të jashtmin.

Tabloja e mësipërme e raporteve në mes të prodhuesve dhe qeverisë ilustron absurditetin e politikave qeveritare që biznesi të favorizohet në dëm të punëtorëve përmes ligjit të punës, përderisa biznesi dëmtohet shumë më shumë me politikat e papërshtatshme ekonomike e fiskale.

E mos të flasim këtu se sa e dëmton biznesin tonë mungesa e zbatimit të ligjit, korrupsioni, si dhe zvarritjet në pagesa për obligimet që institucionet tona kanë ndaj biznesit. Po sikur ta shohim anën tjetër të medaljes?

Nëse ky ligj nuk e merr njëfarë konsensusi të sindikatave dhe punëtorëve të Kosovës, dhe kur një ditë sindikatat të forcohen dhe të organizohen më mirë se sot, kur ato një ditë të futen edhe në sektorin privat, gjë e cila domosdo do të ndodhë, këtë ambient të favorshëm për biznesin dhe paqen sociale mund ta prishin pakënaqësitë e punëtorëve dhe organizimi i tyre për më shumë të drejta.

2. Ti kthehemi edhe njëherë projektligjit të punës. Ky projektligj, si asnjëherë më parë i ka mobilizuar edhe sindikatat e Kosovës, me në krye BSPK-në. Dhe kjo është një shenjë e mirë e gjallërimit të aktivitetit sindikal në Kosovë.

Ky projektligj ka elemente të fuqishme anti-diskriminuese dhe rregullon shumë të drejta të domosdoshme të punëtorëve në kuadër të marrëdhënieve të punës me punëdhënësit. Në anën tjetër, e drejta e punës është një e drejtë e rëndësishme e njeriut, e njohur edhe me Kushtetutën e Kosovës, ndonëse me këtë Kushtetutë +dokumentet kryesore ndërkombëtare që i mbrojnë të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore nuk janë pjesë e sistemit tonë juridik. Sidoqoftë, projektligji ka edhe mjaft mangësi.

Një pjesë janë të lidhura me situatën ekonomike dhe politike në të cilën është Kosova, e tjerat janë pjesë e politikave qeveritare dhe ndikim i lobeve të ndryshme të interesit. Sidoqoftë, janë disa pika ku deri më tani vërehet se ka një konsensus në një pjesë të shoqërisë se ky projektligj duhet të ndryshojë dhe ndryshimi i të cilave nuk do ta prekte aq shumë edhe buxhetin e qeverisë, e as atë të kompanive private.

Disa nga pjesët më kontestuese janë: puna e fëmijëve prej 12-15 vjeç (neni 7.4), kontrata verbale (neni 9.1), puna provuese (neni 14), puna më e gjatë se orari i punës (neni 22), pushimi i lehonisë (neni 48), pushimi mjekësor (neni 58), ndërprerja e kontratës së punës nga ana e punëdhënësit (neni 69) etj.

3. Më poshtë do të trajtohen shkurtimisht problemet e cekura më lart, duke dhënë edhe ndonjë rrugëzgjidhje për to. Parashikimi me nenin 9 se kontrata e punës mund të lidhet edhe në mënyrë verbale përveç asaj me shkrim, në kontekstin e Kosovës mund të lërë shumë hapësira për keqpërdorime, andaj përcaktimi i saktë se kontrata e punës duhet të lidhet vetëm me shkrim do të duhej të ishte rregullimi i vetëm brenda këtij neni.

Edhe përcaktimi me nenin 7.4 se të miturit në mes të moshës 12-15 vjeç, mund të kryejnë punë të lehta maksimumi deri në gjashtë orë në javë, nëse nuk dëmtohet siguria e tyre, shëndeti, morali, shkollimi dhe zhvillimi i tyre, me kusht të dhënies së pëlqimit me shkrim nga prindërit dhe kujdestarët ligjorë, ndonëse sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale është bërë për ti rregulluar disa punë të lehta që mund ti kryejnë fëmijët, në kontekstin e Kosovës mund të jetë një deriçkë për vazhdimin e shfrytëzimit të të miturve.

Situata e rëndë sociale edhe mund ti shtyjë prindërit ta japin një pajtim formal për punën që e bëjnë fëmijët e tyre, ndonëse kjo mund ta dëmtojë jo vetëm shëndetin e fëmijës e vijueshmërinë e tij në shkollë etj., por edhe mund të krijojë hapësi

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›