Don Kishoti vjen në Prishtinë

Me rastin e katër vjetorit të pavarësisë së Kosovës, trupa e baletit të Kosovës ka përgatitur një surprizë për adhuruesit e baletit. ‘Don Kishoti’, i cili bazohet në një episod të marrë nga romani i famshëm i shkrimtarit spanjoll Miguel de Cervantes, është baleti që do të jepet premierë në Teatrin Kombëtar. Koreografinë e këtij baleti e ka bërë koreografi i njohur nga Kuba Israel Rodrigues.
Në një konferencë për media, e cila u mbajt në Teatrin Kombëtar, Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit të Kosovës, tha se ‘Don Kishoti’ është një balet që është luajtur në të gjitha skenat botërore. Ai i prezantoi edhe mysafirët e kësaj shfaqjeje, që kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës.
“Këtu e kemi koreografin me prejardhje nga Kuba, i cili punon në Amerikë, Israel Rodrigues. E kemi Katie McGuffey, e cila është balerinë amerikane dhe është një mikeshë e trupës së baletit. Përveç se ka marrë pjesë në disa premiera të baletit, na ka përkrahë edhe në mënyra të ndryshme. Ardhja e Rodrigues është vepër e Katie-t, e cila ka gjetur edhe sponsorë, meqenëse dihet se baleti i Kosovës nuk i ka kushtet sa për të marrë balerinë apo mjeshtër të baletit nga bota, të cilët po vijnë faktikisht të ne”, tha Brahimaj, duke shtuar se ardhjen e koreografit e ka sponsoruar Oda Ekonomike Amerikane.
Brahimaj theksoi se ‘Don Kishoti; është një vepër në të cilën marrin pjesë më shumë se tridhjetë balerinë.
“Ka jashtëzakonisht shumë kostume dhe në këtë aspekt është bërë një punë shumë e madhe. E kemi edhe kostumografin e njohur turk Tayfun Çebi, i cili e ka bërë edhe skenografinë. Ai e ka bërë një punë shumë të mirë. Do ta shihni në premierë. Është një ekip shumë i madh që ka punuar jashtëzakonisht shumë për me ardhë deri të rezultati, deri të një premierë e baletit siç është ‘Don Kishoti’”, tha Brahimaj.
Ai shtoi se përveç trupës së baletit, e cila është aktive, në këtë shfaqje kanë marrë pjesë edhe pesëmbëdhjetë balerinë të rinj, të cilët e japin kontributin e tyre.
Brahimaj tha se shpreson që do të jetë një shfaqje shumë e suksesshme. Ai më pas e falënderoi koreografin Rodrigues, i cili ka punuar me gjithë këta njerëz.
“Nuk është lehtë të punosh me gjithë këta njerëz, kur kihen parasysh kushtet tona.
Mundësitë në teatër nuk janë në favor të një trupe të baletit me 33 apo 34 balerinë, por e kemi bërë të pamundshmen për t’ia arritur”, tha Brahimaj.
Ndërkaq, koreografi Israel Rodrigues tha se nuk mund ta përshkruajë me fjalë se si është ndier duke punuar me trupën e baletit të Kosovës.
“Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua si valltar dhe si koreograf. Ka qenë shumë sfiduese por nuk mund të ankohem ende. Jam shumë i kënaqur që ky shans më është ofruar nga Katie dhe kur ajo më pyeti nëse mund të vija këtu më tha se nuk do të ndihesha i zhgënjyer me njerëzit me të cilët do të punoja dhe se do të kënaqesha shumë dhe kështu Katie ka pasur të drejtë”, tha Rodrigues.
Ai shtoi se e pret një performancë shumë energjike dhe të fuqishme dhe tha se është shumë krenar për secilin që ka marrë pjesë në këtë shfaqje. Rodrigues theksoi se është shumë i lumtur që ndodhet këtu saqë nuk dëshiroi të flasë për ditën kur duhet të largohet.
Ai shtoi po ashtu se shfaqja do t’i pëlqejë publikut.
“Jo vetëm që shpresoj por e di që shfaqja do të ju pëlqejë dhe për këtë jam shumë i lumtur”, tha ai.
Skenografi turk Tayfun Çebi i përmendi kushtet e vështira në të cilat është punuar, por tha se prej këtyre kushteve të vështira kanë dalë gjëra të mira.
Ai shtoi se është shumë i kënaqur që e ka takuar Israelin, me të cilin ka bashkëpunuar. Ndërsa për shfaqjen tha se është i lumtur që ka qenë pjesë e saj dhe sikurse Rodrigues edhe ai shprehu besimin se ajo do t’i pëlqejë publikut.