Doping sa t’dush

Akuza e drejtuesve të Ballkanit drejtuar futbollistëve të Lepencit për përdorim të substancave stimuluese, në ndeshjen e barazhit për Superligë, ka hapur një temë të re në futbollin kosovar.
Se a përdoren në të vërtet substanca të tilla që janë të ndaluara, nga lojtarët kosovarë këtë e tregon ish futbollisti i njohur Ismet Munishi. Ky i fundit thotë se në futbollin tonë përdoren me të madhe mjete të ndaluara stimulative.
Madje, ai pranon se në disa raste edhe vetë kishte përdorur substanca të tilla, në kohën kur ishte futbollist aktiv në Superligën e Kosovës. Por, ai pohon se nuk ishte i vetmi që kishte përdorur substanca të tilla stimulative.
Sipas Munishit, edhe sot futbollistët kosovarë përdorin kësi lloj substancash sepse Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) praktikisht nuk e ushtron luftën anti-doping. Madje Munishi tregon se ‘Ephedrine’ është substanca më e përdorur nga kosovarët.
“Publikisht e pranoj se ka pasur raste kur unë kam përdorur ‘Ephedrine’. Për mua ishte e rëndësishme vetëm të fitohet ndeshja dhe pastaj nuk më interesonte asgjë tjetër edhe sikur të vdisja”, deklaroi Munishi për Express.
“Pra, ‘Ephedrine’ është substanca që më së shumti përdoret nga futbollistët tanë, sidomos në ndeshje të rëndësishme”, vazhdoi ish futbollisti i shumë skuadrave kosovare, por edhe të huaja.
Por, Munishi mohon mundësinë që udhëheqësit e klubeve t’i nxisin futbollistët e tyre për të përdorur mjete të tilla stimuluese.
“Vetë futbollistët insistojnë në përdorimin e tyre dhe klubi nuk u sugjeron. Kjo pasi lojtarët duan ta fitojnë ndeshjen, duan që të kenë një paraqitje sa më të mirë në një ndeshje të fortë dhe të bëhet heronj, apo që të tërheqin edhe vëmendjen e klubeve tjera”, rrëfen Munishi.
E për këtë dukuri negative, për të cilën në Kosovë as që diskutohet, Munishi fajëson shtëpinë e futbollit që nuk ndërmerr masa. “Të paktën nëpër ndeshje derbi që kanë peshë në rrjedhje të kampionatit, apo në ndeshje barazhi ose në finale të Kupës patjetër duhet që futbollistëve t’u bëhen analizat për t’u kuptuar se a kanë përdorur kësi lloj mjetesh stimulative”, theksoi Munishi.
Nga përvoja e tij, ish futbollisti i Mariborit, i Vorsklas, i Kocaelisporit e i shumë skuadrave tjera shpjegon edhe mënyrën se si mund të vërtetohet se a kanë përdorur apo jo futbollistët substanca të tilla.
“FFK-ja duhet të dërgojë mjekët në ndeshje. Pas përfundimit të ndeshjes me short tërhiqen numrat e dy apo tre lojtarëve të njërit ekip, por edhe ekipit tjetër. Lojtarëve, numrat e të cilëve tërhiqen, në short u merret mostra e urinës për analizë. Rezultati i analizës edhe nëse nuk është e mundur të nxirret në Kosovë, mund të bëhet në Maqedoni, sepse Shkupi nuk është larg”, tha ai.
Madje, sipas Munishit, FFK-ja duhet që sa më shpesh t’i nënshtrojë futbollistët në kësi lloj analizash mjekësore dhe pa paralajmërim. Në këtë mënyrë, sipas Munishit, futbollistët nga frika se mos po bien në grackë, do të fillonin që gradualisht të hiqnin dorë nga përdorimi i këtyre mjeteve stimulative.
Efektet e ‘Ephedrine’
Ismet Munishi pranoi se në kohën kur ishte futbollist aktiv kishte përdorur mjete stimulative. ‘Ephedrine’ ishte substanca që kishte përdorur jo shpeshherë Munishi. Sipas tij, kjo është edhe substanca më e konsumuar nga futbollistët kosovarë. Ai i di edhe efektet që sjell te futbollisti, i cili konsumon ‘Ephedrine’.
“Kjo substancë e rrit volumin e muskujve, e largon lëngun e tepërt nga muskujt, i bën muskujt më të fortë, por e rrit edhe kapacitetin e frymëmarrjes në mushkëri”, rrëfen Munishi.